spot_imgspot_img

Trump thotë se anijet me naftë kanë nisur të lëvizin nga Hormuzi

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se anijet e ngarkuara me naftë kanë nisur të lëvizin nga Ngushtica e Hormuzit, pas arritjes së një marrëveshjeje paraprake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për ndaljen e luftës dhe rihapjen e këtij korridori të rëndësishëm të energjisë. Çmimet globale të naftës ranë pas këtij zhvillimi.

Trump shkroi në Truth Social se anijet “kanë filluar të lëvizin”, duke shtuar se shumë prej tyre janë të ngarkuara me naftë dhe po kalojnë përgjatë asaj që ai e quajti “Autostrada Jugore” në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas presidentit amerikan, ky korridor është “plotësisht i sigurt, i mbrojtur dhe i pastër”, ndërsa ai shtoi se ekzistojnë edhe rrugë të tjera kalimi për anijet.

Marrëveshja paraprake mes SHBA-së dhe Iranit u bë publike fillimisht nga kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ndërsa më pas u konfirmua nga Trump. Sipas raportimeve ndërkombëtare, palët janë pajtuar për ndaljen e luftimeve, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe vazhdimin e negociatave për çështjet më të ndjeshme mes Washingtonit dhe Teheranit.

Reuters raportoi se bëhet fjalë për një memorandum mirëkuptimi, ndërsa nënshkrimi formal i marrëveshjes është paraparë për të premten në Zvicër. Detajet e plota nuk janë bërë publike, ndërsa çështjet që lidhen me programin bërthamor të Iranit dhe lehtësimin e mundshëm të sanksioneve pritet të trajtohen në bisedime të mëtejshme.

Pas njoftimeve për marrëveshjen, nafta Brent ra me rreth 5 për qind, në afër 83 dollarë për fuçi. Rënie shënoi edhe nafta amerikane WTI, pas pritjeve se rihapja e Hormuzit mund ta ulë rrezikun për furnizimin global me energji.

Megjithatë, qarkullimi i anijeve nuk është rikthyer ende në ritmin normal. Reuters raportoi se të dhënat e gjurmimit të anijeve gjatë së hënës nuk tregonin kalime të mëdha tankerësh nëpër Hormuz, përveç një anijeje me gaz të lëngshëm.

Në të dy anët e ngushticës vazhdojnë të qëndrojnë ende dhjetëra tankerë. Sipas të njëjtit raportim, kompanitë e transportit detar dhe ato të sigurimeve po presin garanci më të qarta për sigurinë e kalimit, për pastrimin e mundshëm të minave detare dhe për mënyrën se si do të mbrohen anijet në ditët në vijim.
Në Kosovë, rënia e çmimeve në tregjet botërore nuk është reflektuar ende në çmimet ditore të derivateve. Për ditën e sotme, çmimi maksimal i lejuar për naftën është caktuar në 1.50 euro për litër.

Sipas çmimeve të publikuara për tregun vendor, benzina ka çmim maksimal prej 1.39 euro për litër, ndërsa gazi 0.67 euro për litër. /Vrojtuesi

Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here