Një operacion policor ka mbyllur një berberhane në qendër të Gjenevës, e cila shërbente si fasadë për prostitucionin e të miturve, duke nxjerrë në dritë një fenomen në rritje që ka alarmuar autoritetet në Zvicrën frëngjishtfolëse.
Godina në dukje e zakonshme tani mban vetëm gjurmët e vulave policore në derë, dëshmi e heshtur e asaj që ndodhte pas vitrinës. Hetimet kanë zbuluar se në dhomën e pasme të kësaj arkade, adoleshentë, më i vogli prej të cilëve sapo kishte mbushur 15 vjeç, shfrytëzoheshin seksualisht në mënyrë të rregullt.
Siç raportojnë mediat lokale, tetë burra të rritur u arrestuan gjatë bastisjes së majit të kaluar, nën dyshimet për akte seksuale me të mitur kundrejt pagesës dhe inkurajim të prostitucionit, ndërsa Prokuroria Publike e Gjenevës ka kyçur gojën për detajet e mëtejshme të hetimeve penale, shkruan Vrojtuesi.
Rasti i berberhanes, sado i rëndë, nuk është një ngjarje e izoluar, por simptomë e një sëmundjeje sociale që po përhapet me shpejtësi. Hetimi i emisionit “Mise au Point” ka zbuluar se Brigada e të Miturve në Gjenevë përballet me dyshime të reja pothuajse çdo javë. Marc Zingg, kreu i kësaj brigade, e përshkruan situatën si një mjedis jashtëzakonisht sekret dhe të vështirë për t’u depërtuar, pasi të rinjtë rrallë u besojnë të rriturve atë që po bëjnë.
Kjo fshehtësi e bën fenomenin të pakontrollueshëm. Vetëm në Gjenevë janë identifikuar rreth pesëdhjetë adoleshentë të përfshirë potencialisht, ndërsa në Vaud numërohen dyzet të tillë. Megjithatë, këto shifra janë vetëm maja e ajsbergut dhe realiteti mund të flasë për qindra raste të tjera që operojnë nën radar.
Nëntoka e errët e “takimeve” online
Profili i viktimave thyen çdo stereotip të pritshëm. Vajzat e përfshira, kryesisht të moshës 14 deri në 17 vjeç, vijnë si nga qendrat e kujdesit, ashtu edhe nga familje të qëndrueshme. E vetmja pikë e përbashkët është shkëputja sociale, qoftë nga shkolla, puna apo prindërit. Motivimet ndryshojnë në mënyrë drastike nga rasti në rast; disa kërkojnë para të shpejta për objekte luksi, ndërsa të tjera, që ndodhen në arrati, detyrohen të shesin trupin për ushqim dhe strehim.
Teknologjia është shndërruar në lehtësuesin kryesor të këtij tregu të zi. Rrjetet sociale dhe faqet e reklamave online shërbejnë si vitrina virtuale ku pazarllëqet bëhen hapur. Mdiat lokale kanë siguruar qasje në shkëmbime mesazhesh tronditëse, ku saktësohet cenueshmëria ekstreme e këtyre fëmijëve. Në njërin prej rasteve, një të mituri i ofrohet të shkojë në një bodrum në Gjenevë për të kryer marrëdhënie me një burrë të rritur, në këmbim të një shume qesharake prej 60 frangash zvicerane.
Edhe pse prostitucioni i fëmijëve është rreptësisht i paligjshëm në Zvicër dhe vajzat konsiderohen viktima të shfrytëzimit, numri i ankesave mbetet minimal. Dënimet për klientët dhe ndërmjetësit janë ende të pakta në gjykatat e rajonit, çka krijon një klimë pandëshkueshmërie relative.
Nga arratia në shfrytëzim: Mekanizmi i manipulimit
Një rast i gjykuar nga Gjykata Penale Bregdetare në vitin 2024 hedh dritë mbi kompleksitetin e marrëdhënies xhelat-viktimë. Ngjarja, e cila daton në verën e vitit 2021, përfshin një 15-vjeçare të arratisur nga shtëpia, e cila ra në duart e dy burrave dhe një gruaje në të njëzetat. Ajo që nisi si një udhëtim festiv drejt Parisit, përfundoi në shfrytëzim seksual në hotelet e periferisë franceze.
Dinamika e grupit tregon sofistikimin e rrjeteve kriminale. Dy burrat menaxhonin logjistikën, reklamat online dhe sigurinë, duke marrë gjysmën e fitimeve, ndërsa gruaja e re shërbente si shoqëruese dhe, sipas avokates së saj, nuk ishte në dijeni të moshës së vajzës. Avokatja Joëlle Manca shpjegon se klientja e saj, vetë viktimë e prostitucionit që nga adoleshenca, mendonte se po e ndihmonte vajzën.
Pikërisht këtu qëndron kurthi psikologjik. Siç citon Vrojtuesi mediat lokale, viktima ndihej e përkëdhelur me dhurata, hotele dhe ushqim, duke krijuar një ndjenjë të rreme sigurie me shfrytëzuesit e saj. Kjo marrëdhënie e manipuluar bën që shumë të mitur të refuzojnë statusin e viktimës, duke e parë abuzuesin si mbrojtës apo ofrues të stabilitetit ekonomik.
Mungesa e strukturave dhe “verbëria” e viktimave
Inspektorja Delphine Pidoux nga policia e Vaud-it përballet rregullisht me këtë mur psikologjik kur takon të mitur që kthehen nga arratisjet në qytete si Lioni apo Marseja. Ata shpesh nuk e kuptojnë pse policia ndërhyn dhe pse përpiqet t’i lidhë me shoqatat e ndihmës. Për të adresuar këtë, kantoni i Vaud ka nisur një trajnim pionier për edukatorët, me qëllim që të dallojnë shenjat e para paralajmëruese sa më herët.
Sfidat nuk mbarojnë me identifikimin. Zvicra, ndryshe nga fqinji i saj Franca, vuan nga mungesa e strukturave të specializuara rezidenciale për viktimat e mitura të shfrytëzimit seksual. Në Lozanë, shoqata Astrée ofron mbështetje ambulatore, por drejtoresha Angela Oriti thekson se kjo nuk mjafton për profile kaq komplekse. Sipas saj, këta të rinj, të cilët shpesh duken të sigurt në vetvete, kanë nevojë për rindërtim total të marrëdhënies me trupin dhe të rriturit.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk dilet nga faza e mohimit institucional dhe nëse nuk investohet në parandalim e struktura specifike, fenomeni do të vazhdojë të rritet nën rrogoz, duke prekur fëmijë gjithnjë e më të vegjël. Zvicra gjendet para një sfide madhore, ku çdo vonesë në veprim përkthehet në fatura të rënda sociale për brezat e ardhshëm. /Vrojtuesi


