Në një moment kur aspiratat për integrim evropian kërkojnë stabilitet, Kosova është zhytur sërish në një paqartësi të thellë politike. Dështimi i partive për të arritur një konsensus për kreun e shtetit jo vetëm që shpërndan legjislaturën aktuale, por vë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve në një periudhë delikate për shtetin më të ri të Evropës.
Kosova pritet të mbajë zgjedhje të reja parlamentare pas dështimit të Kuvendit për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Këto zhvillime janë raportuar edhe nga Reuters, e cila ka shkruar se Kosova po shkon drejt një tjetër palë zgjedhjesh të parakohshme, pasi Parlamenti nuk arriti ta zgjedhë presidentin të martën. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve e përshkruan situatën si rikthim të vendit në një krizë të thellë politike.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e 28 prillit për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit në fillim të prillit. Por kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk arritën të sigurojnë pjesëmarrjen dhe mbështetjen e partive opozitare për kandidaten e tyre.
Pas përfundimit të afatit, kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, deklaroi se Kuvendi konsiderohet i shpërndarë.
“Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë”, tha Haxhiu në mesnatë.
Reuters thekson se zgjedhjet e reja do të ishin të tretat në pak më shumë se një vit, duke e zgjatur edhe më shumë bllokadën politike në Kosovë. Agjencia raporton se kriza politike ka ndikuar edhe në funksionimin institucional të vendit, në një kohë kur Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Edhe Bloomberg raportoi se Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të treta të parakohshme, pasi Kurti nuk arriti të siguronte mjaftueshëm aleatë në Kuvend për ta mbështetur kandidaturën për president. Sipas Bloomberg, bllokadat politike dhe kontestet kushtetuese të viteve të fundit kanë penguar përpjekjet reformuese të vendit.
Kriza e fundit nisi pasi shumica parlamentare tentoi më 27 dhe 28 prill ta çonte përpara procesin e zgjedhjes së presidentit, por partitë opozitare bojkotuan seancat. Bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës nuk sollën marrëveshje për një emër konsensual.
Fillimisht, LVV kishte propozuar Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun për president. Më 27 prill, këto kandidatura u tërhoqën dhe më pas u propozuan Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Por opozita i kundërshtoi edhe kandidaturat e reja dhe nuk mori pjesë në votim.
Gjatë mbrëmjes së 28 prillit, kryeministri Albin Kurti i kërkoi Lidhjes Demokratike të Kosovës të sillte 15 nënshkrime dhe një emër për kandidat për president, që të garonte kundër kandidates së LVV-së, Feride Rushiti. Kurti tha se do t’i plotësonte nënshkrimet e nevojshme, pasi kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, ishte e gatshme të tërhiqej.
LDK deklaroi se i kishte 15 nënshkrime për kandidatin e saj, por nuk e bëri publik emrin. Sipas këtij subjekti, Kurti po kërkonte një kundërkandidat vetëm për të krijuar kuorumin e nevojshëm në sallë, në mënyrë që kandidatja e LVV-së të mund të zgjidhej presidente.
Partia Demokratike e Kosovës, ndërkohë, kishte kërkuar të propozonte vetë kandidatin për president. LVV e kritikoi këtë qasje për mungesë transparence, ndërsa PDK e cilësoi ofertën e Kurtit si joserioze. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk kishte pasur ftesë zyrtare për takim.
Lidhja Demokratike e Kosovës e kundërshtoi idenë që një parti e vetme ta kontrollojë Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën. Kurti ka deklaruar se LDK-së i kishte ofruar pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit, por oferta ishte refuzuar.
Më pas, kryeministri kërkoi nga PDK dhe LDK që të propozonin tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së. Edhe kjo ide u refuzua nga opozita, e cila e cilësoi si të papranueshme dhe joserioze.
Afati i 28 prillit erdhi pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte konstatuar se deputetët kishin edhe 34 ditë kohë për të zgjedhur presidentin pas përpjekjes së parë të dështuar më 5 mars. Në atë seancë, LVV kishte nisur votimin për Konjufcën dhe Kollçakun, por procesi ishte ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit.
Një ditë më vonë, ish-presidentja Vjosa Osmani kishte shpallur dekret për zgjedhje të reja, por Qeveria e Kosovës e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuesja më pas vendosi që Kuvendi të kishte afat deri më 28 prill për ta zgjedhur pasuesin e Osmanit.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ose me 61 vota në rundin e tretë. Megjithatë, për t’u zhvilluar seanca, në sallë duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë. Pikërisht kjo kërkesë e kuorumit e bëri të pamundur vazhdimin e procesit pa pjesëmarrjen e opozitës.
Tani pritet që Albulena Haxhiu, si ushtruese e detyrës së presidentes, ta shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme. Deri atëherë, Kosova hyn në një fazë të re pasigurie politike, ndërsa partitë pritet ta zhvendosin përplasjen nga salla e Kuvendit në fushatën zgjedhore.


