Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në kuadër të operacionit “Reçaku 2”, nën dyshimin për përfshirje në Masakrën e Reçakut gjatë luftës në Kosovë.
Të arrestuarit dyshohet se kanë qenë ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të Njësive të Veçanta të Policisë, të njohura si PJP.
Sipas raportimeve të Gazetës Sinjali, personat e arrestuar janë Novica Peqinoviq, 58 vjeç, Stanoje Janiqeviq, 59 vjeç, Borko Paljiq, 57 vjeç, Sllagjan Millisavljeviq, 58 vjeç, dhe Stanko Saviq, 60 vjeç.
Të dyshuarit janë arrestuar pas më shumë se dy dekadash hetime për njërën nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë. Masakra e Reçakut ndodhi më 15 janar 1999 dhe u bë një nga dëshmitë më të njohura ndërkombëtare për krimet ndaj popullatës civile shqiptare gjatë luftës.
Sipas kallëzimit penal të dorëzuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale, të dyshuarit dyshohet se, në bashkëveprim me forca të tjera policore serbe dhe në koordinim me Ushtrinë Jugosllave, kanë marrë pjesë në sulmin ndaj fshatit Reçak.
Në kallëzim, sipas raportimit, thuhet se ky sulm përfundoi me vrasjen dhe masakrimin e dhjetëra civilëve shqiptarë të paarmatosur dhe të pambrojtur. Autoritetet po i trajtojnë të arrestuarit si persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Operacioni policor është zhvilluar në orët e hershme të 14 qershorit. Në aksion kanë marrë pjesë Njësia Speciale Operative, njësia K9, Drejtoria e Teknikës Kriminalistike dhe hetuesit e krimeve të luftës.
Gjatë operacionit janë kontrolluar gjashtë lokacione, pesë në komunën e Shtërpcës dhe një në Gjilan. Përveç arrestimeve, autoritetet kanë sekuestruar para të gatshme, uniforma ushtarake e policore, dokumente që dyshohet se dëshmojnë angazhimin e të arrestuarve në strukturat e MPB-së së Serbisë gjatë luftës, fishekë, pajisje policore dhe materiale të tjera që konsiderohen me interes për hetimin.
Në raportimet e mëhershme, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se identifikimi i të dyshuarve është bërë edhe përmes analizimit të video-incizimeve të kohës së luftës. Prokurori special Ilir Morina ka deklaruar se hetimet për këtë rast kanë vazhduar edhe pas aktakuzës së ngritur më herët për Masakrën e Reçakut.
“Hetimet që i kemi vazhduar gjatë këtyre muajve kemi arritur t’i identifikojmë edhe disa persona që kanë qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë së Serbisë asokohe, që kanë qenë pjesë e aksionit më 15 janar në Reçak”, kishte deklaruar Morina para mediave.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Prokuroria Speciale më pas ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa të dyshuarit janë paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Rasti “Reçaku 2” konsiderohet një nga operacionet më të rëndësishme të viteve të fundit në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Arrestimet vijnë në një kohë kur institucionet e drejtësisë kanë intensifikuar hetimet për rastet e pazbardhura të luftës dhe për personat që dyshohet se kanë marrë pjesë në krime ndaj civilëve. /Vrojtuesi


