Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë mjaftuar vetëm me kapjen spektakolare të diktatorit Nicolas Maduro, por kanë shpallur zyrtarisht marrjen nën administrim të Venezuelës deri në stabilizimin e plotë të saj, transmeton Vrojtuesi.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media që ka mbërthyer vëmendjen globale, Presidenti Donald Trump ka konfirmuar se Uashingtoni do të mbikëqyrë drejtpërdrejt tranzicionin e pushtetit dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit latin, ndërsa ka dhënë detajet e para mbi vendndodhjen e ish-liderit të arrestuar.
Për herë të parë pas operacionit, Trump saktësoi se Nicolas Maduro nuk është transferuar ende në tokën amerikane, por po mbahet nën masa të rrepta sigurie në ujërat ndërkombëtare.
“Tani për tani, ata janë në një anije. Përfundimisht do të drejtohen për në Nju Jork dhe më pas do të merret një vendim, supozoj, midis Nju Jorkut dhe Miamit”, deklaroi Presidenti, duke shuar spekulimet për një mbërritje të menjëhershme në burgjet amerikane.
Ai nënvizoi se SHBA do të qëndrojë në Venezuelë aq sa të jetë e nevojshme për të garantuar një kalim të sigurt të pushtetit, duke mos lejuar asnjë vakuum institucional.
Përtej aspektit ushtarak, plani amerikan përfshin një ndërhyrje masive ekonomike, veçanërisht në sektorin energjetik, i cili sipas Presidentit është lënë në gjendje të mjerueshme (“të kalbur”) nga regjimi i Maduros.
Trump bëri të ditur se kompanitë më të mëdha amerikane të naftës do të zbarkojnë në Venezuelë për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar, një lëvizje që pritet të gjenerojë të ardhura miliarda dollarëshe për të paguar kostot e rimëkëmbjes.
“Ne do të bëjmë që kompanitë tona shumë të mëdha të naftës të Shteteve të Bashkuara… të shkojnë, të shpenzojnë miliarda dollarë, të rregullojnë infrastrukturën e naftës të thyer keq dhe të fillojnë të bëjnë para për vendin”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan nuk ngurroi të lëshonte mesazhe edhe për kundërshtarët gjeopolitikë dhe bandat kriminale, duke përdorur suksesin e operacionit si një dëshmi të pakontestueshme të kapaciteteve ushtarake të SHBA-së.
Ai e përshkroi ndërhyrjen si një akt kirurgjikal që shmangu dëmtimin e pajisjeve dhe humbjen e jetëve amerikane, duke e krahasuar atë me ngjarjet më të mëdha historike.
“Ishte një forcë kundër një kështjelle ushtarake të fortifikuar rëndë në zemër të Karakasit… Kjo ishte një nga shfaqjet më mahnitëse, efektive dhe të fuqishme të fuqisë dhe kompetencës ushtarake amerikane në historinë amerikane”, tha Trump.
Detajet operacionale të asaj që u cilësua si “Zgjidhja Absolute” u zbardhën nga Gjenerali Dan Caine, i cili zbuloi përmasat e angazhimit ushtarak, duke konfirmuar se qielli i Venezuelës ishte nën kontrollin e plotë të mbi 150 aeroplanëve amerikanë.
Caine shpjegoi se si forcat speciale arritën të depërtojnë në kompleksin e Maduros me një saktësi milimetrike, duke sfiduar mbrojtjen ajrore vendase.
Sipas gjeneralit Caine, Maduro dhe bashkëshortja e tij u dërguan në bordin e anijes USS UIA pas ekstraktimit.
“Një ekstraktim kaq i saktë përfshiu më shumë se 150 avionë që u lëshuan në të gjithë Hemisferën Perëndimore… për të futur një forcë ndërhyrëse në qendër të Karakasit duke ruajtur elementin e surprizës taktike”, shpjegoi Gjenerali Caine.
Lidhur me spekulimet se kush do të marrë drejtimin e Venezuelës në këtë fazë delikate, Sekretari i Shtetit Marco Rubio sqaroi se nuk do të ketë asnjë njohje për zëvendëspresidenten Delcy Rodriguez apo ndonjë figurë tjetër të emëruar nga Maduro.
Ai theksoi se çdo përpjekje për të mbajtur pushtetin nga mbetjet e regjimit është e kotë dhe se SHBA do të diktojë termat e lojës.
“Ajo pati një bisedë të gjatë me Marcon [Rubion] dhe tha: ‘Ne do të bëjmë çfarëdo që ju keni nevojë’. Mendoj se ajo ishte mjaft e sjellshme, por ajo me të vërtetë nuk ka zgjidhje”, deklaroi Trump, duke iu referuar raportimit të Rubios për situatën me Rodriguez.
Ky zhvillim vjen pas një nate dramatike ku njësitë elitare Delta Force realizuan arrestimin e Nicolas Maduros dhe gruas së tij Cilia Flores, ndërsa ata ndodheshin në rezidencën e tyre.
Operacioni, i cili u parapri nga shpërthime dhe ndërprerje të energjisë elektrike në Karakas, i dha fund sundimit të gjatë të liderit socialist.
Trump e bëri të qartë se kjo shënon fundin e kërcënimeve nga Venezuela ndaj SHBA-së dhe se fati i Maduros do të vuloset përfundimisht nga drejtësia amerikane, sapo ai të transferohet nga anija drejt tokës amerikane.
“Diktatori dhe terroristi Maduro më në fund është dëbuar nga Venezuela. Njerëzit tani janë të lirë”, përfundoi Presidenti Trump. /Vrojtuesi


