Presidenca e Kosovës ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë pas qarkullimit të një fotografie të manipuluar në rrjete sociale, ku Presidentja Vjosa Osmani shfaqet krah zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë.
Presidenca theksoi se imazhi është krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale dhe paraqet Osmanin me kryeparlamentaren serbe, Ana Bërnabiq, dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq.
Në reagimin e presidencës thuhet se, kjo foto është tërësisht e rreme dhe pjesë e një fushate të organizuar për të dëmtuar figurën e kreut të shtetit dhe për të ushqyer narrativa që u shërbejnë agjendave të huaja, raporton Vrojtuesi.
Institucioni i bën thirrje autoriteteve kompetente që të trajtojnë rastin me seriozitet maksimal, duke vlerësuar se dezinformatat e tilla cenojnë sigurinë publike dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit.
Presidenca nënvizon se këto montazhe nuk janë të rastësishme, por tentativa për të goditur integritetin institucional dhe përfaqësimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Vrojtuesi


