Përballë rrezikut të burgimit të përjetshëm, i akuzuari kryesor për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, ka përdorur seancën e sotme për të rindërtuar figurën e tij si prind i devotshëm, duke mohuar çdo marrëveshje me ekzekutorët e dyshuar të krimit.
Gjatë dëshmisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Naim Murseli hodhi poshtë çdo pretendim të Prokurorisë mbi vrasjen e Liridona Ademajt, duke u deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjatë seancës së mbajtur këtë të enjte, më 29 janar 2026, Murseli pretendoi se në momentin e krimit kishte dalë nga automjeti bashkë me fëmijët dhe nuk e kishte mbajtur viktimën me dorë për ta penguar, siç pretendon Prokuroria.
Seanca u ndërpre pas dëshmisë së tij dhe do të vijojë më 11 shkurt, ndërsa të akuzuarit e tjerë, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, u larguan përkohësisht nga salla gjatë këtij deklarimi.
Në fillim, Naim Murseli kërkoi të konsultohej me avokatët e tij dhe për këtë arsye u largua përkohësisht nga salla. Pas rikthimit, ai filloi mbrojtjen e tij, duke u përshkruar si person pa precedentë kriminalë dhe duke mohuar se kishte pasur ndonjëherë marrëveshje me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën për vrasjen e Liridonë, raporton Vrojtuesi.
Ai dha një rrëfim të detajuar sipas versionit të tij, për ngjarjen e 29 nëntorit 2023, duke u përpjekur të rrëzojë pretendimet e aktakuzës. Ai deklaroi se gjithçka nisi kur një person i maskuar u doli përpara në fshatin Bërnicë, duke u drejtuar armën. Sipas tij, reagimi i parë i Liridonës ishte thirrja: “O kuku, hajni”.
Murseli pretendoi para trupit gjykues se ai ndaloi makinën dhe ngriti duart, ndërsa personi i maskuar u afrua te dritarja e pasagjerit ku ishte ulur Liridona. Ai theksoi se sulmuesi mori paratë dhe telefonat e tyre, duke e bërë atë të besonte se bëhej fjalë për një grabitje të thjeshtë të automjetit.
“Unë ju betohem në dy fëmijët që Naim Murseli as në makinë nuk ka qenë kur është vra Liridona, as unë dhe as fëmijët. Ajo që thotë prokurorja është shpifje”, deklaroi Murseli në Gjykatë. Ai shtoi se ishte larguar rreth 20-30 metra me fëmijët kur dëgjoi krismat, duke menduar se sulmuesi po qëllonte në drejtim të tyre.
Gjatë procesit gjyqësor, vëmendje e veçantë iu kushtua lëvizjeve të Murselit në restorantin ku darkoi me familjen pak para vrasjes. Edhe pse pamjet filmike të bëra publike sugjerojnë se ai i kishte bërë me shenjë Granit Plavës teksa kalonte pranë tavolinës së tij, Murseli e mohoi kategorikisht këtë fakt para trupit gjykues, duke pretenduar se nuk e kishte parë as atë dhe as makinën e tij.
Murseli e përshkroi veten si një person jo problematik, që nuk konsumon alkool apo duhan dhe që nuk ka pasur asnjëherë shoqëri me elemente kriminale, duke mohuar çdo marrëveshje paraprake për vrasjen.
“Kemi pasë 11 vite martesë me Liridonën, marrëdhënia jonë ka qenë shumë e mirë. Ka qenë një grua e mrekullueshme dhe nënë e përkushtuar”, tha ai, duke provuar të ndërtojë një imazh të një bashkëshorti të devotshëm.
Seanca u shoqërua edhe me tensione procedurale, përfshirë ankesa të avokatëve lidhur me qasjen në shkresat e lëndës dhe përplasje mes mbrojtjes dhe gjyqtares Fatime Dermaku. Gjatë seancës u shqiptuan edhe gjoba ndaj dy avokatëve mbrojtës për prishje të rendit në sallë.
Në fund të seancës, pas përfundimit të dëshmisë së Naim Murselit, gjykata vendosi ta ndërpresë shqyrtimin dhe ta vazhdojë atë më 11 shkurt, kur pritet të vazhdohet me dëgjimin e palëve dhe administrimin e provave të tjera.
Rasti që po shqyrtohet aktualisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë është rezultat i një hetimi penal të nisur pas natës tragjike të 29 nëntorit 2023, kur Liridona Ademaj u vra në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Fillimisht ngjarja u raportua si grabitje me pasoja vrasjeje, por dy ditë më vonë autoritetet arrestuan disa persona, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin.
Pas arrestimeve, hetimet u zgjeruan, u administruan prova materiale dhe dëshmi, ndërsa Prokuroria e Kosovës, pas përfundimit të fazës hetimore, ngriti aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, Prokuroria pretendon se Naim Murseli e kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitimi financiar, duke përfshirë edhe një sigurim jetësor në vlerë prej mbi 260 mijë eurosh. Sipas këtij versioni, Murseli kishte rënë dakord që Granit Plava ta kryente vrasjen në këmbim të një pagese prej 30 mijë eurosh, ndërsa Kushtrim Kokalla akuzohet se ka ndërmjetësuar kontaktin mes tyre. Tom Dodaj është dënuar për shitjen e armës me të cilën është kryer vrasja, ndërsa për tre të akuzuarit e tjerë, nëse shpallen fajtorë, parashihen dënime nga 10 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.
Rasti i Liridona Ademajt është një nga më të rëndët në listën e gjatë të vrasjeve të grave në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2010 e deri në mars të vitit 2025, në Kosovë janë vrarë gjithsej 59 gra. Në shumicën dërrmuese të këtyre rasteve, autorët e krimit kanë qenë bashkëshortët ose anëtarët e ngushtë të familjes.
Organizatat për të drejtat e grave vazhdojnë të kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta, duke theksuar se raste të tilla kërkojnë reagim më të hershëm institucional dhe masa reale parandaluese.
Kritikat e tyre janë përqendruar veçanërisht te mungesa e vlerësimit të rrezikut në kohë, zbatimi i dobët i masave mbrojtëse dhe koordinimi i pamjaftueshëm mes institucioneve. Sipas tyre, dënimet maksimale për autorët e vrasjes së Liridonës dhe të gjitha viktimave të tjera janë të domosdoshme për të dhënë një mesazh parandalues për shoqërinë dhe si mënyrë për të ndalur përsëritjen e krimeve të ngjashme. /Vrojtuesi


