Me një shkallë vdekshmërie që mund të arrijë deri në 75 për qind dhe pa asnjë vaksinë apo kurë ekzistuese, virusi Nipah mbetet një nga “vrimat e zeza” të mjekësisë moderne. Zbulimi i pesë rasteve të reja në një nga qytetet më të populluara të Indisë ka konfirmuar frikën e ekspertëve se ky patogjen prioritar i OBSH-së mund të shpërthejë në çdo moment.
Autoritetet shëndetësore indiane kanë nisur një operacion urgjent për izolimin e këtij virusi vdekjeprurës, pasi pesë raste të të infektuarve u zbuluan pranë Kalkutës, qytetit të tretë më të populluar në vend.
Virusi, i cili bartet nga lakuriqët e natës, ka nxitur gjurmimin e menjëhershëm të kontakteve dhe vendosjen e masave të karantinës në provincën e Bengalit Perëndimor për të parandaluar një shpërthim me potencial epidemik.
Sipas agjencisë së lajmeve Press Trust of India, zyrtarët konfirmuan se tre raste të reja infektimi u raportuan gjatë kësaj jave, transmeton Vrojtuesi.
Personat e prekur përfshijnë një mjek, një infermiere dhe një anëtar të stafit shëndetësor. Këto raste vijnë pas infektimit të dy infermierëve të tjerë, një burrë dhe një grua, të cilët kishin rezultuar pozitivë më parë.
Të gjithë të infektuarit punonin në spitalin privat “Narayana Multispecialty” në Barasat, rreth 25 kilometra në veri të Kalkutës në Indi. Narayan Swaroop Nigam, sekretari i departamentit të shëndetësisë në Indi, bëri të ditur për gazetën britanike The Telegraph se njëra nga infermieret është në gjendje kritike. Ajo shfaqi ethe të larta dhe probleme të rënda respiratore midis pragut të Vitit të Ri dhe 2 janarit.

Infermierja që ndodhet aktualisht në gjendje kome besohet se u infektua gjatë trajtimit të një pacienti me probleme akute të frymëmarrjes. Ky pacient humbi jetën përpara se të kryheshin testet specifike për virusin. Si reagim ndaj situatës, autoritetet kanë testuar 180 persona dhe kanë izoluar 20 kontakte të rrezikut të lartë, ndërkohë që frika për përhapje të mëtejshme po rritet.
Virusi Nipah transmetohet midis kafshëve dhe njerëzve, zakonisht përmes lakuriqëve të frutave ose derrave të infektuar. Ai mund të përhapet edhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë nga njeriu te njeriu. Lakuriqët e frutave, të cilët janë të përhapur gjerësisht në qytetet dhe zonat rurale të Indisë, shërbejnë si rezervuarë natyrorë të këtij virusi.

Simptomat e infeksionit te njerëzit fillimisht mund të mungojnë, por ato zhvillohen shpejt në probleme akute të frymëmarrjes. Shenjat përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskulore, të vjella dhe dhimbje fyti. Në rastet më të rënda, virusi shkakton inflamacion të trurit (encefalit), duke çuar në gjendje kome brenda 24 deri në 48 orë. Shkalla e vdekshmërisë luhatet midis 40 dhe 75 për qind, ndërkohë që ende nuk ekziston ende asnjë vaksinë apo kurë specifike.
Për shkak të rrezikut të lartë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka klasifikuar Nipah si një patogjen prioritar. Kjo do të thotë se virusi kërkon kërkim dhe zhvillim urgjent për shkak të potencialit të tij për të shkaktuar pandemi. Ky shpërthim vjen në një kohë kur ekspertët globalë janë të shqetësuar për sëmundjet zoonotike, të cilat kalojnë nga kafshët te njerëzit, veçanërisht pas përvojës me Covid-19.

Në nivel rajonal, India ka regjistruar raste të të infektuarve me virusin Nipah thuajse çdo vit për më shumë se dy dekada. Në provincën jugore të Keralas të Indisë, virusi ka shkaktuar dhjetëra vdekje që nga viti 2018. Megjithatë, vendi i parë ku virusi Nipah u identifikua ishte Malajzia dhe Singapori në vitin 1999, duke prekur kryesisht fermerët e derrave. Që atëherë, shpërthime periodike janë regjistruar edhe në Bangladesh, ku infeksioni shpesh lidhet me konsumimin e lëngut të papërpunuar të palmave të hurmës.
Ish-presidenti i Shoqatës Mjekësore Indiane në Cochin, Rajeev Jayadevan, theksoi rëndësinë e kujdesit gjatë ndërveprimit me mjedisin.
“Infektimi i njerëzve me këtë virus është i rrallë, ku burimi më i mundshëm janë lakuriqët e natës, shpesh përmes konsumimit të ushqimeve të kontaminuara. Është jetike që popullata të shmangë zonat ku këto kafshë banojnë dhe të tregojë kujdes të shtuar me higjienën e ushqimeve që mund të jenë prekur prej tyre”, u shpreh Rajeev Jayadevan.

Për të reduktuar rrezikun, specialistët këshillojnë shmangien e kontaktit me derrat dhe lakuriqët në zonat e prekura, si dhe mospërdorimin e lëngjeve të frutave që mund të jenë kontaminuar në natyrë. Megjithëse situata në Indi mbetet nën monitorim të rreptë, deri më tani nuk janë raportuar raste të lidhura me udhëtimet në vende të tjera jashtë rajonit të prekur me virusin Nipah. /Vrojtuesi


