Pas tri palë zgjedhjesh brenda më pak se një viti e gjysmë, Kosova është sërish para të njëjtës provë, a mund të kthehet rezultati i kutive të votimit në institucione funksionale, apo vendi do të hyjë edhe një herë në ciklin e bllokadave politike?
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit në Kosovë, por rezultati i deritanishëm nuk ia mundëson qeverisjen e vetme.
Edhe nëse votat e diasporës ia rrisin numrin e mandateve, partia e Albin Kurtit pritet të mbetet nën shumicën prej 61 deputetësh, që është e nevojshme për të formuar qeveri pa partnerë të koalicionit, shkruan Vrojtuesi.
Sipas rezultateve preliminare, pas përpunimit të 2,498 vendvotimeve, LVV ka marrë rreth 42.91 për qind të votave, PDK rreth 21.12 për qind, LDK rreth 17.58 për qind, AAK rreth 7.16 për qind, ndërsa Lista Serbe mbi 6 për qind. Pjesëmarrja ka qenë rreth 37 për qind. Ende mbeten për t’u përfshirë në pasqyrën përfundimtare votat e diasporës, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Kjo do të thotë se rezultati ka prodhuar fitues, por jo zgjidhje për stabilitet institucional. Në Kuvendin me 120 deputetë, qeveria kërkon së paku 61 vota.
Ndërsa për presidentin duhen 80 vota në dy raundet e para, ose së paku 61 vota në raundin e tretë, por me kuorum prej 80 deputetësh në sallë.
Nëse projeksionet që e çojnë LVV-në rreth 51 mandateve pas numërimit të votave të diasporës, me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, Kurti do të jetë më afër formimit të qeverisë, por jo mjaftueshëm për ta mbyllur i vetëm gjithë ciklin institucional. Problemi kryesor nuk është vetëm qeveria, por edhe presidenti, sepse pikërisht dështimi për zgjedhjen e presidentit e çoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Skenari i parë është koalicioni i LVV-së me një parti shqiptare opozitare. Ky do të ishte skenari më stabil në numra, sidomos nëse marrëveshja përfshin edhe postin e presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe qeverinë si pako politike.
Me PDK-në, LVV do t’i afrohej shumicës së gjerë, sidomos nëse përfshihen edhe deputetët e komuniteteve joserbe. Ky kombinim do t’i jepte Kurtit hapësirë më të sigurt për qeverinë dhe për procesin e zgjedhjes së presidentit. Por pengesë mbetet raporti i ashpër politik mes dy partive ndër vite.
Me LDK-në, formula do të lidhej natyrshëm me çështjen e Vjosa Osmanit, e cila në këto zgjedhje ka qenë kandidate e LDK-së për presidente. Ky skenar mund të ketë logjikë institucionale, por politikisht mbetet më i ndërlikuar për shkak të raporteve të fundit mes LVV-së dhe Osmanit.
Me AAK-në, LVV mund të siguronte qeverinë më lehtë nëse bashkohen edhe deputetët e komuniteteve joserbe, por presidenti do të mbetej problem. Nëse Ramush Haradinaj do të ishte pjesë e një marrëveshjeje për president, atij do t’i duheshin edhe vota nga PDK-ja ose nga një pjesë më e gjerë e opozitës.
Skenari i dytë është qeveria e LVV-së me komunitetet joserbe dhe një marrëveshje e veçantë për presidentin. Në këtë rast, nëse LVV arrin rreth 51 mandate dhe merr mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joserbe, përfshirë edhe partinë e Nenad Rashiqit, mund të arrijë shumicën minimale për formimin e qeverisë.
Ky është skenar teknikisht i mundshëm, por politikisht i brishtë. Një qeveri me 61 ose 62 vota do të varej nga secili deputet. Edhe mungesa e një vote në seancë mund ta vështirësonte kalimin e vendimeve të rëndësishme.
Për më tepër, një shumicë e tillë nuk e zgjidh automatikisht çështjen e presidentit. Për këtë arsye, LVV do të duhej të kërkonte marrëveshje me partitë opozitare për një kandidat konsensual, jo të lidhur me ndonjë parti politike.
Skenari i tretë është formimi i qeverisë nga LVV-ja, por pa marrëveshje për presidentin. Ky do të ishte skenari qw do ta vazhdonte ciklin e ngërçit politik në vend, sepse do ta kthente Kosovën në të njëjtën pikë ku ishte para zgjedhjeve.
Nëse Kurti arrin ta formojë qeverinë me një shumicë minimale, por nuk arrin marrëveshje për presidentin, vendi mund të hyjë sërish në krizë institucionale.
Ky skenar mund t’i shërbejë LVV-së për të marrë qeverinë, por jo për ta stabilizuar institucionet. Për qytetarët, kjo do të nënkuptonte edhe një periudhë tjetër me institucione të pasigurta, negociata të zgjatura, djegie të afateve dhe rrezik për zgjedhje të reja.
Skenari i katërt është qeveria e opozitës me komunitetet joshumicë, përfshirë Listën Serbe. Në letër, PDK, LDK dhe AAK, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, mund të tentojnë një shumicë alternative. Por ky skenar ka dy pengesa të mëdha.
E para është politike. Përfshirja e Listës Serbe në një shumicë qeverisëse do të krijonte debat të madh publik dhe kosto politike për partitë shqiptare. E dyta është institucionale. Edhe nëse një qeveri e tillë formohet, ajo nuk do t’i kishte vetë numrat e nevojshëm për ta zgjedhur presidentin pa një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Prandaj, edhe ky skenar nuk e mbyll krizën. Ai mund ta largojë LVV-në nga qeveria, por nuk garanton shmangie të zgjedhjeve të reja.
Në këtë fazë, partitë po presin numërimin e plotë dhe certifikimin e rezultateve. KQZ ka paralajmëruar se rezultatet përfundimtare pritet të shpallen deri më 26 qershor, ndërsa certifikimi është planifikuar deri më 6 korrik.
Pas kësaj date, kalkulimet politike do të bëhen më konkrete. Drejtimi tashmë është i qartë, LVV ka dalë e para në zgjedhje, por nuk mund ta qeverisë vendin e vetme. Nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje për qeverinë dhe presidentin si pjesë e një pakoje të përbashkët, Kosova rrezikon të hyjë edhe një herë në ciklin e bllokadave që e sollën deri te zgjedhjet e 7 qershorit. /Vrojtuesi


