Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shfrytëzoi podiumin e Forumit Ekonomik Botëror këtë të mërkurë për të rihapur një nga temat më të nxehta të politikës së tij të jashtme, që është blerja e Grenlandës. Në një fjalim që la pa fjalë liderët evropianë, ai e lidhi drejtpërdrejt ekzistencën e NATO-s me dorëzimin e kontrollit të ishullit strategjik nga ana e Danimarkës, shkruan Vrojtuesi.
Ky zhvillim i ditës së sotme ka shënuar një kthesë të fortë në marrëdhëniet transatlantike. Për herë të parë, mbrojtja kolektive e garantuar nga Uashingtoni po kushtëzohet hapur me një zgjerim territorial në epokën moderne.
Trumpi nuk përdori doreza kur iu drejtua qytetarëve dhe udhëheqësve të ishullit më të madh në botë. Ai e bëri të qartë se përgjigjja e tyre do të ketë pasoja afatgjata për marrëdhëniet me superfuqinë botërore.
“Mund të thoni po, dhe ne do të jemi shumë mirënjohës, ose mund të thoni jo dhe ne s’ua harrojmë kurrë”, deklaroi Trump.
Sipas presidentit amerikan, kjo kërkesë është e vogël në krahasim me atë që SHBA-ja i ka ofruar aleancës ndër vite. Ai e përshkroi Grenlandën jo si një komb, por si një pasuri strategjike që aktualisht qëndron e pambrojtur përballë Rusisë dhe Kinës.
Megjithatë, ai u kujdes të qetësonte zërat që druhen nga një ndërhyrje ushtarake. Ndonëse përmendi fuqinë e tij të “pandalshme”, ai theksoi se preferon rrugën e bisedimeve për të arritur qëllimin.
“Nuk kam pse të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë”, theksoi gjatë fjalimit të tij Donald Trump.
Për presidentin amerikan, Grenlanda është thjesht një “copë akulli” që i duhet Amerikës për të ndërtuar një kupolë mbrojtëse, të ngjashme me atë të Izraelit. Ai argumentoi se as Danimarka dhe asnjë grup tjetër kombesh nuk kanë kapacitet ta mbrojnë këtë territor.
Gjuha e përdorur ndaj Danimarkës ishte e ashpër. Trump i quajti danezët “mosmirënjohës”, duke kujtuar se SHBA-ja i shpëtoi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Danimarka ra pas gjashtë orësh luftime dhe ishte plotësisht e paaftë të mbronte as veten dhe as Grenlandën”, deklaroi me tone kritike Donald Trump.
Përveç Grenlandës, shigjetat e Trumpit u drejtuan edhe drejt udhëheqësve kryesorë të Evropës. Ai nuk kurseu as ironinë ndaj presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ishte shfaqur me syze dielli për shkak të një problemi shëndetësor në sy.
“E pashë dje me ato syze të bukura dielli. Çfarë dreqin ndodhi?”, pyeti me shaka Donald Trump.
Përtej humorit, mesazhi për Evropën ishte i zymtë. Trump tha se kontinenti evropian po shkatërrohet nga migrimi masiv dhe politikat e gabuara energjetike, duke thënë se shumë pjesë të tij “as nuk njihen më”.
Ai veçoi Gjermaninë, ku aktualisht kancelari Friedrich Merz po përpiqet të riparojë dëmet e politikave të kaluara. Trump vlerësoi përpjekjet e reja gjermane, por kritikoi ashpër projektet e energjisë së erës, të cilat i quajti “mashtrim”.
“Një gjë që kam vënë re është se sa më shumë mullinj ere ka një vend, aq më shumë para humbet”, theksoi presidenti amerikan.
Në fund të fjalimit, Trump u kthye te tema e tij e preferuar, që është siguria e NATO-s. Ai vlerësoi Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, për presionin ndaj vendeve anëtare që të paguajnë më shumë.
Megjithatë, ai la të hapur dyshimin nëse Evropa do t’ia kthente nderin Amerikës në rast sulmi. Për të, blerja e Grenlandës do të ishte garancia që kjo aleancë të mbijetojë.
“Një Amerikë e fortë dhe e sigurt do të thotë një NATO e forte”, përfundoi fjalimin presidenti Donald Trump.
Interesi i SHBA-së për Grenlandën nuk është një tekë e momentit e presidentit aktual. Që nga viti 1867, Uashingtoni ka hedhur sytë nga ky territor, ndërsa në vitin 1946, presidenti Harry Truman i ofroi Danimarkës 100 milionë dollarë për blerjen e saj, por u refuzua.
Sot, në vitin 2026, gara për burimet natyrore dhe rrugët e reja detare e ka bërë këtë interes edhe më agresiv. Me rikthimin e Trump në zyrë, ajo që dikur dukej si një ide absurde, tani është kthyer në qendër të diplomacisë globale. Hapi i radhës pritet të jetë nisja e negociatave zyrtare, ku fati i NATO-s mund të vuloset përfundimisht mbi akujt e Grenlandës.
Mbetet të shihet nëse Evropa do të pranojë këtë “pazar” të ri gjeopolitik apo nëse marrëdhëniet mes dy brigjeve të Atlantikut do të hyjnë në një epokë ngrirjeje të plotë. /Vrojtuesi


