spot_imgspot_img

148 vjet nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, lëvizja që bashkoi shqiptarët kundër copëtimit

Në fund të shekullit XIX, kufijtë e Ballkanit po ndryshonin me vendime të marra nga Perandoria Osmane dhe Fuqitë e Mëdha. Shqiptarët rrezikonin t’i shihnin trojet e tyre të ndara ndërmjet shteteve fqinje, pa pasur asnjë përfaqësues në tryezat ku po vendosej e ardhmja e tyre.

Më 10 qershor 1878, përfaqësues të viseve të ndryshme shqiptare u mblodhën në Prizren dhe themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në një kohë kur territoret ku jetonin shqiptarët ishin ende pjesë e Perandorisë Osmane. Shqiptarët po përballeshin me rrezikun që territoret ku jetonin të ndaheshin ndërmjet shteteve fqinje, ndërsa për fatin e tyre po vendosej në tryeza ndërkombëtare ku ata nuk kishin asnjë përfaqësues, shkruan Vrojtuesi.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u krijua fillimisht për ta kundërshtuar copëtimin e territoreve shqiptare. Megjithatë, brenda më pak se tri vjetësh, ajo u shndërrua në një lëvizje të gjerë politike dhe ushtarake, krijoi degë në qytete e krahina të ndryshme, mobilizoi mijëra luftëtarë, dërgoi përfaqësues në kryeqytetet evropiane dhe ngriti struktura që, në disa zona, morën përsipër funksione të administratës osmane.

Gjatë veprimtarisë së saj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u përball me pretendimet territoriale të Malit të Zi, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë, me vendimet e Fuqive të Mëdha dhe, në fund, me ushtrinë e Perandorisë Osmane. Stambolli e toleroi organizimin për aq kohë sa ai ndihmonte në ruajtjen e territoreve osmane, por e sulmoi sapo kërkesa shqiptare kaloi nga mbrojtja e kufijve te autonomia politike.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp ushtarakisht në pranverën e vitit 1881. Megjithatë, programi i formuluar në Prizren, bashkimi administrativ, vetëqeverisja, mbrojtja e territoreve dhe njohja e shqiptarëve si komb më vete, vazhdoi të ndikonte në lëvizjen kombëtare deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e më vonë edhe të Pavarësisë së Kosovës.

Kur për territoret shqiptare vendosej pa shqiptarët

Lidhja Shqiptare e Prizrenit lindi në një nga periudhat më të trazuara të historisë së Ballkanit. Lufta ruso-osmane e viteve 1877–1878 përfundoi me humbjen e Perandorisë Osmane dhe hapi rrugën për ndryshimin e kufijve në rajon.

Më 3 mars 1878, Rusia dhe Perandoria Osmane nënshkruan Traktatin e Shën Stefanit. Marrëveshja parashikonte krijimin e një Bullgarie shumë më të madhe dhe zgjerimin e Serbisë e të Malit të Zi. Në territoret që planifikohej t’u kalonin këtyre shteteve përfshiheshin edhe qytete e krahina të banuara nga shqiptarë.

Serbia kishte fituar tashmë Nishin, Pirotin, Vranjën, Toplicën dhe zona të tjera pas luftës me Perandorinë Osmane. Nga këto krahina u dëbuan me dhunë dhjetëra mijëra shqiptarë dhe banorë të tjerë myslimanë, pjesa më e madhe e të cilëve u vendos në Kosovë.

Mali i Zi kërkonte Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën, Tivarin dhe dalje më të gjerë në Adriatik. Në jug, Greqia kishte pretendime mbi Janinën, Prevezën dhe territore të tjera të Epirit, ku jetonin shqiptarë, grekë, vlleh dhe popullsi të tjera. Projekti i Bullgarisë së madhe prekte zona të Maqedonisë osmane ku kishte gjithashtu prani shqiptare.

Traktati i Shën Stefanit shqetësoi Britaninë e Madhe dhe Austro-Hungarinë, të cilat nuk dëshironin një shtet të madh bullgar nën ndikimin rus. Për këtë arsye, marrëveshja u rishikua në Kongresin e Berlinit, i cili filloi më 13 qershor 1878.

Por ndryshimi i marrëveshjes nuk nënkuptonte mbrojtje të interesave shqiptare. Fuqitë e Mëdha diskutuan për territoret ku jetonin shqiptarët, pa i njohur ata si palë politike dhe pa u dhënë vend në tryezën e bisedimeve.

kongresi-berlinit-1878-fuqite-e-medha
Gravurë e bazuar në pikturën e Anton von Wernerit, që paraqet përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në seancën përfundimtare të Kongresit të Berlinit, ku u morën vendime për kufijtë e Ballkanit pa përfaqësimin e shqiptarëve.

Pikërisht për këtë arsye, Kuvendi i Prizrenit u mbajt vetëm tri ditë para hapjes së Kongresit të Berlinit. Përfaqësuesit shqiptarë duhej të krijonin urgjentisht një qëndrim të përbashkët, përpara se vendimet për kufijtë e Ballkanit të merrnin formë përfundimtare.

Organizimi i Lidhjes Shqiptare së Prizrenit kishte nisur në Stamboll

Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk ishte një reagim i papritur. Përgatitjet kishin nisur disa muaj më herët, kur u bë e qartë se humbja e Perandorisë Osmane mund të sillte ndarjen e territoreve të banuara nga shqiptarët.

Më 18 dhjetor 1877, veprimtarë shqiptarë krijuan në Stamboll Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, të njohur si Komiteti i Stambollit. Në të bënin pjesë Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Sami Frashëri, Mihal Harito, Mehmet Ali Vrioni dhe figura të tjera politike e kulturore.

Anëtarët e Komitetit të Stambollit kishin kuptuar se shqiptarët nuk mund të mbështeteshin vetëm te Perandoria Osmane. Stambolli ishte i dobësuar dhe, për të shpëtuar atë që mundej nga territoret e veta, ishte i gatshëm të pranonte lëshime në dëm të popullsive që jetonin në skajet e perandorisë.

Prizreni u zgjodh si vendi i kuvendit për shkak të pozitës së tij politike dhe gjeografike. Qyteti kishte lidhje të drejtpërdrejta me Kosovën, Shqipërinë Veriore, Maqedoninë osmane dhe zonat pranë kufirit me Malin e Zi. Ai ndodhej gjithashtu afër krahinave që rrezikoheshin të shkëputeshin të parat.

Në Kuvendin e Prizrenit morën pjesë prijës vendorë, përfaqësues të familjeve me ndikim, klerikë fetarë, intelektualë dhe drejtues ushtarakë. Përfaqësimi nuk ishte i plotë që në ditën e parë. Delegatë nga vise të tjera iu bashkuan organizatës gjatë javëve dhe muajve pasues, ndërsa degët u shtrinë gradualisht në veri dhe në jug.

kuvendi-lidhja-shqiptare-prizrenit-1878
Paraqitje artistike e Kuvendit të Prizrenit, ku përfaqësues nga vise të ndryshme shqiptare u mblodhën më 10 qershor 1878 dhe themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Ndër figurat kryesore u dalluan Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Iljaz Pashë Dibra, Sulejman Vokshi, Ali Pashë Gucia, Haxhi Zeka, Daut Boriçi dhe shumë drejtues të tjerë politikë e ushtarakë.

portrete-drejtuesit-lidhja-shqiptare-prizrenit
Portrete të disa prej figurave kryesore politike dhe ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të ekspozuara në kompleksin muzeor në Prizren.

Çfarë përfshinin katër vilajetet?

Kërkesa politike që fitoi peshë brenda Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte bashkimi në një njësi të vetme i katër vilajeteve osmane ku jetonte një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare: Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.

harta-kater-vilajetet-shqiptare-1878
Hartë ilustruese e vilajeteve të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës, ndërmjet të cilave ishte e ndarë pjesa më e madhe e trojeve të banuara nga shqiptarët rreth vitit 1878.

Vilajetet ishin njësi të mëdha administrative të Perandorisë Osmane dhe kufijtë e tyre nuk përputhen me kufijtë e sotëm shtetërorë. Pjesa më e madhe e trojeve të banuara nga shqiptarët ishte e ndarë ndërmjet vilajeteve të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Në shumë krahina shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë, ndërsa në pjesë të tjera jetonin edhe komunitete sllave, greke, vllahe, turke, hebraike dhe të tjera.

Vilajeti i Kosovës përfshinte pjesën më të madhe të Kosovës së sotme, por shtrihej edhe drejt Shkupit, Tetovës, Kumanovës, Novi Pazarit dhe pjesëve të Serbisë së sotme jugore. Qendrat dhe kufijtë e tij administrativë ndryshuan disa herë gjatë sundimit osman.

Vilajeti i Shkodrës përfshinte Shkodrën, viset e Shqipërisë Veriore e Veriperëndimore dhe zona pranë kufirit të sotëm me Malin e Zi. Në periudha të caktuara, në këtë vilajet përfshiheshin edhe Durrësi, Lezha dhe krahina të tjera të Shqipërisë së sotme.

Vilajeti i Manastirit shtrihej në pjesë të Shqipërisë së sotme lindore e juglindore dhe në një pjesë të madhe të Maqedonisë së sotme të Veriut. Ai përfshinte qendra si Manastiri, Dibra, Korça, Ohri dhe zona të tjera përreth.

Vilajeti i Janinës përfshinte pjesë të Shqipërisë së sotme jugore dhe të Epirit. Brenda tij ndodheshin Janina, Gjirokastra, Preveza, Berati dhe krahina të tjera që sot ndahen ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Kërkesa për bashkimin e tyre nuk nënkuptonte se çdo pjesë e katër vilajeteve kishte shumicë shqiptare. Synimi ishte që popullsia shqiptare, e shpërndarë në disa administrata osmane, të mos mbetej e ndarë dhe pa një qendër të përbashkët politike.

Një administratë e vetme do t’u jepte shqiptarëve mundësi të kishin nëpunës që njihnin gjuhën dhe rrethanat vendore, t’i përdornin të ardhurat për nevojat e krahinave të tyre, të organizonin mbrojtjen dhe të zhvillonin arsimin në gjuhën shqipe.

Të bashkuar kundër copëtimit, por të ndarë për të ardhmen

Përfaqësuesit e mbledhur në Prizren pajtoheshin për një çështje, e ajo ishte se territoret e banuara nga shqiptarët nuk duhej t’u dorëzoheshin shteteve fqinje. Për mënyrën se si duhej të arrihej ky synim, megjithatë, kishte dallime të thella.

Një pjesë e drejtuesve mendonte se mbrojtja mund të organizohej duke ruajtur besnikërinë ndaj sulltanit. Sipas tyre, Lidhja Shqiptare e Prizrenit duhej ta ndihmonte Perandorinë Osmane t’i mbronte kufijtë nga Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, pa kërkuar shkëputje politike nga Stambolli.

Krahu kombëtar, i përfaqësuar veçanërisht nga Abdyl Frashëri dhe bashkëpunëtorët e tij, kërkonte një program më të gjerë. Shqiptarët, sipas tyre, duhej të njiheshin si një komb më vete dhe të bashkoheshin në një njësi autonome me administratë të përbashkët.

Këto dallime shpjegojnë pse dokumentet e para të miratuara në Prizren ishin të kujdesshme ndaj Perandorisë Osmane. Kararnamaja, dokumenti që përmbante vendimet e para të kuvendit, përqendrohej kryesisht te mbrojtja e territoreve dhe nuk e paraqiste hapur kërkesën për autonomi.

Me kalimin e kohës, ky qëndrim ndryshoi. Vendimet e Fuqive të Mëdha, përplasjet me administratën osmane dhe përvoja e organizimit në terren bindën gjithnjë e më shumë drejtues se mbrojtja e trojeve shqiptare nuk mund t’i lihej vetëm Stambollit dhe se nevojitej bashkimi i tyre në një administratë autonome.

Në atë fazë, synimi kryesor nuk ishte ende shpallja e menjëhershme e një shteti të pavarur. Autonomia brenda Perandorisë Osmane, me administratë shqiptare dhe kompetenca të gjera vendore, por nën sovranitetin e sulltanit, shihej si zgjidhja më e realizueshme për bashkimin administrativ, mbrojtjen e territoreve dhe krijimin e institucioneve shqiptare.

Si funksiononte Lidhja Shqiptare e Prizrenit?

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk mbeti një kuvend që mblidhej vetëm për të miratuar deklarata. Brenda një kohe të shkurtër, ajo ndërtoi një rrjet politik, administrativ dhe ushtarak që shtrihej në shumë qytete e krahina të banuara me shqiptarë.

Kuvendi i Përgjithshëm merrte vendimet kryesore politike. Në Prizren vepronte organi qendror, i cili koordinonte marrëdhëniet me degët vendore, mbrojtjen ushtarake, komunikimin me Perandorinë Osmane dhe përpjekjet diplomatike jashtë vendit.

Iljaz Pashë Dibra drejtoi punimet e kuvendit themelues, ndërsa Ymer Prizreni u bë një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Abdyl Frashëri kishte rol qendror në formulimin e programit politik dhe në diplomaci, kurse Sulejman Vokshi u dallua në organizimin e forcave të armatosura. Ali Pashë Gucia pati një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë.

Në vilajete, sanxhaqe, qytete dhe krahina u krijuan komitete vendore. Ato mobilizonin vullnetarë, siguronin armë e ushqime, mblidhnin kontribute, përcillnin urdhrat dhe organizonin mbrojtjen.

luftetare-shqiptare-te-armatosur-shekulli-xix
Grup luftëtarësh shqiptarë të armatosur, në një fotografi historike që ilustron organizimin dhe mobilizimin e forcave vullnetare shqiptare.

Në zonat ku kishte më shumë ndikim, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mori përsipër edhe ruajtjen e rendit, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe mbledhjen e të ardhurave. Kjo strukturë i dha Lidhjes mundësinë të vepronte njëkohësisht në disa fronte, megjithëse komunikimi dhe furnizimi mbetën probleme të vazhdueshme.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dërgonte gjithashtu memorandume dhe protesta zyrtare në Stamboll e në kryeqytetet evropiane. Kështu, përpjekja shqiptare zhvillohej njëkohësisht përmes diplomacisë dhe rezistencës së armatosur.

Përplasja e Gjakovës ndryshoi marrëdhënien me Stambollin

Perandoria Osmane nuk e kundërshtoi menjëherë krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Rezistenca ndaj shkëputjes së territoreve i shërbente edhe Stambollit, i cili kërkonte të zvogëlonte humbjet pas luftës me Rusinë.

Ky bashkëpunim i heshtur nuk zgjati shumë. Përplasja e parë e madhe ndodhi në Gjakovë, në shtator të vitit 1878, kur Porta e Lartë dërgoi Mehmet Ali Pashën për ta mbikëqyrur zbatimin e vendimeve territoriale.

Mehmet Ali Pasha ishte një nga përfaqësuesit osmanë në Kongresin e Berlinit. Misioni i tij përfshinte përgatitjen e dorëzimit të Plavës dhe Gucisë Malit të Zi, vendim që kundërshtohej nga popullsia vendore dhe nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Pasi mbërriti në Gjakovë, ai u vendos në kullat e Abdullah Pashë Drenit. Përfaqësuesit e organizatës i kërkuan të largohej dhe të mos vazhdonte me zbatimin e marrëveshjes.

Mehmet Ali Pasha nuk pranoi. Pas disa ditësh rrethimi, shpërthyen luftime të ashpra. Mehmet Ali Pasha, Abdullah Pashë Dreni dhe shumë luftëtarë nga të dyja palët u vranë.

Përplasja e Gjakovës tregoi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e gatshme të luftonte jo vetëm kundër ushtrive të shteteve fqinje, por edhe kundër përfaqësuesve osmanë që zbatonin vendime në dëm të territoreve shqiptare.

Nga ai moment, Stambolli filloi ta shihte organizatën me më shumë dyshim. Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk po sillej më si një forcë vendore nën kontrollin e sulltanit, por si një autoritet që merrte vendime të pavarura.

Luftimet që e ndalën marrjen e Plavës dhe Gucisë

Kongresi i Berlinit kishte vendosur që Plava dhe Gucia t’i kalonin Malit të Zi. Banorët vendas dhe drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e kundërshtuan vendimin dhe filluan përgatitjet për mbrojtje.

Në zonë u mblodhën luftëtarë nga Plava, Gucia, Kosova, Malësia dhe krahina të tjera. Organizimin e drejtonin prijës vendorë dhe strukturat ushtarake të organizatës, me Ali Pashë Gucinë ndër figurat më të njohura.

ali-pashe-gucia-lidhja-shqiptare-prizrenit
Portret i Ali Pashë Gucisë, një prej figurave të rëndësishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe drejtues i njohur i qëndresës për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë.

Luftimet më të rëndësishme u zhvilluan pranë Nokshiqit, në fund të vitit 1879 dhe në fillim të vitit 1880. Forcat malazeze u përpoqën të hynin në territor, por u përballën me rezistencë të organizuar dhe nuk arritën t’i merrnin këto territore.

Mbrojtja e Plavës dhe Gucisë ishte një nga sukseset më të mëdha të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për herë të parë, një vendim i mbështetur nga Fuqitë e Mëdha nuk mundi të zbatohej menjëherë për shkak të rezistencës shqiptare.

Por ky sukses nuk e anuloi vendimin ndërkombëtar. Fuqitë evropiane kërkuan territore të tjera që mund t’i jepeshin Malit të Zi si kompensim.

Fillimisht u propozua dorëzimi i Hotit dhe Grudës. Edhe atje u organizua rezistencë, ndërsa popullsia vendore kundërshtoi kalimin nën administrimin malazez.

Pas dështimit të kësaj zgjidhjeje, presioni u zhvendos drejt Ulqinit.

Ulqini, vendi ku u bashkuan kundër shqiptarëve presioni evropian dhe forca osmane

Dorëzimi i Ulqinit u bë një nga momentet më të vështira për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Banorët e qytetit dhe forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundërshtuan kalimin e tij nën Malin e Zi, ndërsa Porta e Lartë përpiqej të shmangte një përplasje të re me Fuqitë e Mëdha.

Për ta detyruar Perandorinë Osmane ta zbatonte vendimin, Britania e Madhe, Austro-Hungaria, Franca, Italia, Gjermania dhe Rusia organizuan një demonstrim të përbashkët detar në Adriatik.
Mesazhi ishte i qartë: nëse Stambolli nuk e dorëzonte Ulqinin, presioni diplomatik dhe ushtarak do të rritej.

Perandoria Osmane dërgoi trupa nën komandën e Dervish Pashës. Pas dështimit të bisedimeve, forcat osmane sulmuan pozicionet e mbrojtësve shqiptarë dhe hynë në Ulqin në nëntor të vitit 1880.
Më 26 nëntor, qyteti iu dorëzua Malit të Zi.

Ngjarja e Ulqinit tregoi se çështja ishte shumë e ndërlikuar. Shqiptarët nuk po luftonin vetëm me Malin e Zi. Përballë tyre qëndronin edhe ushtria osmane dhe vullneti i përbashkët i Fuqive të Mëdha për ta zbatuar marrëveshjen.

Forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mund ta ndalonin përkohësisht një ushtri fqinje, siç kishte ndodhur në Plavë e Guci. Por ato nuk kishin mundësi ta përballonin njëkohësisht Perandorinë Osmane dhe presionin e koordinuar të fuqive më të mëdha evropiane.

Shqiptarët kërkuan mbështetje në Evropë, por nuk gjetën aleatë

Krahas rezistencës së armatosur, drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përpoqën ta paraqisnin çështjen shqiptare edhe në qarqet diplomatike evropiane. Ata hartuan memorandume dhe kërkesa zyrtare, përmes të cilave kundërshtonin copëtimin e territoreve shqiptare dhe kërkonin njohjen e shqiptarëve si komb me të drejta politike.

Në pranverën e vitit 1879, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni vizituan Romën, Parisin, Londrën, Berlinin dhe Vjenën. Ata u përpoqën t’i bindnin qeveritë evropiane se ndarja e territoreve të banuara nga shqiptarët nuk do të sillte stabilitet, por konflikte të reja.

Delegatët kërkuan që shqiptarëve t’u njihej e drejta për një administratë të përbashkët. Ata argumentuan se një popullsi e shpërndarë ndërmjet disa shteteve do të mbetej burim konfliktesh të vazhdueshme.

Por asnjë shtet nga Fuqitë e Mëdha nuk e mbështeti zyrtarisht autonominë shqiptare. Rusia mbështeste zgjerimin e shteteve sllave, ndërsa Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe mendonin kryesisht për kufizimin e ndikimit rus dhe ruajtjen e ekuilibrit në rajon.

Të drejtat kombëtare të shqiptarëve nuk ishin përparësi për diplomacinë evropiane. Për Fuqitë e Mëdha, territoret shqiptare ishin pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për riorganizimin e Ballkanit.

Megjithatë, veprimtaria diplomatike pati rëndësi. Për herë të parë, çështja shqiptare iu paraqit qeverive evropiane si kërkesë e organizuar politike, jo vetëm si kundërshtim i një krahine ndaj ndryshimit të kufirit.

Nga mbrojtja e territoreve te kërkesa për autonomi

Dorëzimi i Ulqinit e dobësoi besimin se Perandoria Osmane mund t’i mbronte territoret e banuara nga shqiptarët. Brenda Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u forcua bindja se nevojitej një administratë e përbashkët, e aftë të merrte vendime pa pritur urdhra nga Stambolli.

Programi për autonomi parashikonte bashkimin e katër vilajeteve në një njësi të vetme. Administrata vendore do të drejtohej nga njerëz që njihnin gjuhën dhe kushtet e vendit, ndërsa një pjesë e të ardhurave do të përdorej për zhvillimin ekonomik, mbrojtjen dhe arsimin.

Gjuha shqipe do të përdorej në shkolla dhe në administratën vendore. Kjo kërkesë kishte rëndësi të veçantë, sepse shqipja nuk gëzonte status zyrtar dhe shqiptarët e besimeve të ndryshme arsimoheshin kryesisht në gjuhët e komuniteteve fetare ose në turqisht.

Në fund të vitit 1880 dhe në fillim të vitit 1881, Lidhja Shqiptare e Prizrenit filloi të merrte nën kontroll administratën në disa qendra. Forcat e saj larguan ose zëvendësuan zyrtarë osmanë në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Dibër dhe zona të tjera.

Komitetet vendore filluan të mblidhnin taksa, të ruanin rendin dhe të organizonin gjykata e forca sigurie. Për disa muaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit veproi në një pjesë të territorit si autoritet paralel me Perandorinë Osmane.

Në janar të vitit 1881 u krijua një qeveri e përkohshme. Në krye të saj ishte Ymer Prizreni, ndërsa Shuaip Spahiu shërbente si nënkryetar. Abdyl Frashëri kishte rol kryesor në çështjet politike dhe marrëdhëniet me jashtë, kurse Sulejman Vokshi drejtonte organizimin ushtarak.

Ky zhvillim e ndryshoi përfundimisht marrëdhënien me Stambollin. Për Perandorinë Osmane, nuk bëhej më fjalë për një organizatë që kundërshtonte humbjen e territoreve, por për një pushtet që po ndërtonte administratë, ushtri dhe financa jashtë kontrollit të sulltanit.

Si u shtyp Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Në pranverën e vitit 1881, sulltani Abdyl Hamiti II vendosi ta shkatërronte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Detyra iu besua Dervish Pashës, i cili u dërgua me një ushtri të rregullt dhe me artileri.

Forcat osmane kishin epërsi të madhe në numër, furnizim, armatim dhe komandë. Përballë tyre qëndronin luftëtarë vullnetarë shqiptarë, të organizuar në njësi vendore dhe pa furnizim të njëtrajtshëm.

Luftimet kryesore u zhvilluan në prill të vitit 1881, në zonën e Shtimes dhe të Slivovës. Forcat e drejtuara nga Sulejman Vokshi dhe prijës të tjerë bënë rezistencë, por nuk arritën ta ndalonin përparimin e ushtrisë osmane.

Ndër luftëtarët që u dalluan në betejat e Shtimes dhe të Slivovës ishte Mic Sokoli, prijës nga Malësia e Gjakovës dhe një nga figurat më të njohura të qëndresës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai ra gjatë luftimeve kundër ushtrisë osmane në prill të vitit 1881. Në kujtesën kombëtare shqiptare, Mic Sokoli u përjetësua për aktin e tij heroik përballë artilerisë së Dervish Pashës, i paraqitur në pikturë dhe në këngët popullore duke i vënë gjoksin grykës së topit. Sakrifica e tij u bë simbol i vendosmërisë së luftëtarëve shqiptarë për të mbrojtur të drejtën e tyre për vetëqeverisje dhe trojet shqiptare.

Mic_Sokoli
Paraqitje artistike e Mic Sokolit në çastin kur, sipas kujtesës historike dhe këngëve popullore, i vuri gjoksin grykës së topit gjatë përballjes me forcat osmane në betejat e vitit 1881.

Pas thyerjes së mbrojtjes, trupat e Dervish Pashës hynë në Prizren më 24 prill. Selia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u mor nën kontroll, dokumentet dhe vulat u sekuestruan, ndërsa komitetet filluan të shpërbëheshin.

Rezistenca vazhdoi për disa javë në Malësinë e Gjakovës dhe në zona të tjera, por pa një qendër të përbashkët komanduese nuk mundi të ndalonte operacionin osman.

Shumë pjesëmarrës u vranë, u burgosën ose u internuan. Abdyl Frashëri u arrestua dhe u dënua me burgim të rëndë. Ymer Prizreni u largua nga territoret nën kontrollin osman, ndërsa Sulejman Vokshi u fsheh dhe vazhdoi të ndiqej për disa vjet.

Administrata ushtarake osmane u rikthye në zonat ku kishte vepruar qeveria e përkohshme. Komitetet vendore u mbyllën, forcat u çarmatosën dhe drejtuesit u larguan nga funksionet që kishin marrë.

Deri në maj të vitit 1881, struktura kryesore politike dhe ushtarake e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte shkatërruar.

Me kë u përball Lidhja Shqiptare e Prizrenit?

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u përball në disa fronte dhe me fuqi të ndryshme. Mali i Zi ishte përballë saj drejtpërdrejt në Plavë, Guci, Hot, Grudë dhe Ulqin. Serbia kishte zgjeruar kufijtë në territore të banuara nga shqiptarë dhe vazhdonte të kishte pretendime mbi Kosovën. Greqia kërkonte zgjerim drejt Epirit, ndërsa projekti për krijimin e një Bullgarie të madhe përfshinte edhe pjesë të Maqedonisë osmane ku jetonin shqiptarët.

Rusia i mbështeste në mënyrë të veçantë shtetet sllave të Ballkanit. Fuqitë e tjera evropiane nuk vepronin domosdoshmërisht kundër shqiptarëve si komb, por i trajtonin territoret e tyre si pjesë të pazareve diplomatike dhe të ekuilibrit ndërmjet Fuqive të Mëdha.

Perandoria Osmane pati rolin më të dyfishtë. Ajo e toleroi organizimin kur rezistenca shqiptare ndihmonte në ruajtjen e territoreve osmane, por nuk ishte e gatshme të pranonte autonominë dhe humbjen e kontrollit mbi administratën, taksat e ushtrinë.

Kur shqiptarët kërkuan të vendosnin vetë për çështjet e tyre, Perandoria Osmane u shndërrua nga aleate e përkohshme në forcën që e shtypi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Pse nuk arriti t’i realizonte synimet?

Lidhja Shqiptare e Prizrenit hyri në një përballje shumë më të madhe sesa mundësitë që kishte në dispozicion.

Ajo nuk kishte një shtet që ta mbështeste me armë, para ose diplomaci. Përballë saj ishin ushtri të rregullta, qeveri të njohura ndërkombëtarisht dhe marrëveshje të miratuara nga fuqitë kryesore të Evropës.

Territoret ku vepronte Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishin të gjera dhe të ndara nga male, rrugë të dobëta dhe kufij administrativë. Transporti i armëve, ushqimeve dhe luftëtarëve ishte i vështirë, ndërsa komunikimi ndërmjet veriut dhe jugut kërkonte kohë.

Edhe brenda Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishte dallime. Autonomistët kërkonin institucione shqiptare, një pjesë e drejtuesve dëshironte të ruante lidhjet me sulltanin, ndërsa disa prijës vendorë përqendroheshin kryesisht te mbrojtja e krahinës së tyre.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit arriti të mobilizonte mijëra njerëz, por nuk mundi të krijonte një ushtri të rregullt me komandë, armatim dhe furnizim të njëjtë.

Megjithatë, dështimi për ta krijuar autonominë nuk e zhvlerësoi atë që ishte arritur. Brenda tri vjetësh, shqiptarët kishin ndërtuar për herë të parë një organizatë me program të përbashkët politik, diplomatik, ushtarak dhe administrativ.

Nga Prizreni deri te Pavarësia e Shqipërisë

Para vitit 1878, kryengritjet shqiptare kishin qenë shpesh të kufizuara në krahina të caktuara dhe të lidhura me probleme vendore. Lidhja Shqiptare e Prizrenit i bashkoi këto shqetësime në një program më të gjerë kombëtar.

Ajo e vendosi në qendër idenë se shqiptarët, pavarësisht krahinës dhe besimit, kishin interesa të përbashkëta politike. Mbrojtja e Plavës apo e Ulqinit nuk paraqitej më vetëm si çështje e banorëve vendas, por si çështje e të gjithë shqiptarëve.

Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kërkesat për gjuhën, arsimin, autonominë dhe bashkimin administrativ vazhduan përmes shoqërive kulturore, botimeve dhe organizimeve të reja politike.

Lidhja Shqiptare e Pejës, e krijuar në vitin 1899, u përpoq ta ringjallte organizimin e përbashkët. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 miratoi alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe, ndërsa kryengritjet e viteve 1910, 1911 dhe 1912 e dobësuan më tej pushtetin osman në territoret shqiptare.

Më 28 nëntor 1912, Kuvendi i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ky zhvillim nuk ishte pasojë e drejtpërdrejtë vetëm e ngjarjeve të Prizrenit, por shumë nga kërkesat politike të vitit 1912 ishin formuluar për herë të parë në mënyrë të organizuar gjatë viteve 1878–1881.

Vendimet ndërkombëtare të vitit 1913 lanë Kosovën, pjesë të Maqedonisë së sotme të Veriut dhe territore të tjera me popullsi shqiptare jashtë shtetit të ri shqiptar.

Për këtë arsye, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbeti veçanërisht e rëndësishme në kujtesën historike të shqiptarëve të Kosovës. Prizreni ishte qendra politike e saj, ndërsa Gjakova, Shtimja, Slivova dhe zonat e Plavës e Gucisë ishin ndër vendet ku u zhvilluan luftimet kryesore.

tubim-prane-kompleksit-lidhja-prizrenit
Tubim popullor pranë kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në një fotografi të mëvonshme që dëshmon rëndësinë e kësaj ngjarjeje në kujtesën kombëtare shqiptare.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk arriti ta ndalonte përfundimisht copëtimin dhe as ta siguronte autonominë. Por ajo ndryshoi mënyrën se si shqiptarët e shihnin veten dhe të ardhmen e tyre politike.

Deri atëherë, Fuqitë e Mëdha i kishin trajtuar territoret ku jetonin shqiptarët si pjesë të Perandorisë Osmane që mund të ndahej ndërmjet shteteve të tjera. Pas Prizrenit, shqiptarët u paraqitën si një bashkësi politike që kërkonte të fliste dhe të vendoste vetë për territorin, administratën dhe të ardhmen e saj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u mposht me armë në vitin 1881, por ideali që ajo mbolli nuk u shua asnjëherë. Ajo ua përforcoi shqiptarëve bindjen se, pavarësisht krahinës dhe besimit, i përkisnin një kombi të vetëm, me gjuhë, troje dhe fat të përbashkët. Kjo vetëdije kombëtare u trashëgua brez pas brezi dhe vazhdoi t’i frymëzonte përpjekjet për liri, bashkim dhe të drejtën e shqiptarëve për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre. Pikërisht për këtë arsye, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të historisë dhe të identitetit kombëtar shqiptar. /Vrojtuesi

Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here