Paga e 13-të për mijëra familje të sektorit publik nuk do të jetë pritje deri në fund të vitit, por realitet i javëve të para të 2026-ës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i dha sot fund paqartësive duke konfirmuar ekzekutimin e saj menjëherë me formimin e Qeverisë së re.
Gjatë vizitës tradicionale të fundvitit në Telekomin e Kosovës, ai garantoi se mjetet financiare janë të koduara në buxhet dhe presin vetëm vulën formale të Qeverisë të ardhshëm për të kaluar në llogaritë e mbi 80 mijë shërbyesve civilë, raporton Vrojtuesi.
Kurti shpjegoi se ligji i buxhetit, i cili përcakton shpërblimin për këdo me 12 muaj punë në administratën publike, është strukturuar që ekzekutimi të bëhet në nisje të vitit fiskal.
“Paga e 13-të nuk merret në fund të vitit, në dhjetorin e vitit 2026, por në vitin që do të nisë nesër. Do të merret në fillim të vitit, varësisht kur konstituohet Kuvendi dhe sa shpejtë e formojmë Qeverinë,” deklaroi Kurti, duke nënvizuar se në mbledhjen inauguruese të Qeverisë do të miratohen edhe tri vendime të tjera strategjike.
Ky optimizëm për qëndrueshmërinë e shtetit u pasqyrua edhe në performancën e ndërmarrjeve publike, të cilat u inspektuan gjatë ditës së sotme.
Së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kurti vizitoi Postën e Kosovës në veri të vendit, ku u prezantua një bilanc financiar pozitiv pas një dekade vështirësish kronike.
Ndërmarrja raportoi një fitim prej rreth 1 milion eurosh për këtë vit, duke shënuar rritje nga 800 mijë eurot e vitit paraprak dhe duke dëshmuar se menaxhmenti i ri ka mbyllur përfundimisht kapitullin e humbjeve financiare dhe keqmenaxhimit.
Stabiliteti financiar i Postës është shoqëruar me shtrirjen e plotë të shërbimeve në çdo cep të territorit, duke përfshirë edhe pjesën veriore.
Gjatë vizitës së sotme u konfirmua se 16 zyra postare janë plotësisht funksionale në veri të Ibrit, duke zëvendësuar strukturat ilegale dhe duke ofruar alternativa të sigurta pas ndalimit të dinarit serb.
“Është për t’u përshëndetur fakti që po zgjerohet rrjeti i zyrave dhe i shërbimeve postare. Gjithsej i kanë në Kosovë 166 zyra prej të cilave 16 janë në veri të Ibrit,” u shpreh Kurti, duke vlerësuar se shërbimi universal postar tashmë mbulon të gjitha nevojat e qytetarëve pa dallim.
Kujtojmë se këto masa burojnë nga korniza e projektbuxhetit prej 4 miliardë eurosh, i cili u miratua parimisht më 31 tetor 2025 dhe pret votimin final në Kuvend.
Përveç pagës së 13-të për administratën, ky planifikim financiar parasheh rritje të mirëqenies sociale, ku pensionet bazike do të rriten në 150 euro, shtesat për fëmijë pësojnë rritje të konsiderueshme, ndërsa paga minimale për sektorin privat është projektuar të arrijë nivelin prej 500 eurosh deri në korrik të vitit 2026. /Vrojtuesi


