Teksa procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, vëmendja e gjithë opinionit publik është përqendruar te një garë e vetme që po zhvillohet brenda vetë fituesit, ajo e Albin Kurtit me vetveten, e cila tashmë ka një fitues të qartë.
Me 96.99 për qind të votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (2,480 vendvotime të procesuara), lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka arritur të grumbullojë 341,499 vota, duke konfirmuar një legjitimitet plebishitar që nuk është parë në historinë e re të Kosovës.
Kjo shifër konfirmon se ai tashmë e ka thyer rekordin e tij personal të vendosur vetëm pak muaj më parë, në zgjedhjet e 9 shkurtit, ku kishte siguruar 337,791 vota.
Tashmë, jo vetëm rekordi i presidentes Vjosa Osmani (300,756 vota), por edhe ai i vetë Kurtit i vendosur në fillimvit, është lënë pas, dhe projeksionet tregojnë se me përfundimin e numërimit të diasporës dhe votave me kusht, Kurti po vendos një tavan të ri elektoral vështirë të arritshëm për kundërshtarët politikë.
Dominimi i Lëvizjes Vetëvendosje reflektohet edhe në renditjen e kandidatëve të tjerë për deputetë, ku hierarkia partiake mbetet e pandryshuar dhe e çimentuar nga vota qytetare.
Pas liderit të pakontestueshëm, lista kryesohet nga figura qendrore si Glauk Konjufca me plot 264,260 vota, i pasuar nga Hekuran Murati me 138,988 vota, Albulena Haxhiu me 138,985 vota dhe Donika Gërvalla-Schwarz me 123,779 vota.
Sipas të dhënave paraprake të bëra publike nga KQZ-ja, ky konfigurim votash pritet të përkthehet në 56 ulëse në Kuvendin e Kosovës për partinë fituese, duke i dhënë Kurtit një mandat të fuqishëm, por që gjithsesi kërkon aleanca strategjike ose votat e pakicave për të siguruar stabilitetin qeverisës dhe zgjedhjen e presidentit.
Në kampin ish-opozitar, situata paraqitet krejtësisht ndryshe, ku diferenca me vendin e parë është thelluar në përmasa që imponojnë reflektim të thellë, pavarësisht rritjes së numrave në orët e fundit.
Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse prin bindshëm brenda subjektit të tij me 150,467 vota, mbetet larg shifrave të kreut në detyrë të ekzekutivit. Pas tij renditen Arian Tahiri me 66,110 vota, Përparim Gruda me 60,547 vota dhe Uran Ismaili me 51,065 vota, ndërsa PDK-ja pritet të ketë 23 deputetë në legjislaturën e re.
Akoma më dramatike paraqitet situata për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku kryetari Lumir Abdixhiku ka marrë 78,920 vota, i ndjekur nga Hykmete Bajrami me 49,686 vota dhe Ukë Rugova me 43,462 vota. Me vetëm 15 ulëse të projektuara, partia më e vjetër në vend ka regjistruar një rezultat që vetë Abdixhiku e cilësoi si larg pritshmërive dhe ambicieve të partisë, duke paralajmëruar thirrjen e menjëhershme të Kuvendit të LDK-së për të diskutuar përgjegjësinë e tij.
Fitorja e thellë e Kurtit vjen pas një periudhe bllokadash institucionale, fakt të cilin ai e theksoi në fjalimin e tij pas shpalljes së rezultateve preliminare.
Ndryshe nga retorika e ashpër e së kaluarës, kësaj radhe gjuha e fituesit ishte më e matur, duke e cilësuar rezultatin si fitore të shtetit dhe jo vetëm të partisë. Ai paralajmëroi hapjen e rrugës për zhbllokimin e fondeve ndërkombëtare dhe bëri thirrje për bashkëpunim me opozitën, veçanërisht për çështjen e presidentit.
“Bllokadat janë të pamundshme tanimë. Na duhet të bisedojmë edhe me opozitën për presidentin e ardhshëm. Por, dihet që edhe për zgjedhjen e presidentit, na duhen 80 veta në sallë,” deklaroi Albin Kurti, duke nënvizuar nevojën për konsensus në çështjet madhore shtetërore.
Kjo nevojë për stabilitet institucional është bërë edhe më urgjente pas reagimit të menjëhershëm të Bashkimit Evropian.
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka qartësuar se mbështetja financiare për Kosovën është e lidhur drejtpërdrejt me shpejtësinë e formimit të institucioneve dhe dialogun me Serbinë.
Brukseli ka vënë në tavolinë një paketë të konsiderueshme financiare përmes Planit të Rritjes, por kërkon ratifikim të menjëhershëm të marrëveshjeve nga Kuvendi i ri.
“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument me afat të kufizuar kohor… dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur,” ka deklaruar Kallas, duke sinjalizuar se koha nuk pret dhe se qeveria e re do të jetë nën presionin e vazhdueshëm për të dorëzuar rezultate konkrete si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. /Vrojtuesi


