spot_imgspot_img

Prokuroria ngrit aktakuzë për vdekjen e punëtorit në vendin e punës në Pejë

spot_imgspot_img

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj personit fizik Sh.K. dhe personit juridik, kompanisë “Luani Transport”, lidhur me vdekjen e një punëtori në vendin e punës në fshatin Gorazhdevc të Komunës së Pejës, raporton Vrojtuesi.

Aktakuza është ngritur për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 7 korrik 2025, kur Sh.K., në cilësinë e pronarit të kompanisë, nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për siguri dhe shëndet në punë. Në aktakuzë thuhet se i pandehuri nuk ka krijuar kushte të sigurta për punëtorët dhe nuk ka zbatuar detyrimet ligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen në vendin e punës.

“I pandehuri nuk ka ofruar trajnim për siguri në punë, nuk ka dhënë informacione për rreziqet në vendin e punës dhe as për përdorimin e duhur të makinerisë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas hetimeve, viktima Sylë Ramadani, tani i ndjerë, kishte për detyrë vetëm pastrimin në vendin e punës. Megjithatë, ai ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me gjeneratorin, në rrethana që, sipas Prokurorisë, lidhen drejtpërdrejt me mungesën e masave të sigurisë.

Aktakuzë është ngritur edhe ndaj kompanisë “Luani Transport”, për të cilën Prokuroria vlerëson se, nga pakujdesia dhe mosrespektimi i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat dhe rregullat teknike për masat mbrojtëse.

“Si pasojë e mosplotësimit të kushteve të punës sipas ligjit dhe në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 1 i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ka humbur jetën punëtori S.R.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës që, përveç dënimit për veprën penale, të shqiptohet edhe dënimi plotësues “ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”, konkretisht ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së separacionit.

“Kjo për faktin se i pandehuri ka ushtruar veprimtarinë pa licencë dhe pa asnjë kriter të sigurisë në vendin e punës”, thuhet më tej në aktakuzë. /Vrojtuesi

spot_imgspot_img
Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here