Një grua rreth 69-vjeçare ka vdekur nga lëndimet e marra në aksidentin e rëndë që ndodhi sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, në kilometrin e 52-të të segmentit Prishtinë-Malishevë. Në gjendje të rëndë shëndetësore vazhdon të jetë burri i saj, i cili po trajtohet në Qendrën Emergjente.
Sipas raportimeve nga Qendra Emergjente, gruaja kishte pësuar politrauma të rënda dhe nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve. Burri i saj ndodhet në sallën e operacionit, ku ekipet mjekësore po vazhdojnë intervenimin.
Aksidenti ndodhi pasi vetura me të cilën udhëtonin dy bashkëshortët dyshohet se u përplas në anën e djathtë të mbrojtëseve të rrugës. Në vendin e ngjarjes dolën Policia, ekipet emergjente dhe zjarrfikësit.
Komandanti i njësisë së autostradës në Policinë e Kosovës, Ismajl Fejzullahu, kishte deklaruar më herët për Klankosova.tv se burri kishte arritur të dilte vetë nga vetura, ndërsa për nxjerrjen e gruas ishte dashur ndërhyrja e zjarrfikësve.
“Burri ka arritur të dalë nga vetura, derisa për gruan është dashur intervenimi i zjarrfikësve. Sipas informacioneve të deritanishme, ata janë me shenja jete, me vetëdije. Janë dërguar për Prishtinë për të marrë trajtim mjekësor. Gruaja ka lëndime pak më serioze”, kishte deklaruar Fejzullahu para se të konfirmohej vdekja e saj.
Për shkak të aksidentit, një shirit i autostradës ishte bllokuar përkohësisht, ndërsa ekipet në terren kanë punuar për menaxhimin e trafikut dhe largimin e automjetit nga rruga.
Policia pritet të sqarojë rrethanat e plota të aksidentit, përfshirë shkakun që çoi në përplasjen e veturës me mbrojtëset anësore të autostradës. /Vrojtuesi


