Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar vendimin më të fundit të qeverisë për të ndarë shtesa të menjëhershme financiare për dy kategori të ndjeshme të shoqërisë, vetëm katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, transmeton Vrojtuesi.
Në një lëvizje të minutave të fundit para mbylljes së vitit, kreu në detyrë i ekzekutivit konfirmoi se të gjithë fëmijët dhe pensionistët do të përfitojnë nga 100 euro shtesë si mbështetje për festat e fundvitit.
Sipas njoftimit zyrtar, ekzekutimi i këtyre mjeteve është planifikuar të bëhet më datën 29 dhjetor, saktësisht një ditë pas procesit zgjedhor që do të mbahet më 28 dhjetor.
Në deklaratën e tij, Kurti e lidhi këtë vendim me frymën festive por edhe me situatën politike, duke theksuar se pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga mosvotimi i buxhetit nga opozita, qeveria ka bërë të pamundurën për të siguruar këtë mbështetje.
Ai u shpreh se me fitoren e pritshme në zgjedhje, festimet do të jenë të dyfishta, duke shtuar se kjo ndihmë financiare vjen si vazhdimësi e traditës së përvitshme për të mbështetur familjet kosovare në prag të ndërrimit të viteve.
Kryeministri në detyrë theksoi se procedura e pagesës do të kryhet para natës së Vitit të Ri, duke u siguruar që qytetarët t’i gëzojnë këto mjete gjatë ditëve të festës.
Ky vendim vjen në vazhdën e politikave sociale që qeveria në detyrë ka proklamuar edhe më herët gjatë miratimit të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026, i cili kap vlerën e 4 miliardë eurove.
Që nga fundi i muajit tetor, ekzekutivi kishte paralajmëruar ndryshime thelbësore në skemat sociale dhe pensionale, duke përfshirë rritjen e pensionit minimal nga 120 në 150 euro.
Kjo rritje, e cila ka hyrë në fuqi nga muaji nëntor, prek rreth 200 mijë pensionistë të kategorive të ndryshme, përfshirë ata me pensione bazike, personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës, duke synuar përmirësimin e mirëqenies së tyre.
Krahas mbështetjes për të moshuarit, fokusi i buxhetit të ri dhe politikave qeveritare ka qenë edhe tek fëmijët dhe familjet e reja.
Sipas planifikimeve të bëra publike më herët, shtesat për fëmijët e moshës 0 deri në 16 vjeç kanë pësuar një rritje prej 50 për qind duke filluar nga muaji nëntor.
Konkretisht, një nënë me dy fëmijë, e cila më parë përfitonte 40 euro, me ndryshimet e reja ka filluar të marrë 60 euro në muaj.
Këto masa janë prezantuar si pjesë e një pakete më të gjerë që përfshin edhe sektorin publik, ku është paraparë dhënia e pagës së 13-të për punonjësit që kanë punuar së paku 12 muaj, si dhe rritja e pagës bazë bazuar në përvojën e punës. /Vrojtuesi


