spot_imgspot_img

Situata emergjente nga vërshimet, nivele rekorde të ujit në disa qytete

spot_imgspot_img

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Kosovën gjatë natës së mbrëmshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, kanë shkaktuar një situatë emergjente në disa komuna, duke detyruar evakuimin e dhjetëra familjeve dhe ndërprerjen e shërbimeve jetike si energjia elektrike dhe uji i pijes, raporton Vrojtuesi.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të pandërprera, zonat më të prekura janë pjesa perëndimore, duke përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën dhe Klinën, si dhe zona qendrore e vendit ku lumi Drenica ka dalë nga shtrati.

Sipas raportimeve nga terreni, nivelet e ujit kanë prekur shifra rekorde, duke i bërë shumë segmente rrugore të pakalueshme dhe duke depërtuar me shpejtësi në ekonomitë familjare dhe bizneset lokale.

Në komunën e Drenasit, situata paraqitet tejet e rënduar, ku në fshatin Poklek disa banorë janë evakuar përmes varkave për shkak të nivelit të lartë të ujit.

vershimet 2026 evakuuim me varke

Kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se rreth 20 familje janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë.

Ai u shpreh se institucionet po bëjnë maksimumin për të ruajtur jetën e njerëzve dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike.

“Njësitet e zjarrfikësve i kanë largu mbi 20 familje të cilat janë rrezikuar nga uji. Rrezikun më të madh e kemi në këtë pikë ku po shihini që është edhe trafostacioni i Komunës sonë që ne e kemi ndalë energjinë elektrike në gjithë territorin e Drenasit”, deklaroi Lladrovci.

KEDS ka konfirmuar ndërprerjen e furnizimit në nënstacionin Drenas 220/10 kV, veprim ky i ndërmarrë për të parandaluar rreziqet e mëtejshme, duke lënë pa energji edhe zona të Malishevës dhe Rahovecit.

Gjakova po përballet me skena të ngjashme, ku në disa fshatra uji ka arritur deri në nivelin e dritareve të shtëpive.

Paralelisht, në Rahovec, raportohet për shembjen e një muri mbrojtës prej 8 metrash në fshatin Brestovc, që ka rrezikuar sigurinë e qytetarëve.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka theksuar se të gjitha ekipet janë koordinuar që në orët e hershme të mëngjesit për të minimizuar pasojat.

“Aktualisht, gjendja është e menaxhueshme, ndërsa po përpiqemi të bëjmë gjithëçka që është e mundur për ta lehtësuar situatën dhe për të ofruar mbështetjen e nevojshme”, tha Latifi, duke ftuar qytetarët që të raportojnë dëmet te komisionet përkatëse.

Probleme të shumta janë shënuar edhe në infrastrukturën rrugore dhe furnizimin me ujë të pijes në nivel vendi.

Në kryeqytet, një pjesë e rrugës në lagjen Veternik është shembur si pasojë e reshjeve, ndërsa nënkalimi i ri në Malishevë, i përuruar pak muaj më parë me një vlerë prej 8 milionë eurosh, është përmbytur plotësisht.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” dhe ajo e Mitrovicës kanë njoftuar ndërprerje të furnizimit për shkak të turbullueshmërisë së lartë në kanalin e Ibër-Lepencit, duke prekur Fushë-Kosovën, Drenasin, Obiliqin dhe pjesë të Prishtinës.

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili vizitoi Drenasin, njoftoi se ekipet janë në terren 24 orë.

“Jemi në terren me të gjithë operatorët ekonomikë të angazhuar nga ministria jonë, janë në terren në vazhdimësi, 24 orë, për të ndihmuar në çfarëdo situate që është e nevojshme”, pohoi Durmishi.

Rreziqet shëndetësore kanë nxitur reagimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), i cili ka apeluar për kujdes të shtuar me ujin dhe ushqimin.

Megjithëse aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje, IKSHPK rekomandon vlimin e ujit për ata që furnizohen nga puset.

“Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut”, thuhet në reagimin e nstitutit.

Grupet e ndjeshme janë këshilluar të shmangin lëvizjet, pasi rrëshqitjet e dheut mbeten një kërcënim aktiv, veçanërisht në autostradën “Ibrahim Rugova” ku një pjesë është mbyllur për qarkullim si masë parandaluese.

Situata mbetet alarmante edhe përtej kufirit, në Shqipëri, ku reshjet kanë shkaktuar kaos në aksin Tiranë-Durrës.

Një familje nga Kosova me tre fëmijë ka mbetur e bllokuar në makinë në rrugën drejt Nishtullës, duke u detyruar të ndërhyhet me karrotrec për t’i nxjerrë nga uji.

Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët të shmangin lëvizjet në këtë aks, ku prezenca e madhe e ujit ka bllokuar edhe autoambulancat.

Ky mot i lig po rikthen kujtimet e hidhura të vërshimeve të janarit të vitit 2023, ku dëmet në Kosovë arritën shifra miliona eurosh, veçanërisht në Skenderaj e Mitrovicë.

Atëbotë, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkoi me ngulm një fond emergjent, një nevojë që po rishfaqet sot si domosdoshmëri për të përballuar pasojat e një natyre që nuk po jep shenja qetësimi. /Vrojtuesi

spot_imgspot_img
Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here