spot_imgspot_img

Christopher Hill thyen heshtjen, rrëfen se pse dëshmoi për Hashim Thaçin në Hagë

spot_imgspot_img

Ambasadori amerikan Christopher Hill ka rrëfyer ekskluzivisht arsyet e forta morale pas dëshmisë së tij në Hagë në mbrojtje të Hashim Thaçit, duke deklaruar prerë se gjatë luftës nuk pa asnjë provë që ish-kreu i UÇK-së të ketë urdhëruar krime.

Në një rrëfim të rrallë dhe të drejtpërdrejtë, diplomati veteran që luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës, ka zbardhur prapaskenat e vendimit të tij për të dalë para trupit gjykues.

Duke folur për Euronews Albania, Hill theksoi se veprimi i tij nuk ishte një manovër politike apo rezultat i ndonjë presioni profesional, por një detyrim i pastër moral përballë një procesi gjyqësor që po mban në paraburgim ish-presidentin e Kosovës prej pesë vitesh.

Diplomati amerikan sqaroi pozicionin e tij unik si dëshmitar okular i ngjarjeve në terren, duke sfiduar narrativën e prokurorisë mbi strukturën komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ambasadori Hill e bëri të qartë se gjatë kohës që shërbeu në Kosovë, ai vizitoi fshatra të shumta dhe pa me sytë e tij pasojat e tmerrshme të luftës. Ai pranoi se krime lufte kishin ndodhur padyshim, duke përfshirë ato të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve, por edhe krime të tjera. Megjithatë, dëshmia e tij fokusohet në mungesën totale të provave që lidhin drejtpërdrejt Hashim Thaçin me urdhërimin apo ekzekutimin e këtyre akteve.

Diplomati amerikan nënvizoi se askush nuk i kërkoi mbështetje, por vendosi të fliste me disa njerëz sepse e ndjente si barrë morale. Fakti që Thaçi ndodhet në paraburgim prej rreth pesë vitesh ishte një faktor shtytës për diplomatin, i cili udhëtoi drejt Hagës për të dëshmuar për tre ditë me radhë. Ai e përshkroi përballjen me prokurorin si të ashpër, por këmbënguli se mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së në ato rrethana pa prova konkrete urdhërdhënieje, i dukej e padrejtë.

Rrëzimi i tezës së prokurorisë për “komandën vertikale”

Një nga pikat më kritike të dëshmisë së Hillit lidhet me mënyrën se si funksiononte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Prokuroria e Dhomave të Specializuara ka ndërtuar një pjesë të madhe të çështjes mbi idenë se UÇK-ja ishte një organizatë ushtarake me hierarki të rreptë vertikale, ku urdhrat jepeshin nga kreu dhe zbatoheshin verbërisht deri në fund. Hill e hodhi poshtë këtë pretendim si një ekzagjerim të realitetit të kohës.

Sipas diplomatit amerikan, në terren kishte shumë aktorë të pavarur dhe mungonte një zinxhir komandues i centralizuar që të kontrollonte çdo veprim, shkruan Vrojtuesi.

Ambasadori Hill e ka trajtuar këtë çështje edhe në librin e tij, duke theksuar se UÇK-ja përpiqej të bindte SHBA-në se ishte e strukturuar mirë, por realiteti ishte ndryshe. Ai argumentoi para gjykatësve se nuk ka parë prova që Thaçi të ishte personi që jepte urdhra për vrasje apo krime dhe se çdo gjykim duhet të bazohet strikt mbi fakte të provuara dhe jo mbi supozime organizative.

Kjo perspektivë mbi strukturën e UÇK-së është thelbësore për mbrojtjen, pasi minon konceptin e përgjegjësisë komanduese për krimet e kryera nga individë të pakontrolluar në terren. Hill u shpreh se nuk e pranoi kurrë idenë se kishte një UÇK me një person të vetëm në krye që dirigjonte gjithçka. Për të, roli i Thaçit ishte më kompleks dhe shpeshherë i kufizuar nga dinamikat e brendshme të grupeve të ndryshme që operonin në Kosovë.

Prapaskenat e Rambusë

Për të ilustruar mungesën e fuqisë absolute të Thaçit, Hill solli në vëmendje negociatat e famshme të Rambusë. Ai tregoi se si Thaçi, edhe kur binte dakord për çështje të caktuara në tryezën e bisedimeve, nuk mund të merrte vendime përfundimtare pa u konsultuar me të tjerët në Kosovë. Hill u shpreh i habitur në atë kohë nga ky fakt, duke qenë se Thaçi prezantohej si përgjegjës, por më vonë kuptoi se fuqia e tij vendimmarrëse ishte shumë më e zbehtë nga sa perceptohej nga jashtë.

Gjatë dëshmisë së tij në nëntor, Hill zbuloi një detaj tronditës: Thaçi i kishte thënë se nëse do të pajtohej me marrëveshjen pa u konsultuar paraprakisht, kur të kthehej në shtëpi “do ta vrisnin”. Kjo deklaratë, sipas Hill, ishte prova më e qartë se një vendimmarrës i vërtetë dhe absolut nuk do të bënte një koment të tillë. Për diplomatin, Thaçi ishte një bashkëbisedues i besueshëm për të mbledhur informacione dhe për të parashtruar argumente, por nuk e kishte “timonin” e vendimmarrjes plotësisht në dorë.

Rrëfimi i ambasadorit Hill përmendi edhe takimet e tij me Sllobodan Millosheviçin, i cili në atë kohë ishte i shqetësuar se SHBA-ja po anonte nga UÇK-ja dhe po linte mënjanë LDK-në e Ibrahim Rugovës. Nënshkrimi i marrëveshjes së Rambusë hodhi poshtë pretendimet e Millosheviçit se shqiptarët nuk mund të bashkoheshin. /Vrojtuesi

spot_imgspot_img
Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here