Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se arka e shtetit do të mbyllet pas datës 28 shkurt nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk fiton mbi 50 për qind të votave.
Gjatë një interviste në Kanal10, Murati paralajmëroi se vendi rrezikon kolaps total financiar dhe institucional, pasi pa një shumicë absolute që formon qeverinë shpejt, ligji nuk lejon asnjë pagesë.
“Në mungesë të ligjit të miratuar për buxhet, me legjislacionin në fuqi, si shtet i kemi veç dy muaj që mundemi me i përdor ndarjet buxhetore të vitit paraprak. Pra, veç janarin dhe shkurtin”, deklaroi Murati.
Ai shtoi dozën e alarmit për të gjithë ata që varen nga shteti, duke saktësuar se pas skadimit të këtij afati, duart e Thesarit janë të lidhura.
“Deri me 28 shkurt ka buxhet për pagesa: paga, pensione, fatura, shtese e këto tjerat. Pas datës 28 shkurtit asnjë pagesë nuk mundte me u ba pa buxhet”, tha ai.
Arsyetimi i ministrit bazohet në përvojën e formimit të institucioneve në Kosovë, duke e lidhur situatën edhe me zgjedhjen e Presidentit të ri, afati për të cilin është 4 marsi.
Sipas Muratit, matematika politike tregon se pa një fitore plebishitare, Kosova nuk i kap dot afatet ligjore për të shmangur bllokadën.
“Në historinë e vendit tonë veç një herë ka ndodhur që brenda këtij afati me u formu qeveria. Në të gjitha rastet tjera, formimi i qeverisë ka zgjatur më tepër se 3 muaj. E ne nuk i kemi tre muaj këtu, i kemi dy muaj e 4 ditë”, argumentoi ministri.
Për këtë arsye, ai e prezantoi votën për partinë e tij jo si zgjedhje, por si domosdoshmëri për mbijetesë financiare.
“Prandaj, garancia e vetme në këto zgjedhje për të gjithë qytetarët dhe zyrtarët publik, që varen nga pagat, garancia e vetme që të kemi qeveri të miratuar dhe buxhet të miratuar para datës 28 shkurt dhe të vazhdoj funksionimi i shtetit është që VV-ja t`i merr”, tha Murati.
Kjo retorikë, ku paga “kushtëzohet” me votën, ka nxitur një reagim furioz nga përfaqësuesit e punonjësve të shtetit.
Ali Sefaj, nga Sindikata e Shërbyesve Civilë, e cilësoi deklaratën e Muratit si shantazh të pastër, duke bërë një paralele me regjimin serb të viteve ’90.
“Veç Jugosllavia e Sllobodan Millosheviqit i ka kërcënuar shqiptarët: nëse nuk i pranoni ndryshimet kushtetuese dhe masat e dhunshme, largoheni prej pune”, shkroi Sefaj në Facebook.
Ai nuk u kursye në epitete ndaj ministrit, duke e akuzuar se po përdor frikën për të siguruar pushtet dhe duke e etiketuar atë me nofka përçmuese.
“Sot, të njëjtën logjikë shantazhi po e përdor Hekuran Zeza, i biri i jugosllavit, duke kërcënuar sektorin publik se, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk i merr mbi 50%, do të mbesin pa paga dhe shteti do të kolapsojë”, theksoi sindikalisti.
Sipas tij, zgjidhja nuk është nënshtrimi, por vota masive kundër kësaj logjike frikësimi.
“Atëherë Kosova nuk bllokohet më, sektori publik nuk kërcënohet dhe shteti nuk mbahet peng nga frika”, shtoi Sefaj.
Ironia e kësaj situate qëndron në faktin se vetëm pak ditë para këtij kërcënimi për “tharje” të arkës së shtetit, qeveria hapi thesin për dhurata parazgjedhore.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi më 24 dhjetor ndarjen e 100 eurove shtesë për fëmijët dhe pensionistët, para që sipas njoftimit zyrtar do të dalin në llogari më 29 dhjetor, një ditë pas zgjedhjeve. /Vrojtuesi


