Një 27-vjeçar ka vdekur sot në fshatin Kobaj të Prizrenit, pas një përleshjeje mes familjarëve që dyshohet se eskaloi deri në përdorimin e një mjeti të mprehtë. Një person tjetër, që sipas informacioneve fillestare është babai i viktimës, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spital.
Rastin e ka konfirmuar për Klankosova.tv kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu. Ai tha se hetimet janë në fazën fillestare dhe se ekipet relevante ndodhen në vendin e ngjarjes.
“Ajo që mund të konfirmoj në këtë fazë është se një person ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spital. Bazuar në dyshimet fillestare, viktima dyshohet se ka pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë”, deklaroi Kryeziu.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, ekspertët e forenzikës, prokurori i shtetit dhe ekipet e tjera relevante, të cilat po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore.
“Duke qenë se rasti ndodhet në fazën fillestare të hetimeve, në këtë moment nuk mund të japim informacione të tjera lidhur me rrethanat e ngjarjes”, shtoi Kryeziu.
Sipas raportimeve fillestare, përleshja dyshohet se ka ndodhur mes dy familjeve, përkatësisht mes kushërinjve. Motivi i konfliktit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, ndërsa mediat kanë raportuar se dyshimet e para lidhen me një mosmarrëveshje për emërtimin e një rruge.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë pritet t’i nënshtrohet procedurave të nevojshme ligjore, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.


