Pas tri palë zgjedhjesh parlamentare brenda më pak se një viti e gjysmë, Kosova përballet sërish me të njëjtën provë: a do të arrijnë partitë ta shndërrojnë rezultatin e votimit në institucione funksionale? Partnerët ndërkombëtarë po kërkojnë që epërsia e fituesit të pasohet nga kompromisi politik dhe jo nga një periudhë tjetër bllokade, shkruan Vrojtuesi.
Bashkimi Evropian dhe ambasadat e Gjermanisë e Italisë në Prishtinë u kanë kërkuar forcave politike të Kosovës që, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, të arrijnë pa vonesa një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja. Thirrjet erdhën pasi Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli e para, por pa siguruar shumicën e votave.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42,91 për qind të votave. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 21,08 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17,60 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7,17 për qind dhe Lista Serbe me 6,17 për qind.
Votat me kusht dhe ato të diasporës nuk janë numëruar ende, por rezultatet e deritanishme e vendosin Vetëvendosjen në pozitën kryesore për të nisur negociatat për krijimin e qeverisë së re.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, tha se procesi zgjedhor krijon mundësinë që Kosova t’i japë fund periudhës së gjatë të bllokadave politike. Ajo kërkoi angazhim konstruktiv nga udhëheqësit e partive.
“Zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë hapin rrugën për të kthyer faqen pas më shumë se një viti ngërçi politik. Liderët politikë tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin e shpejtë të qeverisë”, shkroi Kallas në platformën X, transmeton Vrojtuesi.
Kallas theksoi se përparimi i Kosovës në rrugën evropiane lidhet edhe me vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas saj, zbatimi i marrëveshjeve të arritura mbetet i rëndësishëm për avancimin e të dyja palëve drejt Bashkimit Evropian.
Kosovo’s democratic and inclusive election opens the door to turn the page after more than a year of political deadlock.
Political leaders now need to engage constructively to ensure the swift formation of government.
Progress in the Belgrade-Pristina Dialogue and the…
— Kaja Kallas (@kajakallas) June 8, 2026
Edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e uroi Kurtin për rezultatin zgjedhor, por theksoi se stabiliteti institucional kërkon bashkëpunim dhe kompromis ndërmjet forcave politike.
“Që Kosova të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike duhet tani të bashkohen dhe të gjejnë kompromis për të ndërtuar stabilitet institucional”, shkroi Kos në platformën X.
Ajo paralajmëroi gjithashtu një vizitë në Kosovë, me qëllim intensifikimin e punës për integrimin evropian dhe vazhdimin e mbështetjes financiare përmes Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.
Congratulations @albinkurti on winning the elections in Kosovo, and importantly on the calm, inclusive and orderly voting process.
For Kosovo to progress on its EU path, political forces must now come together and find compromises to build institutional stability.
I look…
— Marta Kos (@MartaKosEU) June 8, 2026
Kërkesë të ngjashme paraqitën edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Italisë në Prishtinë. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Ambasada gjermane tha se Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme dhe plotësisht të mandatuara, pa vonesa të tjera.
Duke argumentuar se partnerët ndërkombëtarë kanë nevojë për institucione funksionale me të cilat mund të bashkëpunojnë, Ambasada gjermane kërkoi që dallimet politike të mos pengojnë procesin.
“Na duhet një partner i fortë me të cilin mund të punojmë. Progresi në rrugën drejt integrimit në BE varet nga të gjithë aktorët politikë që t’i lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të punojnë së bashku në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në deklaratë.
Ambasada e Italisë shprehu shpresën se negociatat paszgjedhore do të përfundojnë me formimin e shpejtë të institucioneve dhe me krijimin e stabilitetit të nevojshëm për vazhdimin e reformave.
“Ne i inkurajojmë të gjithë udhëheqësit politikë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë së bashku për të mirën e vendit dhe të ardhmen e tij”, thuhet në deklaratën e Ambasadës italiane për Radion Evropa e Lirë.
Pas shpalljes së rezultateve, Kurti la të hapur mundësinë për bisedime me partitë e tjera. Ai paralajmëroi se gjatë javëve në vazhdim Vetëvendosja do të komunikojë dhe do të takohet me subjektet e tjera politike.
“Në javët e ardhshme do të komunikojmë, do të takohemi dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike”, tha Kurti para mbështetësve të tij, mbrëmjen e 7 qershorit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi një ditë pas zgjedhjeve se marrëveshja për institucionet duhet të arrihet sa më shpejt. I pyetur për një bashkëpunim të mundshëm me Vetëvendosjen, ai tha se nuk përjashton asnjë subjekt politik dhe se nuk ka “vija të kuqe”.
LDK-ja, ndërkaq, e ka lidhur nisjen e bisedimeve me çështjen e presidentit. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, tha se kandidatura e Vjosa Osmanit do të jetë pikënisje e çdo diskutimi. Osmani deklaroi më vonë se emri i saj nuk duhet të shndërrohet në pengesë për krijimin e institucioneve.
Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pasi Kuvendi dështoi ta zgjidhte presidentin e ri, duke çuar në shpërndarjen e institucionit ligjvënës. Ato ishin zgjedhjet e treta parlamentare brenda më pak se një viti e gjysmë, pas procesit të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Pas kësaj serie procesesh zgjedhore, presioni ndërkombëtar është përqendruar te shmangia e një bllokade tjetër. Rezultati i 7 qershorit ia ka dhënë Vetëvendosjes epërsinë politike, por formimi i qeverisë dhe zgjidhja e çështjes së presidentit do të varen nga marrëveshjet që partitë arrijnë gjatë negociatave paszgjedhore. /Vrojtuesi


