spot_imgspot_img

Adelina Tërshani dorëzon në Polici 650 faqe me kërcënime e fyerje online

spot_imgspot_img

Me 650 faqe material në duar, Adelina Tërshani është paraqitur në Policinë e Kosovës për të denoncuar atë që ajo e quan dhunë të vazhdueshme online. Sipas saj, komentet nuk janë vetëm kritikë politike, por fyerje, poshtërime dhe kërcënime të drejtuara ndaj saj.

Pas dorëzimit të materialeve, Tërshani tha se prej kohësh është përballur me gjuhë urrejtjeje në rrjete sociale. Ajo theksoi se denoncimi nuk synon të shmangë kritikën politike, të cilën e konsideron pjesë të demokracisë, por të adresojë fyerjet dhe kërcënimet që, sipas saj, e tejkalojnë lirinë e shprehjes.

“Jam këtu për ta vendosur një vijë të qartë mes lirisë së shprehjes dhe dhunës. Që 10 vjet jam aktive në jetën publike, por sidomos tani jam subjekt i qindra komenteve fyese, denigruese, kërcënuese dhe plot urrejtje. Sot po dorëzoj 650 faqe material në Policinë e Kosovës, jo sepse jam lënduar nga kritika politike, në demokraci kritika është e domosdoshme, por sepse askush nuk ka të drejtë ta përdorë kërcënimin, poshtërimin dhe dhunën online si armë për t’i heshtur, frikësuar apo larguar gratë nga jeta publike e politike”, tha Tërshani.

Ajo shtoi se interneti nuk mund të trajtohet si hapësirë pa përgjegjësi, ku qytetarët mund të fyejnë, shpifin apo kërcënojnë pa pasoja ligjore.

“Shumë e kemi toleruar një kulturë ku njerëzit fshihen mbrapa ekraneve, mendojnë se mund të shpifin, të ofendojnë e të kërcënojnë pa asnjë pasojë. Kjo duhet të marrë fund. Interneti nuk është zonë pa ligj, edhe në hapësirën digjitale ekziston përgjegjësia, edhe aty ekziston dinjiteti njerëzor, edhe aty ekziston ligji”, u shpreh ajo.

Tërshani tha se nuk duhet të normalizohet ideja se gratë në politikë duhet të durojnë çdo sulm publik për t’u konsideruar të forta. Sipas saj, problemi nuk është mungesa e guximit të grave për të marrë pjesë në jetën publike, por kultura që i ekspozon ato ndaj fyerjeve dhe kërcënimeve.

“Ka vajza e gra që në vitin 2026 më thonë: ‘Faleminderit që e ke marrë guximin të na përfaqësosh edhe në politikë’. Çfarë guximi duhet për të qenë grua në politikë? Për të kandiduar, për të folur në publik? Boll më me romantizimin e gruas së fortë në politikë. Synimi nuk është të krijohen gra që durojnë çdo gjë, synimi është që secili njeri që merr guximin të shajë e të fyejë në rrjete sociale, të dalë para institucioneve të drejtësisë dhe të marrë dënimin meritor”, tha ajo.

Adelina Tërshani është aktiviste feministe dhe autore, me përvojë mbi dhjetëvjeçare në jetën publike dhe në angazhimin për të drejtat e grave, të rinjve dhe komuniteteve të margjinalizuara. Së fundmi, ajo i është bashkuar listës së Lëvizjes Vetëvendosje, me të cilën tani është në garë për deputete në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri në detyre Albin Kurti, gjatë prezantimit të saj, e kishte përshkruar Tërshanin si një zë intelektual dhe kritik, me formim akademik në Gazetari dhe Menaxhim të Konflikteve, si dhe me studime të kryera në Itali.

Tërshani ka zhvilluar edhe aktivitet politik e shoqëror në Itali, ku ka takuar presidentin italian Sergio Mattarella, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe Itali.

spot_imgspot_img
Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here