Më 30 janar 1923, në Lozanë të Zvicrës, u vulos një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë ballkanike. Ajo që nisi si një marrëveshje diplomatike mes Turqisë dhe Greqisë, u shndërrua në një tragjedi njerëzore për mijëra shqiptarë, të cilët u dëbuan dhunshëm nga trojet e tyre shekullore vetëm sepse i përkisnin besimit mysliman, një akt që edhe sot, pas një shekulli, mbetet një plagë e hapur në memorien kombëtare.
Ky dokument legjitimoi shkëmbimin e detyrueshëm të popullsisë, duke larguar grekët ortodoksë nga Anadolli dhe myslimanët nga Greqia. Në këtë vorbull, mijëra shqiptarë të Çamërisë u trajtuan zyrtarisht si “turq”, duke u bërë viktima të një inxhinierie demografike që bazohej te besimi dhe jo te kombësia, shkruan Vrojtuesi.
Mekanizmi i Lozanës dhe fati i shqiptarëve
Sipas marrëveshjes që hyri në fuqi më 1 maj 1923, shkëmbimi nuk bazohej në përkatësinë etnike, por në atë konfesionale. Kjo do të thoshte se çdo person i besimit mysliman në Greqi konsiderohej “turk”, pavarësisht nëse fliste shqip apo kishte prejardhje tjetër.
Procesi mori karakter masiv në verën e vitit 1924, kur mijëra familje u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre shekullore. Greqia përdori dekrete ligjore për të përvetësuar pronat e shqiptarëve myslimanë, duke i trajtuar ata zyrtarisht si popullsi shkëmbyese.

Dokumentet arkivore të kohës dëshmojnë karakterin e prerë dhe të detyrueshëm të këtij procesi. Marrëveshja e Lozanës përcaktonte shpërnguljen pa kthim të shtetasve turq të besimit ortodoks nga Turqia dhe të shtetasve grekë të besimit mysliman nga Greqia. Dokumenti saktësonte se të gjithë personat e përfshirë në këtë shkëmbim duhej të braktisnin vendlindjen për të marrë nënshtetësinë e vendit të ri, duke u privuar përfundimisht nga e drejta për t’u rikthyer në vatrat e tyre.
Konventa e vitit 1938: Goditja ndaj shqiptarëve të Kosovës
Pas Lozanës, vala e dytë e madhe e shpërnguljeve u orkestrua përmes një konvente sekrete mes Mbretërisë Jugosllave dhe Republikës së Turqisë në vitin 1938. Edhe këtë herë, termi “popullatë turke” u përdor si mbulesë diplomatike për të larguar shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë nga trojet e tyre.
Dokumenti specifikonte qartë rajonet që do të prekeshin nga ky spastrim demografik. Në listë përfshiheshin Banovina e Vardarit, Zeta dhe Morava. Qytete si Prizreni, Tetova, Gostivari, Prishtina, Peja e Gjilani ishin në qendër të këtij plani për shpërnguljen e rreth 40,000 familjeve.

Neni 1 i kësaj Konvente përcaktonte se ajo vlente për shtetasit jugosllavë me ‘fé, kulturë dhe kombësi myslimane’. Megjithatë, dokumenti bënte një dallim të rëndësishëm, ai përjashtonte grupet që bënin jetë nomade (shtegtuese) dhe që nuk kishin një vendbanim të qëndrueshëm. Ky detaj zbulon qëllimin e vërtetë të marrëveshjes, e cila nuk synonte thjesht largimin e besimtarëve myslimanë, por goditjen e shtresës së qëndrueshme të banorëve shqiptarë. Këta të fundit ishin pronarë të shtëpive, fermave dhe trojeve shekullore, të cilat shteti jugosllav synonte t’i konfiskonte dhe t’i kthente në pronë shtetërore pas dëbimit të tyre.
Detajet e një eksodi të planifikuar
Marrëveshja e vitit 1938 ishte një projekt i detajuar financiar dhe logjistik. Qeveria jugosllave mori përsipër t’i paguante Turqisë shumën prej 500 lirash turke për çdo familje të shpërngulur. Në total, pagesa kapte shifrën prej 20 milionë lirash turke për 40,000 familje.
Sipas Nenit 7 të Konventës, pas kësaj pagese, të gjitha pasuritë e patundshme fshatare të shqiptarëve mbeteshin pronë e shtetit jugosllav. Kjo ishte një formë e hapur e blerjes së tokave përmes dëbimit të pronarëve legjitimë.

Shpërngulja ishte planifikuar të realizohej brenda gjashtë viteve (1939-1944). Procesi parashihte kuota vjetore që rriteshin gradualisht, nga 4,000 familje në vitin e parë deri në 8,000 familje në vitet e fundit. Periudha e lëvizjes ishte caktuar nga muaji maj deri në tetor të çdo viti.
Në Nenin 13, marrëveshja parashikonte se shteti jugosllav do të ofronte transport falas. “Të shpërngulurit do të jenë të lirë t’i likuidojnë ose t’i bartin me vete të gjitha mallrat e tyre të tundshme. Qeveria Jugosllave merr përsipër që t’i transportojë ato falas deri në limanin e zbarkimit të tyre në Selanik, duke përfshirë deri në 4 kafshë të mëdha dhe 10 të vogla për familje”, theksohej në këtë dokument.

Tragjedia e Çamërisë (1944-1945)
Përderisa marrëveshjet e vitit 1923 dhe 1938 kishin si destinacion Turqinë, periudha e fundit e Luftës së Dytë Botërore shënoi zhvendosjen më të dhunshme të shqiptarëve të Çamërisë drejt Shqipërisë. Ky nuk ishte më një “shkëmbim” diplomatik, por një dëbim me forcë.

Sipas të dhënave të Arkivit të Shtetit Shqiptar, gjatë operacioneve të forcave të gjeneralit Napoleon Zervas, rreth 25,000 deri në 28,000 shqiptarë u detyruan të kalonin kufirin. Ata u vendosën kryesisht në Fier, Vlorë, Durrës dhe Tiranë.
Raportet historike mbi pasuritë e çamëve tregojnë një bilanc të rëndë njerëzor dhe material. Mbi 2,700 persona humbën jetën gjatë rrugëtimit nga masakrat, uria dhe sëmundjet. Pas tyre mbetën mbi 6,000 shtëpi dhe një pasuri që sot vlerësohet në miliarda euro.
Shqiptarët në Turqinë moderne
Sot, pasojat e këtyre marrëveshjeve janë të dukshme në demografinë e Turqisë. Ky shtet mban numrin më të madh të qytetarëve me origjinë shqiptare në botë. Edhe pse Turqia nuk kryen regjistrime etnike vlerësimet sociologjike nxjerrin në pah shifra tejet të larta.
Rreth 500,000 deri në 1 milion persona e identifikojnë veten hapur si shqiptarë (identiteti aktiv), ndërsa numri i atyre që kanë të paktën një prind ose gjysh shqiptar luhatet nga 1.5 milionë deri në 5 milionë. Ky komunitet është i përqendruar në qytete si Stambolli, Izmiri, Bursa dhe Sakarya.
Një pjesë e madhe e këtij komuniteti janë pasardhës të drejtpërdrejtë të familjeve që u larguan përmes Konventës së vitit 1938, por edhe përmes të ashtuquajturës “Marrëveshje Xhentëlmene” e vitit 1953. Ky akord verbal, i arritur në Split të Kroacisë mes udhëheqësit jugosllav Josip Broz Tito dhe ministrit turk Fuat Köprülü, shërbeu si një pakt i fshehtë për të rinisur dëbimin masiv të shqiptarëve që ishte ndërprerë pas Luftës së Dytë Botërore.
Duke i detyruar ata të deklaroheshin me identitet të rremë turk për t’i shpëtuar shtypjes sistematike serbe, kjo marrëveshje shkaktoi një eksod të ri, ku vetëm brenda një dekade pas vitit 1953, mbi 100,000 shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia u zhvendosën drejt Anadollit.
Trashëgimia: Mes integrimit dhe asimilimit
Historia e këtyre shpërnguljeve tregon dy realitete të ndryshme. Në Shqipëri, komuniteti çam arriti të integrohej plotësisht në jetën politike dhe shoqërore, duke ruajtur me fanatizëm kërkesën për të drejtën e pronës dhe kthimit në trojet e tyre.
Në Turqi, shqiptarët kanë luajtur një rol kyç në ndërtimin e shtetit modern turk. Ata janë integruar në nivelet më të larta të ushtrisë, biznesit dhe politikës, duke u konsideruar si një shtyllë besnike dhe një forcë punëtore me integritet në shoqërinë turke. Megjithatë, kjo përshtatje është shoqëruar me një pasojë të ndjeshme identitare, asimilimin gjuhësor. Për shumë pasardhës të familjeve shqiptare të dëbuara në periudhat e hershme, gjuha shqipe sot ka mbetur vetëm një kujtim nostalgjik i dëgjuar nga rrëfimet e gjyshërve.
Sot, 103 vjet pas Lozanës, ky kapitull mbetet një dëshmi e dhimbshme e përdorimit të besimit fetar si mjet për spastrim demografik. Për mijëra shqiptarë, përkatësia në fenë islame u shndërrua në një kriter politik që u diktoi dëbimin, duke i lënë shtëpitë, xhamitë dhe varret e paraardhësve nën mëshirën e harresës. /Vrojtuesi


