Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thyer heshtjen pas procesit zgjedhor të dhjetorit, duke ofruar një analizë të ftohtë dhe akuzuese mbi triumfin e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në një intervistë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai ka lidhur drejtpërdrejt rezultatin prej 51.10% të Albin Kurtit me atë që ai e quan “blerje të vullnetit” përmes parasë publike.
Sipas Hamzës, ky rezultat nuk erdhi si pasojë e një rritjeje organike politike, por ishte produkt i një strategjie financiare të mirëorkestruar në prag të festave. Ai argumentoi se shpërndarja masive e fondeve pak ditë para zgjedhjeve ka krijuar një avantazh të pandershëm, duke e tjetërsuar vullnetin e lirë të votuesve në një moment kritik për vendin.
Gjatë bisedës në Klan Kosova, kandidati i PDK-së për kryeministër u shpreh i bindur se paratë e ndara muajve të fundit, përfshirë ato para zgjedhjeve lokale, kanë luajtur rolin kryesor në kutitë e votimit.
“Muajve të fundit, edhe para zgjedhjeve lokale janë dhënë qindra miliona euro. Kjo e ka bërë efektin e vet, domethënë përmes parave publike është ndikuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, theksoi Hamza.
Përtej parave, Hamza ka shënjestruar edhe Presidenten Vjosa Osmani për rolin e saj në caktimin e datës së zgjedhjeve. Ai e akuzoi kreun e shtetit se nuk u soll si faktor unifikues, por i shërbeu agjendës së partisë në pushtet duke zgjedhur 28 dhjetorin, një datë që sipas tij dëmtoi mobilizimin e opozitës.
“Ky caktimi i kësaj date ka qenë i disfavorshëm për opozitën, megjithëse e vlerësoj të drejtën e qytetarëve e bashkëatdhetarëve tanë me votu sipas bindjeve të tyre politike”, u shpreh kreu i PDK-së.
Ai shtoi se pavarësisht dyshimeve për një skenar të parapërgatitur, partia e tij zgjodhi të pranonte rezultatin për të shmangur dëmtimin e perspektivës së shtetit.
Gjatë kësaj interviste, ai paralajmëroi për një krizë të mundshme ekonomike që mund të pasojë këtë periudhë.
Hamza vuri në dukje se shpenzimet e pakontrolluara elektorale dhe mungesa e një buxheti të miratuar po e çojnë Kosovën drejt një bllokade ku rrezikohet ekzekutimi i pagave dhe pensioneve.
Duke folur për këtë rrezik, ai theksoi se vendi aktualisht ndodhet në një vakum institucional që mund të ketë pasoja të rënda financiare.
“Mund të futemi në një bllokadë financiare ku realisht mund të vjen situata që mos të kemi mundësi me bë ekzekutimin e pagave, të pensioneve dhe të gjitha obligimeve të tjera”, paralajmëroi Hamza.
Në analizën e tij për rënien e subjekteve të tjera, Hamza vuri në dukje se votat e humbura të LDK-së kanë përfunduar kryesisht te Lëvizja Vetëvendosje. Sipas shifrave zyrtare, LDK ka regjistruar vetëm 13.23% apo 126,114 vota, një rënie prej 45 mijë votash që, sipas tij, u thithën nga subjekti i parë për shkak të faktorëve që ai përmendi.
Për të ilustruar këtë “infuzion” elektoral, mjafton të kujtojmë se vetëm katër ditë para zgjedhjeve, Albin Kurti njoftoi se fëmijët dhe pensionistët do të merrnin nga 100 euro shtesë. Ky vendim, i ekzekutuar saktësisht një ditë pas zgjedhjeve, më 29 dhjetor, shihet nga PDK-ja si pika ku vullneti politik u takua me interesin e momentit financiar.
Bedri Hamza pranoi se edhe opozita mban pjesën e saj të përgjegjësisë, sidomos për dështimin në krijimin e një fronti të përbashkët qeverisës para zgjedhjeve. Ai zbuloi se kishte tentuar të negocionte me partitë e tjera pa asnjë paragjykim për postet, përfshirë edhe atë të kryeministrit, por hezitimi i LDK-së bëri që ky shans të humbej.
Në një zhvillim tjetër, Hamza i është përgjigjur publikisht edhe Kurtit për temën e Presidentit, duke thënë se nuk e ka problem të takohet me kryetarin e Vetëvendosjes për marrëveshje politike, por këmbëngul se përgjegjësia kryesore bie mbi partinë e parë: për konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë dhe gjetjen e formulës për Presidentin.
Sipas Hamzës, Vetëvendosje, me 57 ulëse, mund ta formojë shumicën qeverisëse me deputetët e komuniteteve joshumicë që nuk janë serbë, dhe t’i mbyllë pa vonesa proceset e Kuvendit.
“Ka përgjegjësi për të formuar qeverinë, për konstituim të Kuvendit… edhe të kryetarit e edhe të nënkryetarëve… Për të gjitha pozicionet tjera, përgjegjësia është e tyre”, u shpreh Hamza.
I pyetur nëse PDK do ta votojë kryetarin e Kuvendit, Hamza tha se pa marrëveshje politike nuk e sheh të arsyeshme, duke argumentuar se partisë së parë “i mjaftojnë votat” për ta kaluar atë hap.
Ndërsa për Presidentin, Hamza u shpreh i hapur për bisedë, por e përsëriti qendrimin se “nuk ka kurgjo të keqe me folë”, por “përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë”.
Si zgjidhet Presidenti i Kosovës: Çfarë kërkon Kushtetuta?
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë.
Në dy raundet e para, kandidati duhet t’i marrë dy të tretat e të gjithë deputetëve, praktikisht 80 nga 120.
Nëse kjo nuk arrihet në dy raundet e para, zhvillohet një raund i tretë mes dy kandidatëve më të votuar nga raundi i dytë, dhe atëherë mjafton shumica e të gjithë deputetëve, pra 61 vota.
Nëse Presidenti nuk zgjidhet as në raundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. /Vrojtuesi


