Një përshëndetje e rastësishme në rrugë përfundoi me dhunë dhe grabitje për një të ri në Mitrovicën e Veriut.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës në Frashër të Madh, në rrugën qarkore të Mitrovicës së Veriut.
Sipas kallëzimit të viktimës, M. Behrami (29 vjeçar), ai ishte duke lëvizur me veturë kur është ndalur për t’u përshëndetur me një fqinj që po udhëtonte me traktor. Pas traktorit ndodhej një automjet tip pikap me ngjyrë të bardhë, pa targa, në të cilin ndodheshin tre persona.
Pasi kishte vazhduar rrugën dhe kishte dalë në rrugën kryesore, afër shkollës së vjetër, pikapi i kishte prerë rrugën.
Tre personat kishin dalë nga vetura dhe, sipas viktimës, i ishin drejtuar me fjalët: “Pse po na kqyr shtremt? Edhe një herë ma moti na ke kqyr shtremt.”
Më pas, njëri prej tyre i kishte kërkuar: “M’i jep 20 euro.”
Kur ai u kishte thënë se nuk kishte para, situata kishte eskaluar. Njëri nga të dyshuarit e kishte kapur për fyti, tjetri e kishte goditur me shuplakë, ndërsa personi i tretë kishte hapur derën nga ana e bashkudhëtarit dhe nga xhepi i pantallonave ia kishte marrë kuletën, në të cilën ndodheshin 150 euro para të gatshme.
Pas raportimit të rastit, viktima ka arritur që përmes fotoalbumit policor ta identifikojë njërin nga të dyshuarit, i cili sipas burimeve të Sinjalit është Faton Rexhepi (27 vjeç).
I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, por ka mohuar përfshirjen në rast, duke deklaruar se në kohën e ngjarjes nuk kishte qenë fare në Frashër.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Grabitje”, ndërsa Faton Rexhepi, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.
Një vështrim që u interpretua si provokim, një pikap pa targa dhe 150 euro të grabitura – ngjarje që tashmë mbetet në duart e hetuesve për të zbardhur rolin e secilit nga të përfshirët.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.


