Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025 ka riaktivizuar një nga ambiciet më të diskutueshme gjeopolitike të shekullit të fundit, duke e vendosur sigurinë globale përballë një pikëpyetjeje të madhe mbi sovranitetin dhe aleancat tradicionale.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Presidenti dhe këshilltarët e tij më të afërt po diskutojnë aktivisht opsionet për marrjen nën kontroll të Grenlandës, një lëvizje që Trump e konsideron jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Ky interesim i ri, i cili tejkalon ofertën e vitit 2019 për blerjen e ishullit, vjen në një kohë kur prania ushtarake ruse dhe kineze në Arktik është rritur ndjeshëm, duke krijuar një tension të paprecedentë mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë.

“Na duhet Grenlanda për sigurinë kombëtare, jo për mineralet”, ka deklaruar Trump, duke argumentuar se ishulli është tashmë i rrethuar nga mjete lundruese të kundërshtarëve strategjikë, çka sipas tij e bën kontrollin amerikan një domosdoshmëri ekzistenciale, citon BBC.
Përshkallëzimi i retorikës ka arritur pikën kulminante me përmendjen e mundësisë së përdorimit të forcave të armatosura, një opsion që ka tronditur kancelaritë e NATO-s.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një seance dëgjimore në Kongres në qershor, pranoi hapur se Pentagoni posedon “plane rezervë” për këtë territor.
Kjo ofensivë diplomatike pason operacionin blic ‘Absolute Resolve’ në Karakas, ku forcat elitë Delta Force kapën Nicolas Maduron dhe e transferuan atë në Nju Jork. Tashmë që ish-lideri venezuelian ndodhet pas hekurave në SHBA duke u përballur me akuzat për narko-terrorizëm, analistët e shohin këtë si një paralajmërim të qartë. së administrata Trump nuk heziton të përdorë fuqinë ushtarake për të arritur qëllimet e saj gjeopolitike, duke e kthyer Grenlandën në shënjestrën e radhës të kësaj doktrine agresive.
Këshilltari kryesor, Stephen Miller, ka përforcuar këtë qëndrim duke u shprehur se “askush nuk do të luftojë me ShBA-në për të ardhmen e Grenlandës”, një mesazh i qartë ky që synon të minimizojë rezistencën e mundshme diplomatike ose ushtarake nga ana e Danimarkës dhe aleatëve të tjerë.
Reagimi nga Danimarka dhe Grenlanda ka qenë i menjëhershëm dhe i prerë, duke e cilësuar këtë qasje si një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e Aleancës së Veri-Atlantike.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka lëshuar një paralajmërim duke thënë se çdo përpjekje për të marrë nën kontroll Grenlandën do të nënkuptonte fundin e NATO-s.
Ky qëndrim mbështetet edhe nga udhëheqësit kryesorë evropianë, përfshirë kryeministrin e Britanisë së Madhe, Sir Keir Starmer, i cili iu bashkua një deklarate të përbashkët me Francën, Gjermaninë dhe Italinë, ku theksohet se vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për fatin e tyre.
“Grenlanda u përket njerëzve të saj”, thuhet në deklaratën që kundërshton hapur emërimin e Jeff Landry si i dërguar i posaçëm për Grenlandën, i cili njihet për qëndrimet e tij pro-aneksimit.
Në terren, popullsia prej 56 mijë banorësh e ishullit më të madh në botë po vijon të refuzojë me forcë idenë e shndërrimit në një “mall” tregtar apo strategjik.
Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, i ka cilësuar planet e Trumpit si një “fantazi” dhe ka bërë thirrje për ndalimin e presioneve të vazhdueshme.
“Mjaft më me nënkuptime. Mjaft më me fantazi për aneksim”, deklaroi Nielsen në fillim të vitit 2026, duke kërkuar respektim të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithëse matjet e opinionit publik tregojnë se shumica e vendasve synojnë pavarësinë nga Danimarka, ideja e kalimit nën sovranitetin e Uashingtonit shihet si një rrezik i madh për identitetin e tyre, siç u shpreh edhe ish-kryeministrja Aleqa Hammond, duke theksuar se Trump po i trajton ata si një objekt që mund të blihet.
Megjithatë, interesi i SHBA-së për këtë territor nuk është një fenomen i ri, por një vazhdimësi e një strategjie që daton që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pas pushtimit të Danimarkës nga Gjermania naziste, forcat amerikane vendosën baza kyçe në këtë ishull, përfshirë Bazën Hapësinore Pituffik, e cila vazhdon të mbetet aktive edhe sot.
Ndonëse Grenlanda gëzon vetëqeverisje që nga viti 1979, Danimarka mban kontrollin mbi politikën e jashtme dhe mbrojtjen, një marrëveshje kjo që Trump po tenton ta sfidojë përmes presionit ekonomik dhe diplomatik.
Vizita e Nënpresidentit JD Vance në mars 2025, ku ai akuzoi Danimarkën për mungesë investimesh në mbrojtje, ishte sinjali i parë i qartë se Uashingtoni nuk do të mjaftohet më me status-kuonë, ndërsa shkrirja e akujve po hap rrugë të reja për mineralet e rralla dhe kontrollin e rrugëve detare polare. /Vrojtuesi


