Ndryshimi i pushtetit në qytetin më të rëndësishëm të botës nuk erdhi thjesht me një ceremoni protokollare, por me një lëvizje të menjëhershme dhe radikale që ka trazuar ujërat gjeopolitike nga Nju Jorku deri në Lindjen e Mesme.
Vetëm pak orë pasi mori zyrtarisht detyrën, kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ndërmori një veprim drastik duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv që anulon në bllok të gjitha dekretet e paraardhësit të tij, Eric Adams, i cili po përballet me drejtësinë me akuzat për korrupsion.
Kjo lëvizje, e cila në pamje të parë dukej si një pastrim administrativ, në thelb goditi dy shtylla kryesore të mbështetjes institucionale që qyteti i kishte ofruar Izraelit, duke shkaktuar reagime të menjëhershme dhe të ashpra nga komuniteti konservator hebraik.
Sipas raportimeve të prestigjiozes “New York Times“, në mesin e vendimeve të shfuqizuara ishte një urdhër i firmosur nga Adams vetëm muajin e kaluar, i cili ua ndalonte agjencive të qytetit bojkotimin ose tërheqjen e investimeve nga Izraeli.
Për më tepër, lapsi i Mamdanit fshiu edhe një dekret tjetër të qershorit të kaluar, i cili kishte miratuar një përkufizim të gjerë të antisemitizmit, duke barazuar disa forma të kritikës ndaj Izraelit, siç është kundërshtimi ndaj karakterit të tij etnikisht hebre, me vetë antisemitizmin.
Megjithatë, në një përpjekje për të ruajtur ekuilibrat, Mamdani vendosi të mos e shkrijë zyrën e qytetit për luftimin e antisemitizmit, të themeluar po nga paraardhësi i tij majin e shkuar, duke e përdorur këtë si argument se siguria e komunitetit hebre vazhdon të mbetet prioritet.
Reagimi nga krahu politik kundërshtar ishte i rrufeshëm, duke sinjalizuar një mandat të mbushur me tensione ideologjike.
Inna Vernikov, një këshilltare republikane nga Bruklini, e sulmoi ashpër kryebashkiakun e ri, duke argumentuar se vendimi i tij ekspozon ndaj diskriminimit ata hebrenj që besojnë në vetëvendosje.
Në një deklaratë publike, ajo paralajmëroi pasojat e këtij akti.
“Antisemitët pro-Hamas po mbërrijnë, të inkurajuar”, u shpreh Vernikov vetëm një orë pas bërjes publike të vendimit, duke lënë të kuptohet se klima politike në qytet po ndryshon në mënyrë të pakthyeshme.
Tensioni u përshkallëzua më tej nga një skandal i brendshëm që përfshiu stafin e ngushtë të Mamdanit, duke e detyruar atë të menaxhojë krizën e parë ende pa u tharë boja e firmës së betimit.
Catherine Almonte Da Costa, një këshilltare e lartë e tij, u detyrua të japë dorëheqjen pas zbulimit të disa postimeve të vjetra antisemite, të cilat datonin më shumë se një dekadë më parë.
Edhe pse 33-vjeçarja është e martuar me zëvendësauditorin e qytetit, i cili është hebre, presioni publik e bëri të pamundur qëndrimin e saj në detyrë.
Kjo situatë ka rikthyer në vëmendje kritikat e forta të Mamdanit ndaj Izraelit gjatë fushatës, ku ai e cilësoi atë si një “shtet aparteidi” dhe mbështeti hapur lëvizjen ndërkombëtare për bojkot ekonomik, e njohur si BDS.
Gjithë kjo stuhi politike vjen në sfondin e një momenti historik për Shtetet e Bashkuara, pasi Zohran Mamdani është bërë myslimani i parë që merr çelësat e Nju Jorkut.
Në një ceremoni simbolike të mbajtur pak pas mesnatës në stacionin e vjetër të metrosë “City Hall”, i njohur për harqet e tij arkitekturore, Mamdani vendosi dorën mbi Kuran për të bërë betimin.
“Kjo është vërtet nderi dhe privilegji i një jete”, tha Mamdani gjatë ceremonisë së administruar nga Prokurorja e Përgjithshme Letitia James.
Si 34-vjeçari i parë me origjinë nga Azia Jugore dhe i lindur në Afrikë që drejton metropolin, ai tani përballet me sfidën kolosale për të qeverisur qytetin me popullsinë më të madhe hebraike në Amerikë, ndërkohë që politikat e tij mbi Lindjen e Mesme kanë krijuar tashmë ndarje të thella. /Vrojtuesi


