Varfëria në Gjermani ka arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave krahasuese në vitin 2020, sipas Shoqatës Paritetike të Mirëqenies, një organizatë ombrellë e institucioneve bamirëse në vend. Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave, të cituara nga organizata, 13.34 milionë persona, ose 16.1 për qind e popullsisë, jetuan në varfëri gjatë vitit 2025, përcjell Vrojtuesi.
Kjo përqindje është rritur nga 15.5 për qind një vit më parë. Që nga niveli më i ulët i shënuar në vitin 2023, numri i personave të prekur është rritur për rreth 1.2 milion, ndërsa organizata e ka përshkruar gjendjen si “situatë krize”.
Sipas përkufizimit të përdorur në BE, një person konsiderohet në rrezik varfërie nëse të ardhurat e familjes së tij janë nën 60 për qind të të ardhurave mesatare kombëtare. Në Gjermani, ky prag në vitin 2025 ishte rreth 1 mijë e 446 euro në muaj për një person që jeton vetëm.
Grupet më të prekura mbeten prindërit vetushqyes dhe personat që jetojnë vetëm. Rreziku është mbi mesataren edhe te të rinjtë nga 18 deri në 25 vjeç dhe te personat mbi 65 vjeç. Sipas raportimit, varfëria është më e ulët në landet më të pasura jugore, si Bavaria dhe Baden-Württembergu, ndërsa më e lartë në Bremen dhe Sachsen-Anhalt.
Të dhënat shtesë tregojnë se rreziku i varfërisë nuk prek vetëm personat me kualifikim të ulët. Rreth 1.9 milion persona me arsim universitar ishin në rrezik varfërie në vitin 2025, rreth 350 mijë më shumë se në vitin 2022. Megjithatë, rreziku mbetet dukshëm më i lartë te personat me nivel të ulët ose të mesëm arsimimi.
Në dokumentarin e Deutsche Welle “Once poor, always poor?”, të publikuar një vit më parë, varfëria paraqitet përmes jetës së familjeve në Berlin, ku shpenzimet për ushqim, banim dhe kujdes shëndetësor kufizojnë rëndë mundësitë e përditshme. Dokumentari e lidh varfërinë edhe me sëmundjen, papunësinë afatgjatë, mungesën e hapësirës së banimit dhe vështirësitë e fëmijëve në arsim.
Në dokumentar, një prej rasteve që paraqitet është familja e Pierre Hollberg në lagjen Marzahn-Hellersdorf të Berlinit, një zonë që përshkruhet si e pafavorizuar në aspektin social dhe ekonomik. Familja jeton në një banesë prej më pak se 90 metrash katrorë, ku gjashtë persona ndajnë katër dhoma, ndërsa shpenzimet e përditshme mbulohen me vështirësi.
Pierre thotë se për ushqim llogarit rreth 10 euro në ditë për të gjithë familjen. Në të njëjtën ndërtesë jeton edhe vjehrra e tij, Eveline Weyer, e cila kujdeset për nipërit dhe mbesat, përgatit ushqimin e mëngjesit dhe ndihmon vajzën e saj Mandy, e cila ka nevojë për përkujdesje të veçantë pas një goditjeje të rëndë në tru.
“Gjithçka po bëhet më e shtrenjtë, por ne nuk kemi më shumë para. Në fakt, kemi më pak”, thotë Eveline në dokumentar.
Ajo tregon se vetëm pak fruta dhe perime për bashkëshortin e saj të sëmurë i kishin kushtuar 35 euro, ndërsa edhe produktet bazë, si kastraveci, janë bërë të vështira për t’u përballuar rregullisht. Për familjen, banka e ushqimit është bërë pjesë e menaxhimit të përditshëm. Çdo dy javë, Eveline merr ushqime të dhuruara, sidomos fruta dhe perime, të cilat në supermarket do të kushtonin mbi 100 euro.
Dokumentari ndalet edhe te Jessica Laue, një nënë vetushqyese që për vite kishte jetuar me ndihmë sociale. Edhe pse tashmë punon, ajo thotë se të ardhurat nuk mjaftojnë për të mbuluar familjen pa mbështetje shtesë nga shteti. Sipas saj, paga neto prej 1 mijë e 418 eurosh nuk do të ishte e mjaftueshme, pasi më parë kishte marrë afër 1 mijë e 500 euro ndihmë sociale.
“Nëse do të jetoja vetëm me këtë pagë, do të ishim më keq sesa kur ishim me ndihmë sociale”, thotë ajo.
Në dokumentar, varfëria paraqitet edhe si problem që prek fëmijët në arsim dhe zhvillim. Organizata “Die Arche” në Berlin punon me fëmijë nga familje të varfra, duke ofruar mbështetje për lexim, ushqim dhe aktivitete sociale. Punonjësit e saj thonë se varfëria nuk nënkupton vetëm mungesë parash, por shpesh edhe mungesë sigurie, mbështetjeje dhe mundësish për fëmijët.
Në këtë kuptim, dokumentari e paraqet varfërinë jo vetëm si çështje të të ardhurave mujore, por si cikël që mund të ndikojë në banim, shëndet, arsim dhe në mundësitë e brezave të rinj për të dalë nga e njëjta gjendje.
Në nivel të Bashkimit Evropian, Eurostat ka raportuar se në vitin 2025 rreth 92.7 milionë persona, ose 20.9 për qind e popullsisë së BE-së, ishin në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Norma më e lartë u regjistrua në Bullgari, Greqi dhe Rumani, ndërsa më e ulëta në Çeki, Poloni dhe Slloveni.
Debati në Gjermani pritet të vazhdojë në kuadër të politikave sociale dhe buxhetore, pasi Shoqata Paritetike e Mirëqenies ka kërkuar nga qeveria të mos shkurtojë përfitimet sociale, me arsyetimin se reduktimet e mëtejshme do ta rëndonin gjendjen. /Vrojtuesi


