spot_imgspot_img

Ja kur pitet të dalin 100 eurot për sektorin privat

Punëtorët e sektorit privat që kanë aplikuar për shtesën prej 100 eurosh mund të fillojnë t’i marrin mjetet shumë shpejt.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se, sipas informacioneve jozyrtare të sindikatës, ekzekutimi i pagesave pritet të nisë nesër, ose më së largu të hënën.

Deklarata e tij vjen pas disa ditësh pasigurie për punëtorët që kanë aplikuar për këtë mbështetje, por nuk kanë marrë ende asnjë njoftim zyrtar se kur do t’u dalin paratë në llogari.

Në një lidhje direkte për emisionin “Gazeta” në Kanal10, Azemi tha se procesi kishte mbetur pezull dhe se mungesa e informacionit kishte krijuar shqetësim te punëtorët e sektorit privat, përcjell Vrojtuesi.

Duke folur për vonesën, ai tha se sindikata ishte detyruar të reagojë publikisht, pasi kërkesat nga punëtorët ishin shtuar.

“Veprimet për këto shtesa ranë në një farë gjumi dhe ne e pamë që diçka nuk po funksiononte. Është normale që pas kërkesave të punëtorëve, na u desh të intervenojmë dhe të kërkojmë publikisht nga kryeministri dhe ministri i Financave që t’i ngrisin këto çështje”, deklaroi Azemi.

Sipas tij, edhe pse bëhet fjalë për një shumë jo të madhe, pagesa prej 100 eurosh është premtuar publikisht dhe punëtorët kanë të drejtë të dinë se kur do të realizohet.

“Është një shumë e vogël, e premtuar, dhe punëtorët dëshirojnë ta dinë se kur do të ndodhë kjo”, tha ai.

Më pas, Azemi dha edhe afatin që, sipas informacioneve jozyrtare të sindikatës, pritet të jetë vendimtar për ekzekutimin e pagesave.

“Sipas informacioneve tona jozyrtare, kjo ndarje e mjeteve do të fillojë nesër, eventualisht më së largu të hënën”, u shpreh Azemi.

Deklarata e Azemit vjen vetëm një ditë pasi ai kishte ngritur dyshime se shtesat prej 100 eurosh për sektorin privat mund edhe të mos ekzekutoheshin fare.

Ai kishte kërkuar sqarime publike nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se pas zgjedhjeve të 7 qershorit kishte munguar komunikimi institucional për këtë çështje.

Sipas Azemit, para zgjedhjeve institucionet kishin dhënë informacione të vazhdueshme për procedurat, ndërsa pas mbylljes së afatit për aplikim dhe përfundimit të votimit, punëtorët kishin mbetur pa një datë të qartë.

Shtesa prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat është pjesë e pakos “Inflacioni 2.0”, të miratuar nga Qeveria në detyrë më 22 maj. Kjo pako parasheh pagesa të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistët, fëmijët, studentët aktivë dhe punëtorët e sektorit jo-publik.

Pagesat për pensionistët dhe fëmijët janë ekzekutuar më herët, ndërsa për studentët dhe punëtorët e sektorit privat ishte hapur procedurë aplikimi. Për punëtorët e sektorit privat, aplikimi është bërë përmes platformës së Administratës Tatimore të Kosovës.

Sipas njoftimeve të mëhershme, të drejtë aplikimi kanë pasur punëtorët e sektorit privat dhe të entiteteve jo-publike, me të ardhura mujore deri në 1 mijë euro bruto. Aplikimi është dashur të bëhet individualisht, ndërsa llogaria bankare është dashur të jetë në emër të përfituesit.

Afati për aplikim ishte deri më 5 qershor. Megjithatë, deri pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk kishte një njoftim të qartë se kur do të ekzekutoheshin mjetet për punëtorët e sektorit privat.

Pakoja “Inflacioni 2.0” është kritikuar nga partitë opozitare dhe disa njohës të ekonomisë për kohën kur u miratua, pasi vendimi u mor vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit. Qeveria në detyrë e kishte paraqitur masën si mbështetje për qytetarët përballë rritjes së çmimeve, ndërsa kritikët e kishin lidhur
atë me fushatën zgjedhore.

Pavarësisht debatit politik, për punëtorët që kanë aplikuar çështja kryesore mbetet ekzekutimi i pagesës. Nëse informacionet jozyrtare të sindikatës dalin të sakta, mjetet mund të nisin të shpërndahen brenda ditëve të ardhshme. /Vrojtuesi

Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here