Një 27-vjeçar ka vdekur sot në fshatin Kobaj të Prizrenit, pas një përleshjeje mes dy familjeve që janë kushërinj mes vete. Një person tjetër, babai i viktimës, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spital.
Sipas raportimeve të Gazetës Sinjali, viktima është identifikuar si A. Osmanaj, 27 vjeç. Në lidhje me rastin është ndaluar dhe po intervistohet Albatrit Osmanaj, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në përleshje.
Autoritetet po e trajtojnë atë si person të dyshuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rolin e tij në ngjarje. Personi i përmendur konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sipas informacioneve të para, konflikti mes familjarëve dyshohet se ka eskaluar deri në përdorimin e mjeteve të mprehta. Motivi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, ndërsa Sinjali ka raportuar se dyshimet e para lidhen me vendosjen e emrit të një rruge.
Rastin e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili tha për Klankosova.tv se hetimet janë ende në fazën fillestare.
“Ajo që mund të konfirmoj në këtë fazë është se një person ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spital. Bazuar në dyshimet fillestare, viktima dyshohet se ka pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë”, deklaroi Kryeziu.
Ai shtoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, ekspertët e forenzikës, prokurori i shtetit dhe ekipet e tjera relevante, të cilat po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore.
“Duke qenë se rasti ndodhet në fazën fillestare të hetimeve, në këtë moment nuk mund të japim informacione të tjera lidhur me rrethanat e ngjarjes”, shtoi Kryeziu.
Ndërkohë, për gjendjen e viktimës dhe të babait të tij është deklaruar edhe mjeku kujdestar në Emergjencën e Prizrenit, Kujtim Kryeziu. Ai tha për Klan Kosovën se 27-vjeçari kishte arritur në emergjencë me plagë fatale në pjesën e gjoksit dhe se reanimimi i tij ka qenë i pamundur.
“Pacienti i ndjerë kishte lëndim fatal në regjionin e gjoksit. Me gjasë ishte prekur zemra dhe reanimimi i mëtejmë ka qenë i pamundur. Më pas është konstatuar vdekja e pacientit”, deklaroi Kryeziu.
Sa i përket babait të viktimës, rreth 57 vjeç, mjeku tha se edhe ai kishte pësuar lëndim në pjesën e gjoksit, por se zemra nuk ishte prekur. Sipas tij, pas intervenimit nga kirurgu, gjendja e tij aktualisht është stabile.
“Pacienti tjetër, rreth moshës 57-vjeçare, ka qenë po ashtu me lëndim në regjionin e gjoksit, në anën e majtë, por nuk është prekur zemra. Është pranuar për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë dhe gjendja e tij për momentin është stabile, pas intervenimit të kirurgut”, shtoi ai.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion. Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të përleshjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë. /Vrojtuesi


