spot_imgspot_img

“Fshiji lotët dhe zgjohu, Kosovë”, nipi përlot sallën me vargjet e Shemsi Krasniqit, nesër varroset ikona e “Ilirëve”

spot_imgspot_img

Nesër, më 24 dhjetor, i jepet lamtumira e fundit këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi, i njohur për publikun si Shemi i grupit Ilirët. Varrimi do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan) në Prishtinë, ka njoftuar miku i tij, këngëtari Arian Agushi, transmeton Vrojtuesi.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur edhe mbledhja komemorative në kujtim të artistit, ku u theksua kontributi i tij i rëndësishëm në muzikën shqiptare. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë figura nga jeta kulturore dhe institucionale, të cilët vlerësuan rolin e Shemit si një prej emrave që shënoi skenën muzikore të vendit, veçanërisht gjatë viteve ’80 dhe ’90.

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, tha se Shemi do të mbetet ikonë e rock-ut shqiptar, duke nënvizuar se grupi Ilirët arriti të jetë përbashkues për shoqërinë në periudha të vështira. Ai theksoi se përveç vlerës artistike, kontributi i Shemit ishte edhe shoqëror, ndërsa mungesa e tij do të ndihet gjatë në skenën kulturore.

“Dje pranuam lajmin e rëndë se u nda herët dhe papritur. Përveç artist, Shemi ishte personalitet i veçantë dhe shumë i dashur për të gjithë. Vendit nuk iu nda publikut asnjëherë; në mënyra të ndryshme deri në ditët e fundit të jetës e gjenim në muzikë, televizion e qytet, dhe në kujtesën kolektive tash e tutje. Kontributi i tij, përveç artistik, ishte edhe shoqëror. Grupi i tij, Ilirët, arriti të jetë përbashkues për të gjithë ne në periudhat më të vështira gjatë viteve ’80–’90. Shemi ishte ikonë e rock-ut shqiptar dhe mungesa e tij do të rëndojë mbi të gjithë ne”, tha Çeku.

hajrulla-ceku-fjalimi-shemi-iliret

Momente prekëse dhuroi nipi i të ndjerit, Kastriot Grajqevci, i cili emocionoi të pranishmit duke evokuar vitin e largët 1990, kur Shemi publikoi këngën emblematike “Fshiji lotët dhe zgjohu Kosovë”. Sipas tij, ajo nuk ishte thjesht një këngë apo album, por u shndërrua në zërin e një kohe, pasi në çdo tingull kishte qëndrim dhe në çdo varg dinjitet. Grajqevci theksoi se daja i tij nuk kërkoi kurrë famë, por kërkoi zemrat e njerëzve që nuk dorëzohen, duke mbetur i palëkundur dhe me shpirt të madh deri në fund.

“Dajë, ti nuk ishe vetëm pjesë e familjes sonë. Sot po e kuptoj se sa shumë i ke takuar këtij vendi dhe se si e mbajte gjallë me këngë. Kur na mungon fizikisht, na mbetet zëri yt. Na la një trashëgimi që nuk shuhet me kohë,” u shpreh ai mes emocionesh. Në mbyllje të fjalës së tij, Grajqevci premtoi se do ta mbajë gjallë frymën e tij dhe falënderoi Ministrinë e Kulturës për kujdesin dhe nderimin e treguar ndaj figurës së Shemit.

Kastriot Grajqevci fjalimi shemi iliret

Kjo mbledhje komemorative u mbajt një ditë pas ndarjes së tij nga jeta. Sipas policisë, dje rreth orës 15:00, trupi i pajetë i Shemsi Krasniqit është gjetur në banesën e tij në lagjen Dragodan në Prishtinë, ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Raportohet se, i ndjeri ka ndërruar jetë si pasojë e një sulmi në zemër.

Shemi la pas një trashëgimi të pasur muzikore, me këngë që u bënë pjesë e kujtesës kolektive. Ndër hitet më të njohura të repertorit të tij përmenden “Xhamadani Vija Vija”, “Unë jam Shqipe nga Kosova”, “Gajdexhiu” dhe “Minire moj motër”, si dhe bashkëpunimet me Ganimete Abazin, të cilat e vulosën vendin e tij në historinë e muzikës shqiptare. /Vrojtuesi

spot_imgspot_img
Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here