Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar një pako të re mbështetëse për disa kategori qytetarësh, 16 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Pakoja parasheh pagesa të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistët, fëmijët, punëtorët e sektorit privat me paga nën 1 mijë euro dhe studentët aktivë, ndërsa për lehonat shtesat mujore do të rriten në 500 euro, raporton Vrojtuesi.
Vendimi u prezantua në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur mëngjesin e 22 majit, nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si pjesë e Pakos për përballje me inflacionin 2.0. Sipas tij, kjo pako ishte planifikuar më herët, por nuk kishte arritur të miratohej në Kuvendin tashmë të shpërndarë, për shkak të asaj që ai e quajti “bllokim nga blloku opozitar”.
Kurti tha se pakoja e propozuar më herët kapte vlerën prej 200 milionë eurosh, por gjatë prezantimit nuk e saktësoi nëse vendimi i miratuar këtë të premte ka të njëjtën vlerë financiare.
Sipas vendimit, pensionistët dhe fëmijët do të mund t’i marrin pagesat prej 100 eurosh nga java e ardhshme. Po javën e ardhshme pritet të hapet edhe procedura e aplikimit për punëtorët e sektorit privat dhe studentët aktivë.
Duke e lidhur vendimin me mungesën e buxhetit të rishikuar, Kurti tha se pakoja nuk i mbulon të gjitha nevojat, por sipas tij, do të lehtësojë sadopak barrën e familjeve.
“Jemi të vetëdijshëm që në mungesë të buxhetit të rishikuar, i cili u bllokua nga blloku opozitar, kjo pako nuk i adreson të gjitha problemet e nevojat, por sado pak lehtëson barrën për secilën familje në vendin tonë. Sepse për dallim nga blloku opozitar, Qeveria jonë kujdeset që dora e shtetit ta prekë secilin”, tha Kurti.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se punëtorët e sektorit privat që mund të përfitojnë nga kjo masë janë ata që kanë pagë më të ulët se 1 mijë euro.
Përveç pagesave të njëhershme, Qeveria në detyrë njoftoi edhe rritjen e shtesave për lehonat. Kurti tha se kishte premtuar që këto shtesa të barazohen me pagën minimale, e cila nga korriku pritet të bëhet 500 euro në muaj. Sipas tij, Qeveria nuk do ta presë korrikun, por do ta zbatojë rritjen që nga muaji maj.
“Sivjet, nga korriku paga minimale bëhet 500 euro në muaj. E njësoj si vitin e kaluar, ne këtë maj po i rrisim shtesat për lehona, nga 325.9 euro në muaj në 500 euro në muaj. Me fjalë të tjera nuk po e presim korrikun, por po e bëjmë qysh tani, nga ky muaj”, tha Kurti.
Ekzekutivi paguan vlerën e pagës minimale për gjashtë muaj për lehonat e papuna, ndërsa për tri muaj për ato të punësuara. Këto të fundit marrin edhe një pagesë tjetër sipas Ligjit të punës.
Kurti paralajmëroi edhe një program të ri për mbështetjen e grave, të quajtur “Superpuna për gratë”. Sipas tij, programi parasheh pagesën e gjashtë muajve të pagës minimale për gratë që rikthehen në tregun e punës.
Vendimi i Qeverisë në detyrë ka nxitur reagime nga opozita, shoqëria civile dhe përfaqësues të sektorit ekonomik. Kritikat janë përqendruar kryesisht te koha e marrjes së vendimit, pasi zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen më 7 qershor.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi pakon si përpjekje për të ndikuar te votuesit, duke thënë se Qeveria po përdor “çdo mjet të mundshëm” për të qëndruar në pushtet.
“Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit”, shkroi Abdixhiku.
Reagim pati edhe nga Artan Behrami, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës. Ai kërkoi ndërhyrjen e Prokurorisë, duke e cilësuar vendimin si ndikim të drejtpërdrejtë te votuesit.
“Prokuroria duhet tani të zbarkojë në Qeverinë e Kosovës. Kjo është blerje klasike e votës, është ndikim i drejtpërdrejtë te votuesit”, shkroi Behrami.
Edhe Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus e vlerësoi vendimin si tentim për blerje votash. Sipas tij, shpërndarja e parave nga arka e shtetit në mes të procesit zgjedhor tregon mungesë idesh për politika afatgjata.
Vëzhguesi i zhvillimeve politike, Dardan Sejdiu, shkroi se ky vendim, i marrë në prag të zgjedhjeve, nuk përbën kujdes të mirëfilltë për qytetarin.
“Kjo është blerje e votës me paratë e qytetarit”, shkroi ai.
Për vendimin reagoi edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila shprehu shqetësim për përdorimin e masave të njëhershme financiare si përgjigje ndaj inflacionit. Sipas Odës, masa të tilla mund të ofrojnë lehtësim afatshkurtër, por nuk adresojnë problemet strukturore të ekonomisë.
Oda Amerikane vlerësoi se politikat publike duhet të orientohen më shumë drejt investimeve në infrastrukturë, energji, digjitalizim, arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore. Sipas saj, një sektor privat më konkurrues krijon punësim më të qëndrueshëm dhe rritje më afatgjatë të pagave.
Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasin për inflacion prej 7.5 për qind në katërmujorin e parë të këtij viti. Ndërkaq, viti 2025 u mbyll me inflacion prej 3.9 për qind.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, aktiviteti ekonomik në Kosovë është ngadalësuar, ndërsa inflacioni është rritur gjatë vitit të fundit, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Ky nuk është rasti i parë kur Qeveria Kurti merr vendime të ngjashme në prag zgjedhjesh. Katër ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, Kurti kishte njoftuar ndarjen e nga 100 eurove shtesë për fëmijët dhe pensionistët. Pagesat atëherë ishin planifikuar të ekzekutoheshin më 29 dhjetor, një ditë pas ditës së votimit.
Kujtojmë se vendime të ngjashme janë marrë edhe më herët nga qeveri të tjera në Kosovë, sidomos në prag të cikleve zgjedhore, përmes rritjes së pagave ose mbështetjes financiare për kategori të caktuara. /Vrojtuesi


