Bota është zgjuar me një realitet krejtësisht të ri gjeopolitik mëngjesin e së shtunës, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë realizuar një nga operacionet më të gjerë ushtarake të shekullit duke rrëzuar dhe arrestuar presidentin e Venezuelës, transmeton Vrojtuesi.
Në një lëvizje që ka shkaktuar dridhje të forta në të gjithë Amerikën Latine, Presidenti Donald Trump konfirmoi personalisht se forcat amerikane kanë kryer me sukses një sulm të shkallës së gjerë, duke vënë në pranga udhëheqësin Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, të cilët tashmë janë larguar me avion nga vendi drejt territorit amerikan.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, njoftoi se operacioni ishte një goditje e planifikuar ndaj atij që Uashingtoni e cilëson si drejtues të një narko-shteti.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, janë kapur dhe janë dërguar me avion jashtë vendit”, ka shkruar Trump.

Operacioni “rrufe”, i cili sipas burimeve të CBS News është kryer nga njësia elitare antiterroriste Delta Force, u parapri nga një natë kaosi dhe shpërthimesh në kryeqytetin e Venezuelës, në Karakas.
Dëshmitarët dhe pamjet amatore tregojnë se rreth orës 02:00 të mëngjesit, qielli u ndriçua nga shpërthime të fuqishme, avionë luftarakë dhe shtëllunga të dendura tymi të zi që zgjatën për rreth 90 minuta, veçanërisht në zonën jugore ku ndodhet një bazë e madhe ushtarake e Venezuelës.
#URGENTE Se confirman bombardeo en distintinras zonas del área metropolitana. Estos ataques van desde Higuerote en el Estado Miranda hasta Caracas inicialmente. Zonas aledañas a Fuerte Tiuna y El Cuartel de la Montaña #Venezuela resiste esto es #hastaElFinal pic.twitter.com/PKnuQ66Rxq
— Kedar (@Kedar_speaks88) January 3, 2026
Kjo ndërhyrje ushtarake shënon kulmin dramatik të një fushate presioni disamujore, e cila tashmë është konkretizuar me atë që Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, e cilësoi si një fillim të ri për kombin amerikano-latin.
Landau nuk i kurseu fjalët e ashpra për liderin e rrëzuar, duke premtuar se llogaridhënia është e pashmangshme.
“Një agim i ri për Venezuelën! Tirani është larguar. Më në fund, tani ai do të përballet me drejtësinë për krimet e tij”, shkroi Landau, në reagimin e tij në platformën “X”.
Important to remember. 🇺🇸🇻🇪 https://t.co/w6HDZCM4jA
— Christopher Landau (@DeputySecState) January 3, 2026
Ndërsa Maduro fluturon drejt qelisë së tij të mundshme në Shtetet e Bashkuara, situata në Venezuelë mbetet jashtëzakonisht e paqartë dhe e tensionuar, me qeverinë vendase që duket se është kapur në befasi totale.
Zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez pranoi se administrata nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e presidentit apo të zonjës së parë, duke bërë thirrje urgjente për verifikimin e gjendjes së tyre fizike.
Në një deklaratë për media, ajo theksoi se qeveria kërkon “prova të menjëhershme” nëse janë gjallë dy të arrestuarit.
Kjo paqartësi ka nxitur reagimin e menjëhershëm të ushtrisë së Venezuelës, me Ministrin e Mbrojtjes, Vladimir Padrino Lopez, i cili ka urdhëruar mobilizimin total të forcave të armatosura dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira, të cilat gjithashtu u goditën nga sulmet amerikane.
“Ata na kanë sulmuar, por ata nuk do të na nënshtrojnë”, deklaroi Lopez, duke bwrw thirrje për rezistencë të paepur.
Fati i Nicolas Maduros duket i vulosur juridikisht, pasi Uashingtoni ka konfirmuar se ai do t’i nënshtrohet një procesi gjyqësor penal brenda territorit amerikan.
Senatori republikan Mike Lee, duke cituar Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, bëri të ditur se nuk priten sulme të mëtejshme tani që objektivi kryesor është në paraburgim.
Sipas informacioneve paraprake, operacioni u justifikua si një masë për të mbrojtur personelin amerikan që po zbatonte urdhër-arrestin ndaj Maduros, i akuzuar prej vitesh për trafik droge dhe manipulim zgjedhjesh.
“Marco Rubio më informoi se Nicolas Maduro është arrestuar nga personeli amerikan për t’u gjykuar për akuza penale në Shtetet e Bashkuara dhe se operacioni që pamë sot u ndërmor për të mbrojtur dhe siguruar ata që po zbatonin urdhrin e arrestit”, sqaroi Lee.
Ky epilog i dhunshëm vjen pas një përshkallëzimi të vazhdueshëm të retorikës dhe veprimeve ushtarake në rajonin e Karaibeve.
Vetëm pak ditë para sulmit të sotëm, Presidenti Trump kishte sugjeruar publikisht se do të ishte “mençuri” që Maduro të largohej vullnetarisht, ndërsa flota amerikane kishte intensifikuar praninë me aeroplanmbajtëse dhe avionë të avancuar.
Administrata Trump kishte goditur më parë anije të dyshuara për trafik droge, duke e akuzuar regjimin e Karakasit se po përmbyste SHBA-në me lëndë narkotike, një akuzë që Maduro e ka mohuar vazhdimisht duke pretenduar se qëllimi i vërtetë i amerikanëve është kontrolli mbi rezervat e naftës.
Qeveria e Venezuelës, edhe në momentet e fundit të rezistencës, përsëriti qëndrimin se ky agresion ka prapavijë ekonomike, duke theksuar se qëllimi i sulmit ishte që Shtetet e Bashkuara “t’i marrin në zotërim naftën dhe mineralet e vendit”, por shtoi me bindje se ata “nuk do të arrijnë” t’i grabisin këto burime.
Ironia e këtij arrestimi dramatik qëndron pikërisht në sfidën arrogante që Nicolas Maduro i bëri Shteteve të Bashkuara vetëm pesë muaj më parë. Ishte muaji gusht 2025, kur Maduro, pas vendimit të administratës Trump për të dyfishuar shpërblimin për arrestimin e tij në 50 milionë dollarë, publikoi një video virale me tone të ashpra.
“Ja ku jam. Frikacak, eja nëse mundesh. Jam këtu në Miraflores, dil përballë meje frikacak”, i ishte drejtuar ai Donald Trump-it, duke injoruar akuzat e Uashingtonit se ai ishte një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë, përgjegjës për përmbytjen e tregut amerikan me kokainë të pasuruar me fentanyl.
Në atë kohë, qeveria amerikane kishte paralajmëruar se “Maduro nuk do t’i shpëtojë drejtësisë”, duke u bazuar në padinë e vitit 2020 në Gjykatën Federale të Manhattanit për narkoterrorizëm dhe në faktin se shpërblimi për të kishte arritur nivele historike, duke kaluar nga 15 milionë, në 25 milionë në kohën e Biden, e deri në 50 milionë dollarë nën administratën e presidentit Trump.
Përplasja kishte arritur kulmin verën e kaluar, kur krahas presidentit, edhe zyrtarë të tjerë të lartë venezuelas sfiduan hapur Uashingtonin. Më 9 gusht, Ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino Lopez, i njëjti që sot urdhëroi mobilizimin e kishte quajtur vendimin për shpërblimin si një skenar të “një filmi hollywood-ian” dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Tensionet diplomatike kishin përfshirë edhe rajonin, me Presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum, e cila më 8 gusht ishte detyruar të hidhte poshtë zërat për përfshirje të vendit të saj pas një raporti të “New York Times” për direktiva sekrete të Trump mbi përdorimin e forcës ushtarake.
Ndërsa atëherë Ministri i Jashtëm venezuelas, Yvan Gil, i quante veprimet amerikane “propagandë politike” për të hequr vëmendjen nga skandalet e brendshme, ngjarjet e sotme dëshmojnë se Departamenti i Drejtësisë, i cili kishte konfiskuar mbi 700 milionë dollarë asete të regjimit, kishte përgatitur terrenin për atë që ndodhi sot, fundin e lojës për Nicolas Maduron. /Vrojtuesi


