spot_imgspot_img

Hasani thotë se Haxhiu s’mund ta mandatojë kryeministrin e ri

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nuk ka kompetencë ta dekretojë mandatarin për formimin e qeverisë së re.

Hasani ka deklaruar në Rubikon në Klan Kosova se ky interpretim, sipas tij, buron nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i 25 marsit 2026, përcjell Vrojtuesi.

Ai tha se pas këtij aktgjykimi, mandatarin për kryeministër duhet ta dekretojë presidenti i zgjedhur i vendit, jo ushtruesi i detyrës së presidentit.

“Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Albulena Haxhiu nuk mund ta dekretojë Albin Kurtin për kryeministër. Këtë nuk po e them unë, e ka thënë gjykata. Politika mundet me vendosë ndryshe, siç ka vendosur në disa raste”, deklaroi Hasani.

Sipas tij, çështja lidhet drejtpërdrejt me radhën institucionale pas zgjedhjeve. Hasani tha se fillimisht duhet të përmbyllet konstituimi i Kuvendit, pastaj të zgjidhet presidenti dhe vetëm më pas të procedohet me formimin e qeverisë së re.

“Presidenti duhet me fillu, se e ka kompetencë me dekretu mandatarin e ri për kryeministër. Sipas këtij aktgjykimi nuk mundet ushtruesi i presidentit. Së pari konstituimi i Kuvendit, presidenti e pastaj qeveria. Përndryshe është shkelje kushtetuese”, theksoi Hasani.

Ai përmendi edhe rastet e mëhershme kur ushtrues të detyrës së presidentit kanë dekretuar mandatarë për kryeministër. Në mesin e tyre ishte edhe rasti i Vjosa Osmanit, e cila si ushtruese detyre kishte dekretuar Albin Kurtin.

Megjithatë, Hasani tha se aktgjykimi i 25 marsit 2026 ka krijuar një standard të ri kushtetues dhe se praktikat e mëhershme nuk mund të përdoren më në të njëjtën mënyrë.

“Thuhet se presidenti duhet ta dekretojë, pra duhet të zgjidhet për me pas dekret pastaj. Së pari konstituimi i Kuvendit, presidenti e pastaj qeveria. Përndryshe është shkelje kushtetuese. Në qoftë se këtë shkelje nuk e çon kurrkush në gjykatë, ajo çështje mbyllet aty”, u shpreh Hasani.

Çështja pritet të hapë debat të ri kushtetues nëse pas certifikimit të rezultateve nis procedura për formimin e qeverisë pa zgjedhjen paraprake të presidentit.

Një praktikë e ngjashme kishte ndodhur pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, por jo me Vjosa Osmanin si dekretyese të mandatarit. Osmani kishte qenë ushtruese e detyrës së presidentes pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, i cili ishte larguar nga posti pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Megjithatë, më 22 mars 2021, pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar të Kuvendit, Osmani ia dorëzoi atij detyrën e ushtruesit të presidentit. Në atë cilësi, Konjufca e mandatoi Albin Kurtin për formimin e qeverisë, ndërsa Kuvendi e votoi qeverinë Kurti të njëjtën ditë. Vjosa Osmani u zgjodh presidente më vonë, më 4 prill 2021. /Vrojtuesi

Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here