spot_imgspot_img

Të hënën pritet të dalin 100 eurot për punëtorët e sektorit privat

Punëtorët e sektorit privat që kanë aplikuar për shtesën prej 100 eurosh do t’i marrin paratë në fillim të javës së ardhshme. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se komisioni për këtë masë është drejt përfundimit, ndërsa ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet të hënën.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se komisionet vlerësuese kanë nisur shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura nga Pakoja për Përballje me Inflacion 2.0, raporton Vrojtuesi

Këto masa përfshijnë mbështetjen prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat dhe mbështetjen për studentët aktivë që kanë aplikuar brenda afatit.

Sipas Muratit, puna për listat e punëtorëve të sektorit privat është në fazën përfundimtare. Ai tha se pagesat për këtë kategori pritet të ekzekutohen në fillim të javës që vjen, përkatësisht të hënën, më 15 qershor.

Duke dhënë detaje për procesin, Murati tha se komisionet kanë nisur punën që në fillim të kësaj jave.

“Që në fillim të kësaj jave, komisionet vlerësuese kanë filluar punën për shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura nga Pakoja për Përballje me Inflacion 2.0, konkretisht mbështetjen për punëtorët e sektorit privat, dhe studentët”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai shtoi se për punëtorët e sektorit privat procesi tashmë është afër përmbylljes.

“Puna e komisionit për masën e sektorit privat është drejt përfundimit, dhe ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet në fillim të javës që vjen, pra të hënën”, u shpreh Murati.

Për studentët, ndërkaq, procesi nuk është ende në të njëjtën fazë. Murati tha se komisioni për këtë masë do ta përfundojë punën sapo të marrë konfirmimet nga institucionet e arsimit të lartë për studentët që kanë aplikuar.

“Kurse komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar. Edhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim”, ka shkruar ai.

Njoftimi i Muratit vjen pas disa ditësh pasigurie për punëtorët e sektorit privat, të cilët kishin aplikuar për këtë mbështetje, por nuk kishin marrë një datë zyrtare për ekzekutimin e pagesave.

Dy ditë më parë, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, kishte thënë se mungesa e informacionit kishte krijuar shqetësim te punëtorët. Ai kishte kërkuar sqarime publike nga Qeveria në detyrë dhe nga Ministria e Financave.

Duke folur për vonesën, Azemi kishte deklaruar se sindikata ishte detyruar të reagojë, pasi kërkesat nga punëtorët ishin shtuar.

“Veprimet për këto shtesa ranë në një farë gjumi dhe ne e pamë që diçka nuk po funksiononte. Është normale që pas kërkesave të punëtorëve, na u desh të intervenojmë dhe të kërkojmë publikisht nga kryeministri dhe ministri i Financave që t’i ngrisin këto çështje”, kishte deklaruar Azemi.

Ai kishte thënë se, edhe pse bëhet fjalë për një shumë simbolike, punëtorët kanë të drejtë të dinë se kur do ta marrin pagesën e premtuar.

“Është një shumë e vogël, e premtuar, dhe punëtorët dëshirojnë ta dinë se kur do të ndodhë kjo”, ishte shprehur ai.

Shtesa prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat është pjesë e Pakos për Përballje me Inflacion 2.0, të miratuar nga Qeveria në detyrë më 22 maj. Pakoja parasheh pagesa të njëhershme për disa kategori, përfshirë pensionistët, fëmijët, studentët aktivë dhe punëtorët e sektorit privat.

Pagesat për pensionistët dhe fëmijët janë ekzekutuar më herët, ndërsa për punëtorët e sektorit privat dhe studentët ishte hapur procedurë aplikimi. Punëtorët e sektorit privat kanë aplikuar përmes platformës së Administratës Tatimore të Kosovës, ndërsa studentët përmes platformës e-Kosova.

Sipas njoftimeve të mëhershme, të drejtë aplikimi për masën e sektorit privat kanë pasur punëtorët e sektorit privat dhe të entiteteve jo-publike me të ardhura mujore deri në 1 mijë euro bruto. Aplikimi është dashur të bëhet individualisht, ndërsa llogaria bankare është dashur të jetë në emër të përfituesit.

Afati për aplikim për studentët dhe punëtorët e sektorit privat ishte deri më 5 qershor. Pas përfundimit të këtij afati dhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, çështja e ekzekutimit të pagesave kishte mbetur pa një datë të qartë publike.

Pakoja “Inflacioni 2.0” është shoqëruar edhe me debat politik, për shkak të kohës kur u miratua. Qeveria në detyrë e kishte paraqitur atë si masë për t’i ndihmuar qytetarët përballë rritjes së çmimeve, ndërsa opozita dhe disa njohës të ekonomisë e kishin kritikuar si vendim të marrë në prag të zgjedhjeve. /Vrojtuesi

Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here