Një foshnjë rreth moshës njëvjeçare ka humbur jetën paraditen e sotme në qendër të Prizrenit, pasi shtëpia ku po qëndronte u përfshi nga flakët.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 10:00 në afërsi të Shtëpisë së Kulturës.
Sipas vlerësimeve paraprake nga vendi i ngjarjes, dyshohet se vdekja e të miturit ka ardhur si pasojë e asfiksisë nga tymi i dendur që pushtoi ambientet e brendshme të shtëpisë përpara se ekipet e shpëtimit të mund të ndërhynin plotësisht.
Pamjet e rënda nga vendi i ngjarjes, të publikuara edhe nga mediat lokale si TV Prizreni, dëshmojnë intensitetin e lartë të zjarrit që kishte mbërthyer shtëpinë.
Në video shihet tymi i zi dhe i dendur që vërshon furishëm nga dritaret, ndërsa ekipet e zjarrfikësve shfaqen duke luftuar me flakët dhe terrenin e vështirë për të vënë situatën nën kontroll.
Krahas viktimës, nga kjo ngjarje kanë arritur të shpëtohen tre fëmijë të tjerë. Pas transportimit me urgjencë drejt Qendrës Emergjente në Spitalin Rajonal të Prizrenit, gjendja e tyre raportohet e stabilizuar.
Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ka folur Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Në një deklaratë për emisionin “Kosova Live” në T7, ai ka konfirmuar praninë e familjarëve brenda objektit në momentin kritik.
“Sot më 30 dhjetor rreth orës 10 të mëngjesit kemi marrë informatë për një zjarr ku po digjej një shtëpi e banimit në qendër të qytetit, saktësisht afër Shtëpisë së Kulturës. Për fat keq kemi edhe një humbje jete. Ajo që dihet deri tani është fakti se në shtëpi ka qenë nëna së bashku me katër fëmijët e saj, ku tre prej tyre kanë shpëtuar, përderisa një fëmijë i moshës rreth 1 vjeç ka humbur jetën”, ka thënë Kryeziu.
Lidhur me shkaqet e zjarrit, Kryeprokurori ka treguar kujdes maksimal hetimor, por ka dhënë një indikacion të rëndësishëm duke përjashtuar paraprakisht zjarrvënien e qëllimshme.
“Me të marrë informacionin, policia, hetuesit, zjarrfikësit dhe ekspertët e zjarrit dhe prokurori i rastit janë në vendin e ngjarjes. Është shuar zjarri dhe janë duke u bërë hetime për shkakun e zjarrit… Deri më tani nuk kemi ndonjë dyshim që kemi zjarrvënie të qëllimshme, mund të ketë arsye tjera por ende është herët të konfirmojmë diçka”, tha ai.
Kryeziu shtoi gjithashtu se “fëmijët e tjerë janë jashtë rrezikut për jetë”.
Më herët, rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit përmes zëdhënësit Shaqir Bytyqi, i cili zbardhi detajet e para operative të ndërhyrjes së autoriteteve.
“Sot, më datën 30.12.2025, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit. Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, ku dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e tymit”, ka deklaruar Bytyqi, raporton Vrojtuesi.
Ai saktësoi se njësitë emergjente reaguan me shpejtësi, duke bërë të mundur lokalizimin pothuajse të plotë të zjarrit në një kohë të shkurtër.
Hetuesit policorë po vazhdojnë të qendrojnë në vendin e ngjarjes për të ekzaminuar provat materiale dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë incident me pasoja fatale.
“Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore”, u shpreh zëdhënësi Bytyqi.
Kjo ngjarje rikthen vëmendjen te siguria e banesave gjatë sezonit të dimrit, periudhë kur rreziku nga zjarret shtohet për shkak të përdorimit të pajisjeve të ndryshme për ngrohje.
Raste të ngjashme të zjarreve në shtëpi banimi janë regjistruar edhe në të kaluarën në qytete të tjera të Kosovës, duke përfshirë incidente në Prishtinë dhe Gjakovë, ku shkaktarë shpeshherë kanë qenë instalimet elektrike të mbingarkuara ose pakujdesia me mjetet ngrohëse.
Policia dhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave vazhdimisht bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe për të parandaluar incidente që rrezikojnë jetën e qytetarëve. /Vrojtuesi


