Për dekada me radhë, mjekët kanë vëzhguar me habi një grup të veçantë 80-vjeçarësh që mund të mbajnë mend detaje me saktësinë e një studenti universiteti. Këta individë, të cilët shkenca i quan “SuperAgers”, nuk kanë thjesht fat gjenetik. Truri i tyre po kryen një proces rigjenerimi që deri dje konsiderohej pothuajse i pamundur për këtë grupmoshë.
Njerëzit mbi moshën 80 vjeç që ruajnë një kujtesë dhe aftësi mendore të jashtëzakonshme – të njohur në shkencë si “SuperAgers” – prodhojnë dukshëm më shumë neurone të reja sesa bashkëmoshatarët e tyre, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Nature, transmeton Vrojtuesi.
Studimi, i realizuar nga studiues të Universitetit Northwestern dhe Universitetit të Illinois në Çikago, tregon se truri i këtyre individëve ka një kapacitet të ruajtur për rigjenerim edhe në moshë shumë të shtyrë, raporton CNN.

Sipas të dhënave, truri i “SuperAgers” prodhon rreth dy herë më shumë neurone të reja krahasuar me të rriturit e shëndetshëm nga ana njohëse dhe rreth 2.5 herë më shumë sesa personat e diagnostikuar me sëmundjen e Alzheimerit.
Këto neurone të reja, të quajtura neurone të papjekura, janë veçanërisht të rëndësishme sepse janë më plastike dhe më të afta për t’u integruar në rrjetet ekzistuese të trurit.
“Kjo tregon se truri që plaket ende ka kapacitet për t’u rigjeneruar, dhe kjo është një gjetje shumë e rëndësishme”, tha bashkautorja e studimit, Dr. Tamar Gefen, profesoreshë e psikiatrisë dhe shkencave të sjelljes në Universitetin Northwestern në Çikago.
Ajo theksoi se, ndryshe nga neuronet e pjekura që janë relativisht stabile, neuronet e reja janë më fleksibile dhe kanë aftësi të shtuar për t’u lidhur dhe funksionuar në rrjetet nervore.
Studiuesit kanë analizuar për më shumë se 25 vjet trurin e burrave dhe grave të moshuar me kujtesë të jashtëzakonshme.

Sipas Gefen, “SuperAgers” ruajnë neurone të papjekura me një nivel të lartë eksitueshmërie.
“Ato janë të gatshme për të funksionuar dhe për të transmetuar sinjale, duke i dhënë trurit një profil më rinor”, u shpreh ajo.
Studimi zbuloi gjithashtu se hipokampusi, pjesa e trurit përgjegjëse për kujtesën, tek “SuperAgers” ka një mjedis mbështetës shumë më të fortë për zhvillimin e neuroneve të reja.
Ky mjedis biologjik ndihmon në procesin e neurogjenezës, pra lindjen dhe mbijetesën e neuroneve të reja, e cila lidhet drejtpërdrejt me plasticitetin e trurit dhe aftësinë për të ruajtur funksionet njohëse me kalimin e viteve.
Autorja kryesore e studimit, Orly Lazarov, profesoreshë e neuroshkencës në Universitetin e Illinois në Çikago, theksoi se truri i “SuperAgers” përmban më shumë neurone të reja edhe krahasuar me persona shumë më të rinj, në të 30-at apo 40-at e tyre.
“Profili i neurogjenezës tek këta individë tregon qëndrueshmëri dhe aftësi për t’u përballur me dëmtimet që sjell koha”, tha ajo.
Sipas studiuesve, disa “SuperAgers” mund të kenë avantazh gjenetik, por kjo nuk është e vetmja arsye.
Dr. Richard Isaacson, studiues i parandalimit të Alzheimerit në Florida, i cili nuk ishte pjesë e studimit, tha se zgjedhjet e jetesës luajnë gjithashtu rol të rëndësishëm.
“Studimet tona tregojnë se dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik, menaxhimi i stresit, gjumi cilësor dhe kontrolli i faktorëve vaskularë mund të nxisin rritjen e zonave të trurit si hipokampusi dhe të ulin shenjat tipike të Alzheimerit”, u shpreh ai.
Një “SuperAger”, sipas kritereve shkencore, duhet të jetë mbi 80 vjeç dhe të kalojë teste të detajuara njohëse që matin aftësinë për të kujtuar ngjarje të përditshme dhe përvoja personale.
Profesoresha e neurologjisë Emily Rogalski, e cila ndihmoi në krijimin e programit “SuperAging”, shpjegon se këta individë kanë kujtesë episodike të jashtëzakonshme, ndërkohë që niveli i inteligjencës (IQ) është i ngjashëm me atë të bashkëmoshatarëve të tyre.
Analizat e indeve të trurit treguan gjithashtu se tek “SuperAgers” korteksi cingulat, i lidhur me vëmendjen dhe motivimin, është më i trashë, ndërsa hipokampusi ka shumë më pak grumbullime të proteinës ‘tau’, një shenjë tipike e Alzheimerit.
Një studim tjetër zbuloi se neuronet në korteksin entorhinal të këtyre individëve janë më të mëdha dhe strukturalisht më të forta edhe krahasuar me persona shumë më të rinj.
Studimi i ri hedh dritë mbi mekanizmin biologjik pas këtyre gjetjeve, duke treguar se neuronet e reja, qelizat mbështetëse astroci¬te dhe qarkoret CA1 në hipokampus bashkëveprojnë në një mjedis të pasur qelizor që favorizon ruajtjen e kujtesës.

Ky zbulim sugjeron se plakja e trurit nuk është domosdoshmërisht një proces i pakthyeshëm dhe se ruajtja e shëndetit mendor në pleqëri ka një bazë të fortë biologjike./Vrojtuesi


