Ndërsa bota po mëson ende të bashkëjetojë me pasojat e pandemisë së fundit, një kërcënim i vjetër por tejet vdekjeprurës në Azinë Jugore po detyron shtetet të rishikojnë protokollet e sigurisë kufitare. Situata e fundit në Indi ka vënë në lëvizje mekanizmat mbrojtës të vendeve fqinje, duke rikthyer vëmendjen te sëmundjet zoonotike që sfidojnë sistemet moderne shëndetësore.
Tajlanda ka nisur masa të shtuara shëndetësore në aeroportet kryesore të vendit, duke kontrolluar rreth 1,700 udhëtarë, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës Nipah, pas raportimit të rasteve të reja në Indi.
Autoritetet thonë se deri më tani nuk është identifikuar asnjë rast pozitiv, por masat po zbatohen me kujdes të shtuar për shkak të rrezikut të lartë që paraqet ky virus, transmeton Vrojtuesi.
Vendimi vjen pasi autoritetet shëndetësore indiane konfirmuan dy raste të reja të infektimit me virusin Nipah në Bengal Perëndimor që nga dhjetori, duke ngritur shqetësime për një përhapje të mundshme rajonale. Për këtë arsye, disa vende aziatike, përfshirë Tajlandën, Nepalin dhe Tajvanin, kanë ndërmarrë masa parandaluese për të frenuar hyrjen e virusit përmes udhëtimeve ndërkombëtare.
Virusi Nipah u identifikua për herë të parë në vitin 1999 pas një shpërthimi në Malajzi dhe Singapor. Edhe pse nuk është një sëmundje e re, ai konsiderohet veçanërisht i rrezikshëm për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë dhe mungesës së një kure ose vaksine. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkalla e vdekshmërisë nga Nipah varion nga 40 deri në 75 për qind.
Sipas OBSH-së, virusi transmetohet kryesisht nga lakuriqët e natës, por edhe përmes kafshëve të tjera si derrat, dhitë, kuajt, qentë dhe macet. Pasi infeksioni kalon te njerëzit, virusi mund të përhapet edhe nga njeriu te njeriu përmes kontaktit të ngushtë.

(Burimi: Facebook/Suvarnabhumi Airport)
Masat e shtuara në Tajlandë përfshijnë kontrolle të detajuara shëndetësore në aeroportet Suvarnabhumi, Don Mueang dhe Phuket, ku autoritetet kanë identifikuar se hyjnë shumica e udhëtarëve nga rajonet e rrezikut, përfshirë Bengalin Perëndimor të Indisë.
Sipas raportimit të Nation Thailand, udhëtarët që vijnë nga zona të prekura janë të detyruar të plotësojnë formularë shëndetësorë dhe t’i nënshtrohen matjes së temperaturës.
Personat që shfaqin ethe duhet të paraqesin një certifikatë mjekësore që vërteton se janë të aftë për të udhëtuar. Po ashtu, autoritetet kanë vendosur që çdo fluturim që vjen nga zona ku është raportuar virusi t’i nënshtrohet inspektimit të detajuar sanitar. Nëse konstatohet një rast i dyshuar, avioni dezinfektohet plotësisht përpara se të autorizohet për fluturimin e radhës.
Në kuadër të këtyre masave, janë caktuar edhe zona të veçanta parkimi për avionët që vijnë nga rajonet e rrezikut, si dhe hapësira të dedikuara për kontroll, dhoma izolimi dhe procedura të veçanta për trajtimin e bagazheve.
Autoritetet shëndetësore tajlandeze shprehen të bindura se këto masa do të jenë të mjaftueshme për të parandaluar shpërthimin e këtij virusi brenda vendit. Ministri i Shëndetësisë Publike i Tajlandës, Phatthana Phromphat, ka deklaruar se vendi është përgatitur për të reaguar shpejt në rast të ndonjë infeksioni të dyshuar.
“Nëse identifikohet një rast i dyshuar në aeroport, personi do të vendoset menjëherë në karantinë dhe rezultatet e testimit përkatës do të jenë të disponueshme brenda tetë orëve”, ka thënë ai, sipas një raportimi të Independent.
Ministri ka theksuar gjithashtu se mënyra e transmetimit të virusit Nipah i jep autoriteteve një avantazh krahasuar me situatën e pandemisë së Covid-19.
“Transmetimi i virusit Nipah nuk është i njëjtë me atë të Covid-19. Edhe pse personat e infektuar me Covid mund të jenë pa simptoma dhe ta përhapin virusin, për Nipah kjo nuk ndodh. Personat e infektuar nuk e transmetojnë virusin nëse nuk shfaqin simptoma”, ka shtuar Phromphat.

Këto masa vijnë vetëm dy ditë pasi në Indi u konfirmuan pesë raste të reja të infektimit me virusin Nipah pranë qytetit të Kalkutës. Autoritetet indiane kanë vendosur karantinë, nisur gjurmimin e kontakteve dhe po monitorojnë nga afër personelin shëndetësor që ka pasur kontakt me të infektuarit, pasi disa prej tyre janë mjekë dhe infermierë.
Ekspertët theksojnë se rreziku kryesor lidhet me sëmundjet zoonotike, të cilat kalojnë nga kafshët te njerëzit, një fenomen që po shfaqet gjithnjë e më shpesh në dekadat e fundit. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka renditur virusin Nipah në mesin e patogjenëve më të rrezikshëm, duke paralajmëruar se ai ka potencial pandemik dhe kërkon kërkime urgjente, si dhe zhvillimin e trajtimeve efektive. /Vrojtuesi


