Kosova po përgatitet t’u drejtohet kutive të votimit këtë të diel për të zgjedhur deputetët e rinj, në atë që shënon procesin e dytë zgjedhor parlamentar dhe të katërtin në total brenda më pak se një viti.
Vendi gjendet mes lodhjes nga një krizë politike e tejzgjatur dhe shpresës se klasa politike do t’i japë fund mosmarrëveshjeve për t’u fokusuar te problemet reale.
Sipas një analize të publikuar sot nga mediumi zviceran “Le Temps“, Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse parashikohet të dalë sërish forca e parë politike në vend, do të ketë jashtëzakonisht të vështirë të gjejë partnerë për koalicion nëse nuk arrin të sigurojë e vetme mbi 50 për qind të votave, transmeton Vrojtuesi.
Gazeta thekson se izolimi politik i Albin Kurtit nga partitë e tjera rrezikon ta lërë vendin sërish pa qeveri funksionale, duke krijuar një tjetër ngërç institucional menjëherë pas certifikimit të rezultateve.
Ky skenar i zymtë është pothuajse identik me atë që ndodhi në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti.
Në atë proces, sipas të dhënave zyrtare të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 42.30 për qind të votave, të cilat u përkthyen në 48 ulëse në Kuvend.
Kjo fitore, ndonëse bindëse ndaj rivalëve, ishte e pamjaftueshme për të arritur numrin prej 61 deputetësh. Dështimi për të gjetur gjuhën e përbashkët me partitë e mëdha shqiptare, të cilat refuzuan bashkëpunimin, e çoi vendin drejt kësaj krize të zgjatur.
Qytetarët e intervistuar në Prishtinë shprehin zhgënjim ndaj politikanëve, duke i akuzuar ata për egoizëm dhe mungesë ndryshimi.
“Politikanët mendojnë tepër për veten, ata bëhen egoistë. Nuk ka pasur asnjë ndryshim – ndryshe nga çfarë kishin premtuar”, shprehet me keqardhje Blerina Kryeziu, një ekonomiste 37-vjeçare.
Ajo shton se situata nuk është e mirë as për pensionistët, as për sektorin privat, ndonëse ruan një shpresë se zgjedhjet mund ta zhbllokojnë ngërçin.
Megjithatë, ekspertët janë më pesimistë.
“Mendoj se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk do të sjellin asnjë qartësim”, paralajmëron ekonomisti Mehmet Gjata.
Ai parashikon një fitore të Kurtit, por pa shumicë.
“Kam frikë se kriza aktuale politike do të përsëritet, sepse VV nuk do të marrë më shumë se 50% të votave. Ne nuk do të kemi, sërish, asnjë fitues”, shtoi Gjata.
Në kampin ish-opozitar, ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se alternativa e vetme e besueshme ndaj Vetëvendosjes do të ishte një koalicion i tri partive të mëdha opozitare, PDK, LDK dhe AAK.
Pavarësisht popullaritetit të Kurtit, i cili në vitin 2021 arriti fitoren më të thellë që nga pavarësia duke qeverisur i vetëm, mandati i tij i fundit është karakterizuar nga veprime të njëanshme ndaj Beogradit.
Këto veprime, ndonëse të vlerësuara nga elektorati i tij si fitore madhore, kanë sjellë sanksione nga Bashkimi Evropian dhe kritika nga Uashingtoni për krijim instabiliteti.
Pasojat e këtij ngërçi institucional janë të rënda për ekonominë e vendit.
Mungesa e një parlamenti funksional ka bërë që marrëveshjet ndërkombëtare me vlerë qindra milionë euro të mbeten të paratifikuara.
Sipas të dhënave të cituara nga “Le Temps”, dy proceset e fundit zgjedhore nacionale dhe ato lokale i kanë kushtuar buxhetit të shtetit të paktën 30 milionë euro vetëm gjatë këtij viti.
Për më tepër, mbi dhjetë institucione dhe agjenci publike kanë mbetur pa drejtues për shkak të skadimit të mandateve dhe pamundësisë ligjore për të emëruar zëvendësuesit, një situatë që sipas analistëve i ka shkaktuar Kosovës dëme kolosale.
Ky proces zgjedhor vjen pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të caktuar 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pas shpërbërjes së Kuvendit që dështoi të zgjidhte qeverinë e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e kishte mirëpritur caktimin e kësaj date, duke e vlerësuar si më të përshtatshmen për procesin zgjedhor. Nga ana tjetër, partitë ish-opozitare si PDK dhe LDK, ndonëse kishin preferenca të tjera kohore, shprehën gatishmërinë e tyre për të hyrë në garë.
Bedri Hamza i PDK-së deklaroi se partia e tij ka ekipin dhe vizionin e duhur, ndërsa Lumir Abdixhiku i LDK-së theksoi se këto zgjedhje do të përcaktojnë jo vetëm qeverinë, por edhe orientimin e vendit.
Megjithatë, si pasojë e mungesës së konsensusit politik gjatë kësaj periudhe, Kosova shkon në zgjedhje pa miratuar buxhetin e vitit të ardhshëm dhe pa ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë rreth 200 milionë euro. /Vrojtuesi


