Një 27-vjeçar ka vdekur në fshatin Kobaj të Prizrenit, pas një përleshjeje mes familjarëve që dyshohet se nisi nga një mosmarrëveshje për emërtimin e një rruge në fshat. Për rastin janë ndaluar dy persona, ndërsa mes tyre raportohet se ndodhet edhe një i mitur.
Sipas raportimeve të Gazetës Sinjali, viktima dhe të dyshuarit janë djem të axhës. Burimet e këtij mediumi bëjnë të ditur se njëra palë kishte kërkuar që rruga të mbante emrin e babait të tij, ndërsa pala tjetër kishte insistuar që ajo të emërtohej sipas gjyshit. Kjo mosmarrëveshje dyshohet se ka nxitur përplasjen që më pas ka eskaluar në dhunë.
Viktima është identifikuar si A. Osmanaj, 27 vjeç. Ai ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë gjatë konfliktit. Në përleshje është lënduar edhe babai i tij, 57 vjeç, i cili më herët ishte raportuar në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lidhur me rastin, më herët ishte raportuar se është ndaluar dhe po intervistohet Albatrit Osmanaj, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në përleshje. Me përditësimin e fundit, Sinjali raporton se të ndaluar janë dy persona, ndërsa organet e rendit dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rolin e secilit në ngjarje.
Personat e ndaluar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Rastin e kishte konfirmuar edhe kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili tha se hetimet janë në fazën fillestare dhe se viktima dyshohet se kishte pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë.
“Ajo që mund të konfirmoj në këtë fazë është se një person ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spital. Bazuar në dyshimet fillestare, viktima dyshohet se ka pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë”, deklaroi Kryeziu.
Ai kishte bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, ekspertët e forenzikës, prokurori i shtetit dhe ekipet e tjera relevante, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Për gjendjen e viktimës dhe të babait të tij ishte deklaruar edhe mjeku kujdestar në Emergjencën e Prizrenit, Kujtim Kryeziu. Ai tha për Klan Kosovën se 27-vjeçari kishte arritur në emergjencë me plagë fatale në pjesën e gjoksit dhe se reanimimi i tij kishte qenë i pamundur.
“Pacienti i ndjerë kishte lëndim fatal në regjionin e gjoksit. Me gjasë ishte prekur zemra dhe reanimimi i mëtejmë ka qenë i pamundur. Më pas është konstatuar vdekja e pacientit”, deklaroi Kryeziu.
Sa i përket babait të viktimës, mjeku tha se edhe ai kishte pësuar lëndim në pjesën e gjoksit, por se zemra nuk ishte prekur. Sipas tij, pas intervenimit nga kirurgu, gjendja e tij ishte stabile.
“Pacienti tjetër, rreth moshës 57-vjeçare, ka qenë po ashtu me lëndim në regjionin e gjoksit, në anën e majtë, por nuk është prekur zemra. Është pranuar për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë dhe gjendja e tij për momentin është stabile, pas intervenimit të kirurgut”, shtoi ai.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion. Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të përleshjes, motivit të dyshuar dhe përgjegjësisë së personave të përfshirë. /Vrojtuesi


