spot_imgspot_img

Mesazhi i një nëne kundër bullizmit shkakton “tërmet” në TiTok

spot_imgspot_img

Në një kohë kur bullizmi në shkolla po trajtohet gjithnjë e më shumë si krizë sociale, një mesazh prindëror i publikuar në TikTok ka hapur një debat të ashpër për mënyrën se si fëmijët duhet të mbrohen kur institucionet dështojnë.

Brittany Norris, një nënë 27-vjeçare nga Luiziana, ka nxitur një debat të gjerë në rrjetet sociale pas publikimit të një videoje ku deklaron se i mëson fëmijët e saj të kundërpërgjigjen fizikisht nëse sulmohen në shkollë.

Përmes një postimi në TikTok, Norris theksoi se preferon që fëmijët e saj të mbrohen vetë sesa të njoftojnë mësuesit, duke e cilësuar këtë si një formë vetëmbrojtjeje të nevojshme.

Ky qëndrim ka shkaktuar reagime të ashpra mes prindërve, mësuesve dhe ekspertëve, duke vënë përballë metodat tradicionale të zgjidhjes së konflikteve me instinktin e mbrojtjes.

Në videon e saj, e cila u bë virale në TikTok, Norris shfaqet shumë e vendosur për mënyrën se si i edukon fëmijët. Ajo thotë hapur se, nëse dikush i godet ata, nuk dëshiron që reagimi i tyre i parë të jetë ankesa te mësuesi.

Sipas saj, fëmijët duhet të mësohen t’i zgjidhin problemet vetë në momentin që ndodhin. Ajo këmbëngul se kjo metodë i bën ata më të fortë dhe më të përgatitur për t’u mbrojtur në jetë.

“Nëse dikush e godet fëmijën tim, unë nuk po e rris që të vrapojë menjëherë te mësuesja. Nuk dua të rris një fëmijë që vetëm ankohet e ‘spiunon’. I edukoj që t’i dalin zot vetes: ‘Zgjidhe vetë, ktheja mbrapsht, mbrohu’. Dhe nëse kjo nuk mjafton, atëherë ndërhyj unë. Nëse kjo metodë ngjall debate, nuk më intereson fare. Ktheja edhe më fort,” theksoi Brittany Norris në videon që ka marrë mbi 1300 komente, transmeton Vrojtuesi.

@brittanynorris_ like be fr #parenting #fightback #parentsoftiktok ♬ original sound – brittany norris

Kjo deklaratë ka nxitur debate të forta, duke e ndarë opinionin publik në dy kampe. Shumë prindër u rreshtuan në krah të saj, me mendimin se shkollat shpesh dështojnë t’i mbrojnë fëmijët dhe se t’i dalësh zot vetes është një mësim i domosdoshëm për jetën.

“Gjithmonë më kanë thënë që të mos e nis sherrin kurrë i pari, por nëse dikush më godet, duhet të jem unë ai që i jep fund asaj pune”, u shpreh një prej komentuesve që mbështeti qëndrimin e saj.

Nga ana tjetër, mësuesit dhe një pjesë e prindërve shohin një rrezik të madh te kjo qasje, duke argumentuar se nxitja e forcës vetëm sa e përshkallëzon dhunën.

Një mësuese e shkollës fillore reagoi duke thënë se ky lloj mentaliteti po e nxjerr dhunën nëpër shkolla jashtë kontrollit.

“Kjo është mendësia e pothuajse çdo prindi sot dhe rrahjet nëpër shkolla janë jashtë kontrollit. Ne as nuk do ta marrim vesh që nxënësit kanë probleme me njëri-tjetrin sepse ata nuk na tregojnë, thjesht fillojnë të zihen”, theksoi mësuesja në reagimin e saj.

Të tjerë ndjekës e cilësuan mesazhin e Norris si të papërshtatshëm, duke mbrojtur idenë se komunikimi duhet të vijë gjithmonë i pari.

“Unë po i mësoj fëmijët e mi që të përdorin zërin e tyre të parët, sepse të bësh të njëjtën gjë si personi që të godet nuk ka asnjë kuptim”, u shpreh një tjetër prind në seksionin e komenteve, duke vënë në dukje se dhuna nuk mund të zgjidhet me dhunë.

Në një bisedë për Today.com, Norris sqaroi se nuk po i mëson fëmijët të jenë agresorë, por thjesht të mos jenë viktima. Ajo pranoi se njoftimi i mësuesit mund të jetë i mirë për menaxhimin e konfliktit në planin afatgjatë, por nuk e ndihmon fëmijën në momentin kur po sulmohet fizikisht.

“Më mirë të jem në zyrën e drejtorit sepse fëmija im mbrojti veten sesa të pres që dikush tjetër të ndërhyjë. Vetëmbrojtja është një aftësi që të duhet në botën reale dhe këtë nuk ta mësojnë në shkollë,” u shpreh ajo për median amerikane.

Lidhur me këtë temë, Deborah Gilboa, mjeke familjare dhe eksperte e elasticitetit psikologjik, theksoi se ky është një diskutim që lidhet ngushtë me vlerat që çdo familje ka për sigurinë dhe autonominë. Gilboa vuri në dukje se prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat.

“Nuk është aq e thjeshtë sa të thuash se është gjithmonë në rregull të godasësh mbrapsht. Mund të ketë ndëshkime nga shkolla ose probleme me familjet e tjera,” shpjegoi Gilboa.

Ajo këshilloi që fëmijët duhet të mësohen fillimisht me reagime paqësore, si vendosja e kufijve me zë ose largimi nga situata, para se të arrihet te forca fizike.

Sipas ekspertëve, sapo fëmijët hyjnë në ciklin shkollor, prindërit duhet të vendosin se çfarë botëkuptimi duan t’u përcjellin dhe t’i përgatisin ata për pasojat që vijnë me çdo zgjedhje që bëjnë në përballjen me bullizmin. /Vrojtuesi

spot_imgspot_img
Vrojtuesi
Vrojtuesihttps://vrojtuesi.com/
Vrojtuesi është një platformë mediatike online për informim të shpejtë dhe të saktë mbi aktualitetin në vend, rajon e botë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

spot_img

TË NGJASHME

spot_imgspot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here