spot_imgspot_img

Azemi: Shtesat prej 100 eurosh për sektorin privat mund të mos ekzekutohen fare

Punëtorët e sektorit privat kanë aplikuar, afati është mbyllur, por paratë ende nuk kanë dalë në llogari. Në mungesë të një date zyrtare, sindikata thotë se po merr çdo ditë pyetje nga punëtorët që presin shtesën prej 100 eurosh.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka ngritur dyshime se shtesat prej 100 eurosh të premtuara për punëtorët e sektorit privat mund të mos ekzekutohen fare. Ai ka kërkuar sqarime publike nga Ministria e Financave dhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për vonesën e pagesave që ishin pjesë e pakos “Inflacioni 2.0”.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi tha se pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për afatin kur punëtorët e sektorit privat mund t’i marrin mjetet, përcjell Vrojtuesi.

Sipas tij, para zgjedhjeve institucionet kishin dhënë vazhdimisht informacione për procedurat, ndërsa tani mungesa e komunikimit po krijon pasiguri te punëtorët.

“Punëtorët e sektorit privat gjithmonë dëmtohen kur janë në pyetje ndarjet financiare. Kjo shumë prej 100 eurosh është simbolike, por megjithatë është premtuar. Para zgjedhjeve, kryeministri, ministri i Financave dhe ministrat e tjerë tregonin hap pas hapi se ku kishin arritur procedurat. Tani zgjedhjet kanë përfunduar dhe nuk ka asnjë deklarim nga Qeveria”, tha Azemi.

Ai shtoi se sindikata po pranon çdo ditë pyetje nga punëtorët, por nuk ka asnjë informacion të saktë për datën e ekzekutimit të pagesave.

Azemi tha se pagesat për pensionistët dhe fëmijët tashmë janë realizuar, ndërsa punëtorët e sektorit privat dhe studentët ende nuk i kanë marrë shtesat e premtuara. Sipas tij, kjo vonesë e bën të paqartë nëse mjetet do të ndahen fare.

“Nuk jam i sigurt, por ekziston mundësia që këto mjete të mos ndahen fare. Ne e kemi thënë edhe para zgjedhjeve se qëllimi i këtyre pagesave dukej më shumë si përpjekje për të fituar vota sesa për të zbutur gjendjen sociale. Tani që zgjedhjet kanë kaluar, po shohim se kjo çështje nuk po trajtohet me urgjencën që kishte më herët”, u shpreh ai.

Qeveria në detyrë e Kosovës e kishte miratuar më 22 maj pakon “Inflacioni 2.0”, 16 ditë para zgjedhjeve parlamentare. Pakoja parashihte pagesa të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistët, fëmijët, studentët aktivë dhe punëtorët e sektorit privat me të ardhura mujore deri në 1 mijë euro.

Në të njëjtën pako ishte përfshirë edhe rritja e shtesave për lehonat në 500 euro në muaj. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, atëherë kishte thënë se masa synonte të lehtësonte barrën e familjeve përballë rritjes së çmimeve.

Pagesat prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët u ekzekutuan më 26 maj. Po atë ditë u hap edhe aplikimi për studentët përmes platformës e-Kosova, ndërsa më 28 maj ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, njoftoi hapjen e aplikimit për punëtorët e sektorit jo-publik përmes platformës së Administratës Tatimore të Kosovës.

Afati për aplikim për studentët dhe punëtorët e sektorit privat ishte deri më 5 qershor. Megjithatë, deri më 10 qershor, sipas Azemit, nuk ka pasur njoftim të qartë se kur do të bëhet ekzekutimi i pagesave për këto kategori.

Azemi tha se edhe informacionet jozyrtare që ka marrë sindikata nuk japin siguri se procesi është duke ecur siç duhet.

“Nga informacionet jozyrtare që kemi, duket se disa persona përgjegjës po merren me këtë çështje, por fakti që askush nuk po del publikisht të tregojë nëse do të ketë vonesë apo jo, na bën të dyshojmë se diçka nuk është në rregull. Edhe mundësia që të mos ndahen fare këto mjete nuk mund të përjashtohet”, tha ai.

Kryetari i sindikatës e lidhi vonesën edhe me periudhën zgjedhore. Sipas tij, para zgjedhjeve procedurat po zhvilloheshin me ritëm më të shpejtë, ndërsa pas votimit nuk ka më të njëjtin intensitet institucional.

Ai tha se nuk pret përgjigje personale nga Qeveria, por kërkoi që institucionet t’u japin llogari punëtorëve që kanë aplikuar dhe presin pagesën.

Azemi kritikoi edhe dallimin mes përfitimeve që, sipas tij, kanë marrë zyrtarët publikë dhe mbështetjes së premtuar për sektorin privat. Ai tha se punëtorët privatë vazhdojnë të trajtohen më keq në ndarjet financiare, edhe pse mbajnë një pjesë të madhe të ekonomisë së vendit.

Pakoja “Inflacioni 2.0” ishte kritikuar nga opozita dhe disa njohës të ekonomisë për kohën kur u miratua. Kritikët e kishin cilësuar vendimin si masë me efekt elektoral, ndërsa Qeveria në detyrë e kishte paraqitur si mbështetje për qytetarët në kushtet e rritjes së çmimeve.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit u mbajtën pas një periudhe të gjatë bllokade institucionale dhe ishin procesi i tretë zgjedhor në më pak se 18 muaj.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje doli e para me rreth 43 për qind të votave, por pa arritur shumicën për të qeverisur e vetme. PDK-ja u rendit e dyta me rreth 21 për qind, ndërsa LDK-ja e treta me rreth 18 për qind. Pjesëmarrja në zgjedhje ra nën 37 për qind, çka u pa si shenjë e lodhjes së qytetarëve nga proceset e shpeshta zgjedhore dhe bllokadat politike.

Pakoja “Inflacioni 2.0” ishte bërë pjesë e debatit politik që para ditës së votimit. Opozita e kishte kritikuar kohën e miratimit të saj, duke e lidhur ndarjen e mjeteve me fushatën zgjedhore.

LDK-ja e kishte cilësuar pakon si përpjekje për blerje votash, ndërsa edhe përfaqësues të PDK-së kishin ngritur akuza për përdorim të parasë publike në prag të zgjedhjeve. Edhe Demokracia në Veprim kishte vlerësuar se ndarja e pagesave nga Qeveria në detyrë përbënte shkelje ligjore, ndërsa në debat publik u ngrit edhe çështja e “garës së pabarabartë” mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë.

Kritika pati edhe nga njohës të ekonomisë. Disa ekonomistë paralajmëruan se pagesat e njëhershme mund të kenë efekt vetëm afatshkurtër dhe nuk e zgjidhin problemin e pagave të ulëta, inflacionit dhe varësisë nga importi. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehu shqetësim se fokusi duhet të zhvendoset nga ndihmat e përkohshme drejt investimeve në sektorin privat, infrastrukturë, energji, digjitalizim, arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore.

Pas zgjedhjeve, kritikat morën një dimension tjetër. PDK-ja deklaroi se gara kishte qenë e pabarabartë, duke përmendur ndihmat financiare, premtimet për punësim dhe përdorimin e resurseve shtetërore si faktorë që, sipas saj, kishin ndikuar në procesin zgjedhor.

Në anën tjetër, monitoruesit e zgjedhjeve raportuan se procesi i votimit në ditën e zgjedhjeve kishte kaluar kryesisht i qetë, pa incidente të mëdha që do ta cenonin mbarëvajtjen e votimit, ndonëse u evidentuan vonesa në disa vendvotime, probleme me kamera dhe mungesë e grave komisionere në një pjesë të vendvotimeve.

Tash, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe mbylljes së afatit për aplikim, çështja kryesore mbetet ekzekutimi i pagesave për kategoritë që ende nuk i kanë marrë mjetet. Për punëtorët e sektorit privat, vonesa nuk po shihet vetëm si çështje teknike, por si test për seriozitetin e një premtimi të dhënë në mes të fushatës zgjedhore. /Vrojtuesi

Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here