Një poezi e shkruar mbi 120 vjet më parë nga figura fetare Hazrat Mirza Ghulam Ahmad ka rritur vëmendjen e studiuesve të teologjisë dhe besimtarëve në vitin 2026, mes frikës se parashikimet e tij për një ngjarje apokaliptike po realizohen.
Siç shkruan Daily Mail, Ahmad, i njohur si Mesia i Premtuar dhe themelues i lëvizjes Ahmadiyya, përshkroi në vitin 1905 me tërmete masive dhe shkatërrime globale që shumë sot i interpretojnë si paralajmërim për një Luftë të Tretë Botërore, transmeton Vrojtuesi.
Sipas shkrimeve të tij të botuara pak para vdekjes në vitin 1908, Ahmad parashikoi rrjedha gjaku nga vdekjet e përhapura, rajone të tëra të fshira nga harta dhe ngjarje të çuditshme qiellore që tejkalojnë shpjegimet shkencore.
Referenca e tij specifike për një fatkeqësi që do të godiste “Carin e Rusisë” shihet nga interpretuesit modernë si një paralajmërim për konfliktet aktuale që përfshijnë Rusinë, Ukrainën dhe tensionet me NATO-n.

“Vargjet e ‘Tërmetit”, Fragment nga poezia profetike e Hazrat Mirza Ghulam Ahmad
Një shenjë do të vijë pas disa ditësh, Që do të përmbysë fshatra, qytete dhe fusha.
Zemërimi i Zotit do të sjellë një revolucion në botë, I zhveshuri nuk do të jetë në gjendje të lidhë as pantallonat e tij.
Papritur, një tërmet do të dridhë ashpër, Vdekjatarët, pemët, malet dhe detet, të gjithë.
Në një pulitje syri, toka do të përmbyset, Përrenjtë e gjakut do të rrjedhin si lumenj uji.
Ata që i kishin rrobat e bardha si jasemini, Do të gdhihen me rroba të kuqe si trungjet e pemëve.
Njerëzit dhe zogjtë do t’i humbasin ndjenjat, Dhe bilbilat e harrojnë këngën e tyre.
Terrori i saj do të rraskapitë këdo, të madh e të vogël, Edhe Cari (i Rusisë) do të jetë në atë orë në gjendjen e mjerimit ekstrem.
Ajo shenjë qiellore do të jetë një shkëndijë e zemërimit, Qielli do të nxjerrë thikën e tij për të sulmuar.

Në vargjet e tij të vitit 1905, Ahmad përshkruan një revolucion të dhunshëm të natyrës dhe njerëzimit. Ai shkroi se një shenjë do të vijë së shpejti, e cila do të përmbysë fshatra, qytete dhe fusha, duke sjellë një kaos ku njerëzit do të jenë aq të tmerruar sa nuk do të arrijnë as të veshin rrobat e tyre.
“Papritur, një tërmet do të dridhë ashpër vdekjatarët, pemët, malet dhe detet. Brenda një pulitje syri, toka do të përmbyset dhe përrenjtë e gjakut do të rrjedhin si lumenj uji”, përshkroi Ahmad në poezinë e tij. Këto vargje janë lidhur shpesh me katastrofat natyrore të fundit, përfshirë tërmetin e fuqishëm që goditi Myanmar-in në mars të vitit 2025.

Përveç tërmeteve, Ahmad paralajmëroi për “sulme të fuqishme” nga qielli, të cilat përshkruhen si një shfaqje e zemërimit hyjnor. Në librin e tij “Filozofia e Shpalljes Hyjnore”, ai thekson se vdekja do të jetë në një shkallë aq të gjerë sa as kafshët e kullotave nuk do të mbeten pa u prekur.
“Ato ditë janë afër, me të vërtetë janë te dera, kur bota do të dëshmojë spektaklin e një kiameti,” parashikoi lideri fetar. Përshkrimet e tij për qiellin që “nxjerr thikën për të sulmuar” po interpretohen sot si një përshkrim i lëshimit të raketave balistike në një luftë globale, duke shkaktuar shqetësim ekstrem edhe për liderët më të fuqishëm botërorë.

Kush ishte Hazrat Mirza Ghulam Ahmad?

I lindur në vitin 1835 në Qadian të Indisë, Ahmad themeloi lëvizjen Ahmadiyya me qëllimin për të paraqitur Islamin si një fe paqësore, tolerante dhe racionale. Ai pretendonte se merrte shpallje hyjnore dhe e shihte veten si një reformator të dërguar për të mbrojtur besimin.
Pas vdekjes së tij në vitin 1908, lëvizja u nda në dy degë: Komuniteti Musliman Ahmadiyya dhe Lëvizja e Lahores. Ndërsa të dyja palët pranojnë vërtetësinë e poezisë së vitit 1905, interpretimet ndryshojnë. Dega e Lahores beson se profecia i referohej Luftës së Parë Botërore, ndërsa të tjerë mendojnë se bëhej fjalë për ngjarje sizmike në Indi.
Sidoqoftë, rikthimi i kësaj profecie në vitin 2026 përkon me momentin kur shkencëtarët po përditësojnë “Orën e Kiametit” (Doomsday Clock). Vitin e kaluar, ora qëndroi në 89 sekonda para mesnatës — pika më e afërt me katastrofën globale që njerëzimi ka arritur ndonjëherë në historinë 78-vjeçare të këtij matësi.
Profeci të tjera
Përveç poezisë së vitit 1905, Mirza Ghulam Ahmad njihet edhe për profeci të tjera që kanë nxitur debate. Një nga më të njohurat është ajo e vitit 1906, ku ai parashikoi “shkatërrimin e mbretërive” dhe ndryshime rrënjësore në hartën e botës. Sipas burimeve historike të lëvizjes, ai kishte paralajmëruar edhe për rënien e perandorive që dikur dukeshin të paprekshme, gjë që ndjekësit e tij e lidhin me shpërbërjen e Perandorisë Osmane dhe Austro-Hungareze pas Luftës së Parë Botërore. /Vrojtuesi


