Një incident i çuditshëm ka ndërprerë shërbesën e shenjtë të vigjiljes së Krishtlindjes në Katedralen e famshme të Këlnit në Gjermani, duke shkaktuar konfuzion dhe frikë te mijëra besimtarë.
Siç raporton e përditshmja gjermane Bild, ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës rreth orës 16:30, kur një individ i panjohur, i veshur me një mantel të zi, maskë të artë dhe veshë pellushi në kokë, çau papritur turmën dhe doli para altarit, transmeton Vrojtuesi.
Veprimi i tij i befasishëm ndodhi pikërisht në momentet më solemne të ceremonisë, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë të pranishmëve që kishin mbushur kishën gotike.
Sipas përshkrimeve nga Berliner Kurier, situata mori trajta surreale kur personi i maskuar nisi të performonte një vallëzim të improvizuar mu në qendër të katedrales.
Ky veprim nuk u prit vetëm me habi, por edhe me frikë nga disa vizitorë, të cilët fillimisht nuk e kuptuan nëse bëhej fjalë për një kërcënim real.
Rojet e sigurisë së katedrales, të njohur si “Domschweizer”, reaguan me shpejtësi, duke e kapur personin dhe duke e shoqëruar jashtë pa asnjë rezistencë, ndërsa pamjet e incidentit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.
Policia e Këlnit konfirmoi për Bild se fatmirësisht nuk pati të lënduar dhe se oficerët nuk u desh të ndërhynin forcërisht, pasi situata u menaxhua nga stafi i brendshëm.
Deri në këto momente, identiteti i personit në fjalë nuk është bërë i ditur publikisht dhe as motivet që e shtynë drejt këtij akti bizar mbeten mister. Nuk dihet ende nëse bëhej fjalë për ndonjë performancë artistike të dështuar, një protestë të heshtur apo thjesht një veprim i papërgjegjshëm për vëmendje në rrjetet sociale.
Ky nuk është rasti i parë që solemniteti i Katedrales së Këlnit cenohet nga incidente të bujshme gjatë festave.
Kujtojmë se në vitin 2013, pikërisht gjatë meshës së Krishtlindjes në këtë katedrale, aktivistja e grupit “Femen”, Josephine Witt, shkaktoi një skandal botëror kur u ngjit mbi altar gjysmë e zhveshur. Ajo ndërpreu ceremoninë duke thirrur me zë të lartë “Unë jam Zoti”, një ngjarje që atëkohë bëri jehonë botërore.
Po ashtu, kishat në Evropë janë përballur vitet e fundit me aksione të ngjashme, ku shpesh aktivistë të klimës apo grupe anarkiste kanë zgjedhur pikërisht momentet e ceremonive të mëdha për të përcjellë mesazhet e tyre, duke shfrytëzuar vëmendjen maksimale të publikut dhe mediave. /Vrojtuesi


