Numërimi i votave të diasporës ka sjellë sërish ndryshime në ndarjen e mandateve për Kuvendin e Kosovës, duke ia shtuar Lëvizjes Vetëvendosje edhe një ulëse dhe duke e zbritur Partinë Demokratike të Kosovës në 22 mandate, raporton Vrojtuesi.
Sipas të dhënave të përditësuara të dielën mbrëma, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 52 ulëse në Kuvend, ndërsa PDK-ja ka humbur mandatin e 23-të, i cili i ishte rikthyer përkohësisht gjatë një faze të mëhershme të numërimit.
Lëvizjet në mandate po ndodhin gjatë numërimit të votave me postë nga diaspora, proces i cili ende nuk ka përfunduar. Deri në përditësimin e fundit, Vetëvendosje ka 45.52 për qind të votave, apo 345 mijë e 220 vota. PDK-ja renditet e dyta me 20.11 për qind, apo 152 mijë e 502 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka 17.12 për qind, apo 129 mijë e 863 vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 6.92 për qind, apo 52 mijë e 499 vota.
Mandati i 52-të i Vetëvendosjes ka lëvizur disa herë gjatë mbrëmjes. Fillimisht, pas përpunimit të mbi 40 për qind të votave të ardhura me postë nga diaspora, LVV-ja e kishte siguruar këtë ulëse, duke e lënë PDK-në me 22 mandate.
Më pas, gjatë numërimit të 92.58 për qind të votave të përgjithshme, PDK-së i ishte rikthyer mandati i 23-të. Por pas përditësimit të ri, Vetëvendosje e mori sërish ulësen e 52-të, ndërsa PDK-ja ra përsëri në 22 ulëse.
Votat e diasporës kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në balancën e mandateve. Vetëvendosje kishte nisur me 48 ulëse nga votat e numëruara brenda Kosovës, ndërsa me përfshirjen e votave jashtë vendit fillimisht kaloi në 50 mandate, më pas në 51 dhe tani në 52.
Në fazat e mëhershme të numërimit, ndryshimet prekën edhe partitë e tjera shqiptare. LDK-ja kishte humbur një ulëse, ndërsa AAK-ja kishte zbritur nga tetë në shtatë mandate sipas projeksioneve të deritanishme. Megjithatë, ndarja përfundimtare mbetet e hapur derisa të përmbyllet i gjithë procesi i numërimit dhe të certifikohen rezultatet.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare votuan rreth 725 mijë qytetarë brenda Kosovës, ndërsa mbi 100 mijë shtetas jashtë vendit e ushtruan të drejtën e votës përmes përfaqësive diplomatike ose me postë.
Rezultati aktual mbetet preliminar. Përbërja përfundimtare e Kuvendit do të dihet vetëm pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave dhe certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. /Vrojtuesi


