Rreth 140 fëmijë ndodheshin brenda Qendrës Islame të San Diegos në momentin kur dy të rinj të armatosur hynë në objekt dhe hapën zjarr ndaj besimtarëve. Sulmi la të vrarë tre persona, rojen e sigurisë, Amin Abdullah, dhe dy anëtarë të komunitetit, Nadir Awad e Mansour Kaziha. Sipas policisë, bilanci i viktimave mund të kishte qenë shumë më i rëndë sikur mos te ishin veprimet e tyre në kohë, të cilët u dhanë kohë besimtarëve dhe fëmijëve të futeshin në izolim.
Tre persona u vranë në një sulm me armë në Qendrën Islame të San Diegos, pasi dy të rinj të armatosur hynë në objekt dhe hapën zjarr ndaj besimtarëve. Mes viktimave ishte edhe Amin Abdullah, 51 vjeç, baba i tetë fëmijëve dhe roje sigurie në xhami, i cili sipas autoriteteve ndihmoi në shpëtimin e shumë personave që ndodheshin brenda.
Sipas raportimeve BBC-së, Abdullah dhe dy viktimat e tjera, Nadir Awad dhe Mansour Kaziha, u përpoqën të vononin dhe të shpërqendronin sulmuesit, përcjell Vrojtuesi.
Autoritetet thanë se veprimet e tyre ndihmuan që njerëzit brenda objektit, përfshirë rreth 140 fëmijë, të futeshin në procedurë izolimi.
Shefi i Policisë së San Diegos, Scott Wahl, tha se sulmuesit kishin kaluar pranë Abdullahut në hyrje të xhamisë, por ai reagoi menjëherë. Sipas policisë, ai i kishte njoftuar të pranishmit
përmes radios që të mbylleshin brenda, ndërsa më pas ishte përballur me sulmuesit dhe kishte hapur zjarr ndaj tyre.
Gjatë përballjes, Abdullah u plagos, por vazhdoi t’i mbante sulmuesit larg zonave ku ndodheshin njerëzit. Policia tha se ai arriti t’i detyronte ata të tërhiqeshin drejt parkingut të xhamisë, ku më pas u qëllua për vdekje.
“Shembulli i tij ishte heroik. Pa dyshim, ai shpëtoi jetë”, tha shefi i policisë, Scott Wahl.
Në sulm u vranë edhe Nadir Awad, 57 vjeç, dhe Mansour Kaziha, 78 vjeç, i njohur nga komuniteti si Abu Ezz. Sipas autoriteteve dhe drejtuesve të xhamisë, edhe ata u përpoqën të përballeshin me sulmuesit në parking. Kaziha arriti të telefononte policinë para se të vritej.
Wahl tha se tre viktimat nuk humbën jetën kot, pasi veprimet e tyre penguan sulmuesit të shkaktonin më shumë viktima.
“Pa shpërqendrimin e tyre, pa vonesën që u shkaktuan këtyre dy personave, pa dyshim do të kishte pasur shumë më tepër viktima”, tha Wahl.
Imami i Qendrës Islame të San Diegos, Taha Hassane, i përshkroi tre burrat si njerëz të pazëvendësueshëm për komunitetin. Ai tha se ata nuk ishin vetëm besimtarë të rregullt, por figura që e kishin bërë xhaminë të ndihej si shtëpi për shumë njerëz.
“Ne i quajmë vëllezërit tanë në komunitet. Ne i quajmë dëshmorët dhe heronjtë tanë”, tha Hassane.
Amin Abdullah kujtohet nga besimtarët si njeriu që i priste vizitorët me buzëqeshje dhe me përshëndetjen tradicionale myslimane “selam alejkum”. Miqtë e tij thanë se ai ishte pothuajse çdo ditë në xhami dhe se e merrte shumë seriozisht detyrën e tij si roje sigurie.
Vajza e tij, Hawaa Abdullah, tha në një konferencë për media se babai i saj ishte i dashur, mbështetës dhe model për familjen. Ajo tregoi se ai ndonjëherë nuk hante gjatë ndërrimit të punës, sepse kishte frikë se diçka mund të ndodhte pikërisht në momentin kur ai do të ishte në pushim.
“Ai donte ta ruante ushqimin derisa të largohej nga puna, sepse kishte frikë se nëse do të ishte në pushim, mund të ndodhte diçka e keqe”, tha ajo.
Sipas miqve të tij, Abdullah ishte konvertuar në Islam në vitet 1990 dhe që atëherë ishte bërë pjesë aktive e komunitetit mysliman në San Diego. Shaykh Uthman Ibn Farooq, mik i familjes, tha se Abdullah kishte zgjedhur të punonte si roje sigurie sepse donte të mbronte njerëzit e pafajshëm.
Mansour Kaziha ishte pjesë e Qendrës Islame të San Diegos që nga vitet 1980. Për shumë anëtarë të komunitetit, ai ishte njeriu që thirrej sa herë që kishte nevojë për ndihmë, mirëmbajtje ose organizim brenda objektit.
“Ai ishte mjeshtri i punëve. Ishte kuzhinieri. Ishte kujdestari. Ishte shitësi. Ishte gjithçka”, tha imami Hassane.
Djali i tij, Yasser Kaziha, e përshkroi të atin si shtyllë të familjes dhe të komunitetit. Ai tha se babai i kishte mësuar fëmijët të përballonin vështirësitë dhe të vazhdonin përpara me përgjegjësi.
Nadir Awad jetonte përballë Qendrës Islame dhe, sipas imam Hassane, shkonte çdo ditë në falje. Kur dëgjoi të shtënat, ai doli nga shtëpia dhe vrapoi drejt objektit, ku gruaja e tij punonte si mësuese në shkollën e qendrës.
“Ai doli nga shtëpia, duke u përpjekur të shkonte dhe të bënte diçka për të ndihmuar”, tha Hassane.
Dy sulmuesit e dyshuar, të moshës 17 dhe 18 vjeç, u gjetën më vonë të vdekur në një automjet, disa blloqe larg xhamisë. Sipas policisë, ata dyshohet se vdiqën nga plagë të vetëshkaktuara.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se rasti po hetohet si krim i mundshëm urrejtjeje. Sipas policisë, hetuesit po shqyrtojnë prova që tregojnë se sulmuesit kishin shfaqur urrejtje ndaj grupeve të ndryshme fetare dhe racore.
Mediat amerikane raportuan se policia ishte njoftuar më herët nga nëna e njërit prej të dyshuarve, e cila kishte thënë se djali i saj ishte larguar me armë dhe me veturën e saj. Ajo kishte paralajmëruar autoritetet se ai mund të ishte në rrezik për vetëvrasje dhe se mund të ishte me një shok.
Sulmi ka nxitur reagime të shumta në Shtetet e Bashkuara. Zëvendëspresidenti JD Vance e dënoi ngjarjen dhe bëri thirrje për unitet, ndërsa përfaqësues të komuniteteve myslimane kanë kërkuar më shumë vëmendje ndaj sigurisë së objekteve fetare.
Për familjen e Amin Abdullahut është hapur edhe një fond ndihme online, i cili ka mbledhur më shumë se 1.6 milionë dollarë. Për komunitetin e Qendrës Islame të San Diegos, megjithatë, kujtimi kryesor mbetet mënyra se si Abdullah, Kaziha dhe Awad vepruan në minutat e fundit: duke u përpjekur të mbronin të tjerët. /Vrojtuesi


