spot_imgspot_img

Pesë persona arrestohen në operacionin “Reçaku II”

Pesë personat e arrestuar sot në operacionin “Reçaku II”, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile në Reçak, janë sjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre. Prokurori special Ilir Morina pritet të kërkojë caktimin e paraburgimit.

Operacioni është realizuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, në kuadër të hetimeve për Masakrën e Reçakut. Pesë të dyshuarit u arrestuan në orët e hershme të së dielës, pas bastisjeve në disa lokacione.

Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë së Serbisë gjatë luftës në Kosovë dhe se kanë marrë pjesë në aksionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u masakruan 45 civilë shqiptarë, raporton Vrojtuesi.

Detajet për operacionin u dhanë në një konferencë të përbashkët për media nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës. Prokurori special Ilir Morina tha se arrestimet janë rezultat i hetimeve intensive që kanë vazhduar gjatë muajve të fundit, pas aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit të kaluar për këtë rast.

“Hetimet që i kemi vazhduar gjatë këtyre muajve kemi arritur t’i identifikojmë edhe disa persona që kanë qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë së Serbisë asokohe, që kanë qenë pjesë e aksionit më 15 janar në Reçak”, deklaroi Morina para mediave.

Sipas Prokurorisë, identifikimi i të dyshuarve është bërë edhe përmes analizimit të video-incizimeve të kohës së luftës. Gjatë konferencës, Morina publikoi pamje nga operacioni policor, si dhe fotografi të dy prej personave të dyshuar, të cilët, sipas autoriteteve, janë identifikuar në bazë të materialeve të luftës.

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu, bëri të ditur se arrestimet janë kryer pas një sërë veprimesh hetimore dhe pas ekzekutimit të urdhër-kontrolleve në pronat e të dyshuarve.

Sipas të dhënave të prezantuara nga autoritetet, të arrestuarit janë N.B. nga Shtërpca, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë; S.J., banues në Shtërpcë, ish-polic i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë; B.P., nga Shtërpca, ish-polic i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i cili është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdar; S.N., banues në Shtërpcë, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë; si dhe S.S., banues në Gjilan, punëtor në shërbimet postare në Serbi dhe, sipas Prokurorisë, pjesë e formacioneve policore në kohën e kryerjes së veprës penale.

Prokurori bëri të ditur se është realizuar kërkim edhe për një ish-polic serb në Shtërpcë, por i njëjti nuk është hasur në vendbanim dhe nuk është arritur të arrestohet.

Gjatë operacionit, autoritetet kanë konfiskuar materiale dhe sende të ndryshme, përfshirë bexha policorë, uniforma, çanta ushtarake, video-kaseta, targa veturash me shenjën UR, katër telefona, një aparat fotografik dhe mbi 40 fishekë. Po ashtu, janë konfiskuar mbi 30 mijë euro dhe mbi 3 mijë euro në dinarë.

Operacioni “Reçaku II” vjen në vazhdën e hetimeve për Masakrën e Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë. Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, pavarësisht aktakuzës së ngritur më herët, hetimet nuk janë ndalur dhe kanë çuar në identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e njësive të përfshira në ngjarjen e 15 janarit 1999.

Pas arrestimeve ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se nuk do të ketë kompromis ndaj autorëve të krimeve të kryera në Kosovë. Ai përgëzoi Policinë e Kosovës, Prokurorinë Speciale dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për realizimin e operacionit.

Sveçla tha se krimet e luftës të kryera nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe po hetohen dhe ndiqen penalisht më shumë se kurrë më parë. Sipas tij, të gjithë ata që kanë planifikuar, urdhëruar apo zbatuar krime ndaj popullatës duhet të përballen me drejtësinë.

Ai përmendi edhe arrestimin e një personi tjetër të dyshuar për vrasjen e civilëve në Ponesh, duke thënë se institucionet do të vazhdojnë ndjekjen e personave të dyshuar për krime lufte derisa secili përgjegjës të japë llogari.

Ministri shtoi se hetimi i krimeve të luftës brenda Policisë së Kosovës është fuqizuar gjatë mandatit të tij, duke u ngritur nga nivel sektori në drejtori dhe duke iu dyfishuar numri i personelit.

Të arrestuarit aktualisht trajtohen si persona të dyshuar. Procedura gjyqësore pritet të përcaktojë masën ndaj tyre, ndërsa hetimet vazhdojnë për sqarimin e rolit të secilit në rastin për të cilin po heton Prokuroria Speciale. /Vrojtuesi

Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here